“Bëhu burrë!”/ Basha i përgjigjet Ramës

Shqipëria

“Bëhu burrë!”/ Basha i përgjigjet Ramës

Më: 14 mars 2021 Në ora: 14:46
Lulzim Basha

Kreu i PD-së Lulzim Basha dhe kryeministri Edi Rama vijojnë replikat në distancë mbi incidentet e ndodhura në Elbasan, ku militantë të PS dhe PD u përplasën fizikisht me njëri-tjetrin.

Pasi kreu i qeverisë tha se Basha duhet të bëhet “burrë pasi lider nuk është”, kryedemokrati thekson se “burrë nuk të bëjnë banditët me pistoletë në brez pa të cilët nuk hyje dot në qytetin e Elbasanit”, por “përkushtimi ndaj vendit”.

“Por sot dua të ndaj dhe një mesazh për ngjarjen e shëmtuar që provokoi Edi Rama kur erdhi me banditët me pistoletë në brez se kujtoi se do të frikësonte popullin e Elbasanit dhe do të prishte festën. Nuk ia doli dot, rrugët ishin plot e përplot edhe më plot pas këtij incidenti të shëmtuar që tregoi se njerëzit nuk e kanë më frikë, se janë të vendosur që të mos jenë më peng i bandave me të cilat Edi Rama ka ardhur në pushtet dhe ka mbajtur pushtetin në Elbasan dhe në qytete të tjera. I ka dalë boja atyre dhe mbi të gjitha shqiptarëve iu ka dalë frika dhe janë me ne bashkë për të sjellë ndryshimin që vendi meriton”, deklaron Basha.

“Edi Ramës po i them këto dy fjalë Ditën e Verës. Burrë nuk të bëjnë banditët me pistoletë në brez pa të cilët nuk hyje dot në qytetin e Elbasanit. Burrë nuk të bëjnë dot banditët të cilëve ju lutesh e përgjërohesh dhe pa të cilët nuk hyn dot në qytetin e Durrësit dhe të Shijakut. Burrë nuk të bëjnë dot banditët e Fushë Krujës që i ke futur në listat e tua, nuk të bëjnë dot burrë ata ty. Burrë të bën përkushtimi ndaj vendit, përkushtim që ti nuk e ke pasur dhe nuk e ke, prandaj ke nevojë njësoj si për morfinën dhe kokainën dhe për banditët që të rrethojnë. Burrë të bën dashuria për vendin që ty të ka munguar çdo çast sepse e ke zhytur vendin dhe qytetarët në mjerim. Burrë të bën përkushtimi për të lënë pas çdo interes personal”, vijon kryedemokrati.

“Kur ti çdo sekondë në pushtet e ke kaluar për veten tënde dhe miqtë e tu duke braktisur qytetarët. Ndali provokimet ndaj qytetarëve! Të njëjtën përgjigje do marrësh kudo që shkon. Shqipëria e ka ndarë mendjen, nuk ka ndryshim pa largimin tënd. Ndaj mos i provoko shqiptarët, dhe jepi fund kompensimit të frikës që të shoqëron me të drejtë. Nuk na tremb dot ne, nuk tremb dot shqiptarët. Më 25 prill ti largohesh, Shqipëria fiton, shqiptarët fitojnë.

Të dashur shqiptar në grahmat e fundit çdo pushtet i korruptuar përdor frikën, përdor terrorin, por kjo nuk e ndali ndryshimin në 1990 dhe nuk do e ndalë ndryshimin e madh që ju të gjithë prisni dhe meritoni. ky ndryshim po vjen, unë e ndiej dhe e prek kudo ku kam shkuar deri sot. Zotimi im para jush se më 25 prill ne do ta largojmë të keqen, do ta mposhtim të keqen. Gëzuar Ditën e Verës, ditën që paralajmëron ndryshimin e madh. Fitore!”, thuhet në mesazhin e tij.

REGIMI I EDI RAMËS 

“Lulzim je bërë një manekin qesharak i pengmarrësve të tu dhe pasi shkon në festën e popullit të Elbasanit me flamuj partie e me një turmë ulëritësash, flet përçart për banda e për kriminelë! Ndahu nga Likja e Saliu, këpute zinxhirin e Monikës, se lider s’je dot po bëhu pak burrë!”, shkruan Rama në rrjetet sociale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat