“Presion në këmbim të votave”, banorët e fshatit Lumas kundër projektit të Bashkisë së Kuçovës

Shqipëria

“Presion në këmbim të votave”, banorët e fshatit Lumas kundër projektit të Bashkisë së Kuçovës

Më: 17 mars 2021 Në ora: 18:39
Lumas

Banorët e fshatit Lumas në Kuçovë janë ngritur sot në protestë, kundër projektit të Bashkisë së Kuçovës për ndërtimin e një ujësjellësi me ujin e burimit të Sinecit, për të furnizuar disa fshatra.

“Ky është një projekt korruptiv për të përvetësuar 5 miliard lekë të projektit. Projekti po nis si presion në këmbim të votave”, janë shprehur disa nga banorët.

Ata shprehen se nuk do të lejojnë askënd që të shfrytëzojë të vetmin burim natyror që ata kanë prej shekujsh,të cilin e përdorin prej vitesh për nevoja familjare,për të vaditur tokat bujqësore dhe për të pirë ujë kafshët.

Sipas banorëve, devijimi i ujit të burimit të Sinecit do të thajë tërësisht tokat bujqësore dhe do ti çojë ata drejt rrënimit.

Banorët e quajnë këtë projekt një “projekt korruptiv” dhe akuzojnë bashkinë dhe pushtetarët se nëpërmjet tij do të përvetësojnë 5 miliard lekët e financuara për të. Banorët shkojnë edhe më tej duke deklaruar se,fillimi i punimeve të projektit ka nisur si “presion” në këmbim të votave.

Banorët deklarojnë se nëse punimet për këtë ujësjellës nuk ndërpriten ata do të përshkallëzojnë protestat,duke bllokuar edhe rrugën nacionale.

“Nëse nuk jepet një zgjidhje do të bllokojmë rrugën. Kjo është një qeveri që kërkon konflikte. Ne nuk duam të jetojmë kështu.  Ne jemi njerëz dhe duhet të jetojmë bashkë, përse duhet të ndahemi kështu. Nëse një fshat me poshtë ka ujë dhe këtu jo… nuk e di përse duhet të veprojnë kështu”, thotë një qytetar,ndërsa shton se ky veprim sipas tij është politike pasi kërkohet vota në prag zgjedhjesh.

Nga ana e saj, Bashkia e Kuçovës deklaron se është menduar që në këtë zonë të ndërtohet një ujësjellës me qëllim furnizimin me ujë të 5 fshatrave të kësaj bashkie, që nuk kanë mjaftueshëm ujë prej vitesh.

Uji i burimit të Sinecit përdoret si ujë komunal për 11 fshatra të komunës së Lumasit dhe me këtë burim vaditen 150 ha tokë bujqësore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat