Përshtatën shtëpinë për kultivimin e kanabisit, “Vila” çon në pranga burrë e grua

Shqipëria

Përshtatën shtëpinë për kultivimin e kanabisit, “Vila” çon në pranga burrë e grua

Më: 9 mars 2021 Në ora: 14:19
Ilustrim

Një çift bashkëshortësh është vënë në pranga ditën e sotme në Tiranë, të akuzuar për kultivim kanabisi.

Me një njoftim për mediat, Policia bën me dije se ata u arrestuan si rezultat i finalizimit të operacionit policor të koduar “Vila”.

Çifti i bashkëshortëve, burri 34-vjeç dhe gruaja 31, kishin përshtatur ambientet e shtëpisë së tyre për kultivimin e kanabisit.

Policia sekuestroi 3.6 kilogramë kanabis, fidanë të kultivuar, fara kanabisi dhe aparatura që shërbejnë për kultivimin e bimës narkotike.

Njoftimi:

Tiranë

Finalizohet operacioni antikanabis i koduar "Vila", i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë dhe Komisariati i Policisë Vorë.

Kishin përshtatur banesën për kultivimin e bimëve narkotike, vihet në pranga çifti i bashkëshortëve.

Sekuestrohen 3.6 kg lëndë e dyshuar kanabis, fidanë narkotikë të kultivuar, fara kanabisi, aparatura që shërbejnë për kultivimin dhe prodhimin e lëndës narkotike, një sasi me lëndë të dyshuar heroinë dhe sende të tjera të kundërligjshme. 

Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vorë, në bazë të informacioneve të siguruara nga qytetarët, pas një pune hetimore disa javore, finalizuan operacionin antikanabis të koduar ”Vila”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:

K. Z., 34 vjeç dhe A. Z.(D.), 31 vjeçe, banues në Vorë (bashkëshortë).

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin përshtatur ambientin e banesës së tyre me aparatura që shërbejnë për kultivimin dhe prodhimin e lëndëve narkotike.

Gjatë kontrollit të banesës u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 3.6 kg lëndë e dyshuar kanabis, 9 fidanë të dyshuar kanabis të kultivuar, pajisje që kanë shërbyer për kultivimin e bimëve narkotike, fara kanabisi dhe sende të tjera të kundërligjshme. 

Materialet për veprime të mëtejshme do t'i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e  narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe besimin e treguar te Policia dhe i fton sërish ata që të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital, çdo rast të paligjshmërisë, duke iu garantuar anonimat të sigurt dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat