“Ftesa për të kandiduar ishte një vlerësim”, Çomo: Komiteti këshillon, e vërteta është që vendos qeveria

Shqipëria

“Ftesa për të kandiduar ishte një vlerësim”, Çomo: Komiteti këshillon, e vërteta është që vendos qeveria

Më: 15 mars 2021 Në ora: 21:02
Najada Çomo

Najada Çomo pas 36 vitesh angazhimi tek shërbimi i Infektivit iu bashkua edhe politikës. Në një intervistë në ABC, ajo u shpreh se mbeti e habitur nga ftesa që i bëri kryeministri Edi Rama.

E dyta në listën e Partisë Socialiste të kandidatëve për Tiranën, Çomo tha se për të, ftesa për të kandiduar ishte një vlerësim. Po ashtu, mjekia tregoi se nuk ka kartë anëtarësimi në ndonjë parti, por shtoi se ka votuar për Partinë Socialiste.

Ndërsa, e pyetur nëse e ka lënë përgjysmë “luftën” në frontin e parë në këtë kohë pandemie, Çomo tha se do të jetë në punë deri në pacientin e fundit me Covid-19.

“Puna ime aty është e ditur, edhe në fushën klinike edhe akademike. Besoj në vullnetin e dëshirës që kam për ta bërë punën mirë…Në spital nuk kam munguar. Nuk bëhet fjalë që të mund të ketë pasur menaxhim të pandemisë nga ana politike. Ajo që ju keni parë ne kemi punuar fort, mjekë infermierë, sanitarë. Unë do të vijoj të jem në krye të detyrës deri në pacientin e fundit me Covid.”

Sa i përket bindjeve të saj, nëse janë ato të majta apo të ndonjë drejtimi tjetër, Najada Çomo tha se ka qenë votuese e Edi Ramës, por shtoi se nuk beson se kryeministri e dinte këtë gjë.

“Nuk kam kartë politike. Kam qenë e çuditur në sensin e mirë për ftesën.”

Ndërsa për sa i përket masave, vitin e fundit që nga nisja e pandemisë në Shqipëri ka pasur një debat të fortë se kush i merr vendimet për masat, Komiteti i Ekspertëve apo qeveria. Pak kohë më parë Tritan Kalo, ish-anëtar i Komitetit të Ekspertëve u shpreh qartë se organi ku bënte pjesë vetëm sugjeronte dhe se vendimet në fund i merrte qeveria. Një gjë të tillë e pranoi sonte edhe Najada Çomo.

“Kjo është një e vërtetë e padiskutueshme. Ne jemi një komitet ekspertësh që ju i njihni si emra, ne këshillojmë në kuptimin vendimmarrës, por vendimmarrja është vendimmarrje nga ekzekutivi. Ka qenë një punë e mundshme e jona. Vendimet ishin tonat, ne ishim një komitet miks. Ekzekutivi është vendimmarrës, ai që vendos, por këshilla që t’i ofron nga ana mjekësore. Ne këshillat ja dërgojmë qeverisë. Ne bëjmë më të mirën për shëndetin e popullatës” tha ajo.

Por cfarë mendon Çomo për deklaratat e forta të Tritan Kalos dhe dorëheqjen e tij? “Falënderoj profesor Kalon si bashkë-udhëtarë, me të cilin kam një marrëdhënie të jashtëzakonshme. Ka qenë i pari që unë i kam thënë. E ka pasur personale dorëheqjen nga Komiteti i Ekspertëve.

Është profesionist shumë i mirë dhe i ndershëm. Ka një kontribut të jashtëzakonshëm në komitetin e Ekspertëve. Ai ka qenë profesori im, dhe konsideratat i kam dyfish. Deklaratat? I kam lexuar të gjitha, është e drejtë e tij të ketë mendimin e tij. Nuk mund të jem zëdhënëse e fjalëve të Tritan Kalos” tha ajo.

Por, cila është përgjigja e Çomos për ata që thonë se e ka lënë punën për përgjysmë dhe deri kur do të qëndrojë në detyrë? “Jam në betejë, nuk e kam lënë betejën përgjysmë. Detyrën do ta mbaj derisa të marr mandatin dhe nuk do të largohem nga puna ime në spital, ajo është puna ime kryesore. Nuk mund të largohem nga puna dhe të them do të merrem me fushatë. Ka konflikt interesi? Jo, do të zbatoj ligjin pikë për pikë”.

Një përgjigje e kishte edhe për akuzat për fshehjen e shifrave të viktimave nga COVID-19. “Nuk ka asnjë manipulim të shifrave, janë reale, askush nuk mund të thotë asnjë një gjysmë fjale lidhur me manipulime shifrash. Bilanci bëhet në fund si e kemi menaxhuar pandeminë” tha ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat