Aleanca e fshehtë e Edi Ramës për 'mandatin e tretë'

Shqipëria

Aleanca e fshehtë e Edi Ramës për 'mandatin e tretë'

Më: 16 mars 2021 Në ora: 10:28
Edi Rama

Ditën e mërkurë të javës së kaluar në 10 mars, ambasadorja e SHBA Yuri Kim shkoi personalisht në Elbasan, qytet ky që njihet si qendër e rëndësishme e krimit të organizuar, nga bëri disa paralajmërime të forta dhe ngriti shqetësimin, se krimi është duke u përfshirë hapur në fushatën elektorale.

Në të njëjtën ditë kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, i cili është renditur i dyti në listën e opozitës së bashkuar për Durrësin, lëshoi një denoncim dhe paralajmërim konkret të fortë. Sipas tij në zonën ku garon, Shijak, gangsterët, bandat dhe njerëzit e krimit kanë dalë hapur në fushatë në krah të Partisë Socialiste. Ai shtoi se po përsëritet e njëjta gjendje si në zgjedhjet e kaluara dhe se është e pamundur, që të garohet në këto kushte. Madje Duka, që deklaron sistematikisht se nuk ka frikë nga asgjë, paralajmëroi se nëse vazhdon kjo situatë, ai nuk ka pse e vazhdon garën.

Në këtë situatë “Syri.net” të nesërmen nëpërmjet një editoriali me titull, “Kush do t’i ndalë shtabet elektorale të nëntokës, që ka ngritur Rama?!”, paralajmërohej se ndërkohë që fushata vazhdon me replika e batuta të ndërsjellta për rakinë e Dashamir Shehit e vezët e Agron Dukës, “niçet” e 2017 dhe ujqërit e krimit që janë shantazhuar me pasurinë nga OFL, kanë dalë në terren për të mbledhur vota për mandatin e tretë të Edi Ramës.

Këto shqetësime u bënë realitet dhe u vërtetuan hapur për të gjithë shqiptarët pak ditë më pas dhe pikërisht në Elbasan, në Ditën e Verës. Sulmin e dhunshme ndaj qytetarëve që thërrisnin “Rama ik” nga ata që shoqëronin kryeministrin në bulevardin e këtij qyteti, shumëkush e konsideroi si incident mes militantësh të dy partive kundërshtare.

Por jo vetëm Elbasani i njeh “çunat problematikë”, të cilët dhunonin qytetarët të cilët shprehnin irritimin e tyre me parulla kundër Ramës. Njihen edhe nga policia, prokuroria, ambasada amerikane dhe media se çfarë përfaqësojnë e madje, edhe se çfarë mbanin brenda çantave të zeza të hedhura krahë-qafë.

Por a ishte thjesht një rastësi ajo skenë, apo një provë e parë e Edi Ramës për ti dhënë një mesazh force opozitarëve?!  

Edi Rama dhe Lulzim Basha u gjendën “çuditërisht” në të njëjtin vend, në të njëjtën kohë në Elbasan.

Pas ngjarjes së rëndë, kryetari i opozitës deklaroi se nuk ishte njoftuar për orën e vizitës së kryeministrit në Elbasan, duke nënkuptuar se po ta dinte do të shkonte në një orar tjetër.

Në kohë fushate policia e ka për detyrë funksionale që të disiplinojë axhendën elektorale të partive kundërshtare, pikërisht për të shmangur incidentet dhe përplasjet e mundshme mes militantëve. Këtë e ka bërë gjithmonë kur kryeministri lëviz, por këtë herë jo.

Rama, i cili e ka ditur që Basha ndërkohë ishte në Elbasan, u shfaq vetëm pas pak dhe pikërisht në të njëjtin vend. Turma e madhe e çunave me emër në Elbasan që e shoqëronin tregon se nuk ishte një vendim i minutave të fundit, por e para planifikuar.

Provokimi u vërtetua shpejt. Thirrjeve të qytetarëve nga trotuaret “Rama ik”, ju kundërvunë me fjalor kërcënues gangsterësh dhe akte fizike. Ishte një grup individësh që policia dhe prokuroria, do ta kishte ëndërr t'i kishte të gjithë njëherësh dhe në të njëjtin vend. Por nuk mund të bënin asgjë siç edhe u vërtetua, pasi i kishte mbledhur vetë kryeministri, i cili siç u pa edhe nga disa filmime ju dha edhe viston për të mësyrë, nëpërmjet lëvizjes së kokës dhe duarve.
Por çfarë përfaqëson ky “shtab elektoral i nëntokës” për Elbasanin, i cili u shfaq publikisht dhe u prezantua nga Edi Rama “Ditën e Verës”? Ja skanimi i shpejtë që ju bëri media, qytetarët e Elbasanit dhe opozita protagonistëve më kryesorë:

- KELMEND YMER XHAFERRI (pseudonimi Kel Çami) ka qenë më parë i dënuar për disa vepra penale dhe i përfshirë në incidentin kundër punonjësve të policisë në Elbasan tek Tregu Ushqimor, duke thyer me forcë postbllokun e policisë.
- NINO, anëtar i krimit të organizuar.
- MARSEL RROKAJ, anëtar i krimit të organizuar dhe djali i Agron Rrokës, drejtori i burgut Elbasan.
- ERIS SKILJA, anëtar i krimit të organizuar.
- NALDI METAJ (i njohur me pseudonimin BABALJA), anëtar i krimit të organizuar.
- GËZIM RUSI, anëtar i krimit të organizuar.
- PJERIN XHUVANI, organizator i laboratorit të kokainës në Xibrakë.

Kujtojmë se gjestikulacioni urdhërues i Edi Ramës për bandën që e shoqëronte në Elbasan, nuk është një gjë e re për atë. Njësoj veproi, edhe në 21 Janar të vitit 2011.

Po duket qartë që ai  po bën një rikthim të skemës së bashkëpunimit me krimin, e përdorur kjo edhe në fushatat e viteve 2013 dhe 2017, pavarësisht nga paralajmërimet e ndërkombëtarëve.

Në skemën e pare, Edi Rama, e futi krimin në parlament dhe i bëri kryetar bashkish. Pa llogaritur katapultimet në administratën shtetërore, e cila u kthye në një çerdhe të të dënuarve jashtë vendit për trafik e vepra të tjera penale.

Gjithashtu një pjesë të krimit, ai e shpërbleu dhe e fuqizoi nëpërmjet tenderave dhe punëve publike.

Për zgjedhjet e vitit 2017 iu dha bonusin e madh, duke e shndërruar Shqipërinë në vitet 2015-2016 në një parajsë të kultivimit dhe trafikimit të kanabisit dhe shndërrimin e vendit në një bazë të ndërkombëtare të kokainës dhe heroinës drejt Europës. Sot ato miliarda e të tjera, po i shohim nëpër PPP e kulla gjigante. Një pjesë të tyre, të zeza a të bardha qofshin, do të shpërndahen për blerje kokë më kokë të votës.

Tani vetëm pak javë përpara zgjedhjeve të 25 prillit, faktet që vijnë nga gjithë Shqipëria tregojnë se tashmë Edi Rama dhe levat e tij nuk e kanë harruar zakonin e vjetër dhe kanë përmbyllur një aleancë të re me krimin e të gjitha llojeve, pavarësisht gjuajtjet me pambuk të ndërkombëtarëve!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat