Vdekshmëri e lartë e trupës mjekësore në Shqipëri

Shqipëria

Vdekshmëri e lartë e trupës mjekësore në Shqipëri

Më: 14 mars 2021 Në ora: 08:05
Foto ilustrim

Studimi thekson se, numri i mjekëve, infermierëve dhe mamive për 100.000 banorë në Shqipëri, i cili është shumë më i ulët në krahasim me mesataren e vendeve të BE-së (384 mjekë në vitin 2016), por edhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ka ardhur duke u zvogëluar.

Vdekshmëria e lartë që ka krijuar pandemia në Shqipëri, ka prekur edhe trupën mjekësore të vendit. Sipas të dhënave nga Komiteti i Ekspertëve, deri më tani kanë humbur jetën 35 mjekë në të gjithë vendin nga Covid-19, ose 1.1% e së gjithë trupës mjekësore në vend prej 3300 personash.

Nga vdekjet zyrtare të raportuara, deri në fillim të marsit, 2.2% e tyre ishin mjekë. Këto përqindje ishin shumë më të ulëta në krahasim me vendet e tjera të rajonit, duke sinjalizuar se në vendet e tjera, gjithashtu vdekjet totale nga Covid ishin të ulëta. Maqedonia e Veriut, e cila ka një popullsi më të vogël se Shqipëria ka gati dyfish mjekë më shumë se vendi ynë, rreth 6000 të tillë, ndërsa kanë humbur jetën vetëm 20 prej tyre ose 0.3% e mjekëve, shkruan Monitor.

Në Itali, kanë humbur jetën 0.1% e mjekëve dhe në Serbi 0.3% e tyre. Në vendet e tjera të zhvilluara si Gjermania dhe Italia, humbjet e mjekëve ishin të papërfillshme në raport numrin total të mjekëve. Migracioni i lartë, së fundi i përqendruar në individë të aftësuar po i vë në vështirësi disa profesione jetike për një popullatë.

Një studim i profesorëve Gëdeshi dhe King zbuloi se numri i mjekëve për banorë ka rënë ndjeshëm në Shqipëri, si rezultat i emigracionit gjatë periudhës 2000-2018. Në vitin 2000, Shqipëria kishte 140 mjekë për 100.000 banorë, në vitin 2016 kishte 120 dhe në vitin 2018, ky tregues ra në 110 mjekë.

Studimi thekson se, numri i mjekëve, infermierëve dhe mamive për 100.000 banorë në Shqipëri, i cili është shumë më i ulët në krahasim me mesataren e vendeve të BE-së (384 mjekë në vitin 2016), por edhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ka ardhur duke u zvogëluar.

E njëjta tendencë rënëse vërehet edhe për infermierët dhe mamitë. Migrimi ndërkombëtar i stafit mjekësor, kryesisht në Gjermani, është një nga faktorët kryesorë që shpjegon këtë ulje, cilësojnë ekspertët. Një vrojtim i realizuar në vitin 2018 tregoi se gjatë 5 viteve të fundit rreth 13% e stafit mjekësor kishte emigruar nga Shqipëria dhe se numri i atyre që emigrojnë çdo vit është i barabartë ose më i madh se sa numri i mjekëve të rinj që diplomohen në Universitetin e Mjekësisë.

Ndërsa numri i infermierëve që kanë emigruar nga Shqipëria gjatë periudhës 2014–2019 llogaritet në rreth 8.500 persona. Krahas kësaj, edhe shpërndarja e personelit shëndetësor në territorin e vendit – si pasojë e migrimit të brendshëm – është e pabarabartë.

Thuajse 51% e mjekëve janë përqendruar në Tiranë dhe në shumë rrethe të prapambetura të vendit ka mungesë të mjekëve specialistë. Ulja e mëtejshme e numrit të mjekëve dhe infermierëve, ashtu si dhe shpërndarja e pabarabartë e tyre në territorin e vendit, do të sillte jo vetëm përkeqësimin e treguesve shëndetësorë të popullsisë, por edhe valë të reja të migrimit të brendshëm dhe ndërkombëtar, thonë ekspertët e studimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat