Veliaj thellon skandalin me FRD: Vetëm kur janë aleatë me ne, mund ti mbajnë zyrat

Shqipëria

Veliaj thellon skandalin me FRD: Vetëm kur janë aleatë me ne, mund ti mbajnë zyrat

Më: 15 mars 2021 Në ora: 15:13
Erion Veliaj

Pas daljes përpara të gazetarëve të presidentit, Ilir Meta, i cili ka shpjeguar me fakte se çfarë ka ndodhur realisht me incidentit e ndodhur në selinë e FRD-së në Tiranë pak ditë më parë, Erion Veliaj, është kundërpërgjigjur në Twitter, por duke e thelluar edhe më shumë skandalin e urdhëruar sipas tij.

‘Për përmbaruesin e dhunshëm të Saliut në Presidencë: Kontrata e 2016-ës mes Bashkisë Tiranë dhe partisë që Saliu i rrëmbeu ish Presidentit ka qenë për VETEM 1 VIT! Ka 4 vite që ndërtesa zaptohet pa kontratë. Këto janë faktet. Lironi ndërtesën publike, po keni pak dinjitet!’, ka shkruar kryetari i bashkisë duke publikuar njëkohësisht edhe disa dokumente të kontratës.

Edhe nëse këto dokumente janë të vërteta, pasi në rastin në fjalë u vërtetua se kjo bashki punon me shkresa pa vula dhe firma, atëherë vetë Erion Veliaj na jep argument, se ndërhyrja e policëve të tij ishte vetëm politike.

Sipas Veliajt partia FRD, ka 4 vite që qëndron në shkelje të kontratës në ato ambiente, por policët e tij nuk e kanë ngacmuar asnjëherë përderisa ka qenë në aleancë me PS-në dhe ngrinin duart pro, në Këshillin e tij Bashkiak.

Është e ligjshme apo jo ajo seli në ato ambiente, e ndan gjykata dhe jo Edi Rama me Erion Veliajn, sipas aleancave politike që bën FRD.

Në fakt i gjithë thelbi i aktit të turpshëm që bëri Erion Veliaj me policët e tij ishte pikërisht hakmarrja ndaj një partie, e cila për këto zgjedhje kaloi me opozitën.

 Dhe Veliaj pikërisht këtë vërteton, me ‘faktet’ që ka nxjerrë ditën e sotme.

Image
Image

Më herët ishte presidenti i Republikës i cili e ka sqaruar me hollësi, se si ndodhi përplasja në zyrat e FRD me punonjësit e Policisë Bashkiake dhe pse ai akt ishte një hakmmarje politike.

‘Le të kalojmë te faktet, - tregoi Presidenti Meta para mediave sot. - Në ambientet e FRD-së ishte ngjitur diku një letër në korridore, kjo këtu, pa origjinë, pa nënshkrim, vulë, emër titullari, pa numër protokolli përveç një fjale ‘Ekstra’ të datës 3 mars që të dukej si akt zyrtar për të justifikuar terrorizimin e kësaj force politike dhe të forcave opozitare në tërësi. Përmes kësaj letre i kërkohej FRD lirimi i ambienteve për nevoja të bashkisë së Tiranës, në një letër pa bazë ligjore.

Më pas rezulton se partisë i është shkëputur energjia dhe në ambiente janë paraqitur punonjës të Policisë Bashkiake ndërkohë që kryetari është bllokuar brenda me punonjësit dhe ky ka qenë momenti ku kryetari ka njoftuar të gjitha institucionet dhe mediat si dhe Presidentin.

Kam ndjekur me vëmendje të gjithë situatën dhe kam vendosur të kontaktoj dhe të verifikoj situatën e paprecedentë që po ndodhte aty.

Kam vendosur të ndryshoj axhendën dhe pasi kam arritur kam kontaktuar me drejtuesit e kësaj force. Në momentin që jemi drejtuar për në hyrjen kryesore, dera ka qenë e mbyllur dhe e rrethuar me punonjës bashkiakë sikur të kishte ndodhur një skenë flagrante krimi.

Stafi i Presidentit ka kërkuar hapjen e derës për hyrjen e Presidentit dhe të drejtuesve të FRD. Fillimisht është hapur dera dhe është lënë të hyjë vetëm Presidenti i Republikës, ndërkohë që ende pa u futur mirë Presidenti në këtë godinë, stafi i Policisë Bashkiake i shoqëruar nga disa funksionarë publikë civilë, në mënyrë të dhunshme kanë penguar  me forcë dhe dhunë fizike, stafin që shoqëronte Presidentin përfshirë disa nga drejtuesit e FRD.

Ky ka qenë edhe momenti kur unë si kryetar i shtetit kam reaguar ndaj punonjësve të Policisë Bashkiake, të cilët me veprimet e tyre kanë dashur të pengojnë Presidentin të ushtrojë funksionet dhe përgjegjësitë e tij kushtetuese.

Më pas ka ardhur një shkresë që s’ka asnjë arsye të ligjshme, ndërkohë përmend faktin se FRD paska zaptuar ambientet e bashkisë Tiranë dhe ky është falsifikim tjetër se FRD nuk është futur me zor po ndodhet aty që në 23 mars 2016 prej pesë vitesh mbi bazën e një marrëveshjeje të lidhur me bashkinë Tiranë.

Bashkia Tiranë nuk ka asnjë autoritet ta zgjidhë me vetëgjyqësi këtë çështje, por megjithatë duhej t’i drejtohej gjykatës.

Ky hap duhej të merrej pasi të ishin shteruar të gjitha mundësitë e zgjidhjes me mirëkuptim. Çdo veprim tjetër përmban vepra elemente të qartë të veprës penale, të shpërdorimit të detyrë dhe zgjidhjes së konflikteve nëpërmjet vetëgjyqësisë.

Vetëm pas presionit nga mediat është nxjerrë një shkresë nga kryetari i bashkisë që lirimi i ambienteve të bëhet brenda dhjetë ditëve. Kjo është letra që i ka çuar bashkia, FRD-së dhe po i gjetët ju emër firmë e vulë që nuk gjendet në asnjë vend të botës....

Pas gjithë këtij debate që keni ndjekur, vetëm më 12 mars kemi një akt nga bashkia që i plotëson kushtet nga ana formale, megjithëse në përmbajtje është i paligjshëm, por ka emër firmë e vulë dhe nr protokolli.

Doni më fakte për bandën që kërkon të dhunojë pluralizmin politik dhe të dhunojë zgjedhjet e lira dhe që pengon edhe Presidentin e Republikës të ushtrojë detyrat e tij kushtetuese?!’, deklaroi presidenti Meta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat