Kreditë e këqija u rritën në janar/ Stoku i kredive me probleme shkon në 49 miliardë lekë

Shqipëria

Kreditë e këqija u rritën në janar/ Stoku i kredive me probleme shkon në 49 miliardë lekë

Më: 10 mars 2021 Në ora: 19:52
Banka e Shqipërisë

Ashtu siç ishte paralajmëruar, kreditë me probleme janë rritur lehtë gjatë janarit.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë niveli i kredive të këqija arriti në 8.2%, nga 8.1% që ishte në fund të vitit të kaluar, një nivel pranë minimumeve historike të dekadës së fundit.

Me gjithë rritjen e lehtë, sërish norma e huave me problem stoku i të cilave ka arritur në 49 miliardë lekë paraqitet e qëndrueshme.

Kjo për shkak të moratoriumit që ndërmori banka qendrore për shtyrjen e kësteve të kredive për një periudhë 6-mujore për qytetarët dhe bizneset më të prekura nga kriza, ku përfituan rreth 25 mijë huamarrës teksa vlera e kredive të ristrukturuara arriti në 2 miliardë euro.

Po ashtu, pak kohë më parë Banka e Shqipërisë vendosi të shtyjë sërish deri më 31 mars edhe masat lehtësuese për sistemin bankar duke iu dhënë më shumë kohë kredimarrësve debitorë për shlyerjen e huave.

Por, me mbarimin e efekteve të këtyre masave rregullatore lehtësuese të marra në kuadër të zbutjes së pasojave të pandemisë, banka qendrore pret që norma e kredive të këqija të pësojë sërish rritje në vijim. Aktualisht, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë kreditë me probleme vlerësohen në rreth 49 miliardë lekë.

Edhe pse aktiviteti ekonomik ka shfaqur tendenca rikuperimi në muajt e parë të vitit, risqet e pandemisë janë ende prezente dhe vijojnë të ushtrojnë presion në buxhetet e qytetarëve dhe duke krijuar vështirësi te bizneset, çka mund të ndikojë në aftësinë paguese të tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat