Vijon 'kryengritja' në Vlorë, Alket Hyseni përplaset me ministren Denaj

Shqipëria

Vijon 'kryengritja' në Vlorë, Alket Hyseni përplaset me ministren Denaj

Më: 18 mars 2021 Në ora: 12:26
Alket Hyseni

Në Vlorë, “lista PS” nuk po gjen kararin e duhur dhe përçarja ka nisur dukshëm ende pa iu drejtuar kutive të votimit. Pas largimit në mënyrë demonstrative të Alket Hysenit, i lënë i fundit e listës së PS-së në Vlorë, situata brenda kampit të mazhorancës nuk është aq rozë sa mundohen ta kamuflojnë.

Në mbledhjen e fundit të Asamblesë Socialiste në këtë qark, ka pasur debate të forta dhe një sherr verbal mes deputetit me ditët e numëruara Alket Hyseni dhe Ministres së Financave Anila Denaj. Pasi folën gjatë për “arritjet” dhe organizimin e partisë, Damian Gjiknuri dhe Anila Denaj, fjalën e ka marrë i fundit Alket Hyseni, i cili për të bërë “diversionin” u ka kërkuar socialistëve që të votojnë numrin 8 në listë, pra vetëm kryeministrin Rama.

Ai më tej ka vijuar për punët e bëra në katër vitet e fundit ku ka qenë deputet vetë, por kjo duket se nuk ka lënë të kënaqur Anila Denajn e cila i është kthyer Hysenit me fjalët: “Mos fol më ti, jam vajzë nga Kuçi unë dhe nuk më njeh mirë”.

Grindjet kanë qenë për potencën e gjithësecilit, ku duket se Hyseni, edhe pse merr pjesë në çdo takim të mundshëm të strukturave të PS-së është hapur kundër Gjiknurit dhe Denajt, por po luan politikisht duke folur me superlativa për Ramën.

Nuk është vetëm një sherr për ndarje influence, pasi edhe vetë socialistët në bazë nuk ndihen të përfaqësuar me individë të cilët janë si “mish i huaj”. Përveç Denajt që është sjellë për të përfaqësuar Sarandën dhe Delvinën është edhe Niko Kuri që nuk gëzojnë mbështetjen e anëtarësisë.

Këtu ka dalë edhe problemi i përfaqësimit në lista. Socialistët në Sarandë, Delvinë dhe Konispol ndihen të tradhtuar nga lista “Gjiknuri-Rama”, pasi ngritën shqetësimin se asnjë prej kandidatëve nuk është nga zona e tyre. Në vitin 2013, PS kishte 3 përfaqësues si kandidatë për deputetë nga Saranda, një nga Konispoli dhe një nga Finiqi.

Gjithashtu edhe në 2017 lista e PS kishte dy përfaqësues nga Saranda, një nga Konispoli, një nga Finiqi dhe një nga Delvina. Tashmë në listën e këtyre zgjedhjeve, PS nuk ka asnjë nga Saranda, Konispoli, Finiqi dhe Delvina. Dhe “vajza nga Kuçi” që në publik tenton të shprehë qetësi, por në terren po e bën “gjoksin gropë” nga mburrja nuk shihet me sy të mirë në dy zona relativisht të madha si në Sarandë dhe Delvinë, të cilat në rang qarku kanë peshë elektorale.

Krahas ndarjes së dukshme në Sarandë dhe Delvinë, situata nuk paraqitet aspak e mirë edhe në qytetin e Vlorës, pas refuzimit të Dritan Lelit për të hequr dorë nga posti i kryebashkiakut dhe të bëhej pjesë e listës mbushëse për deputetë.

Klani i tij dukshëm nuk është angazhuar në fushatë, por “Guruja i Rilindjes” për të kompensuar firot brenda kampit socialist, ka thirrur në ndihmë elementë të lidhur me krimin e organizuar që po përdoren masivisht në fushatën e Vlorës. Në këtë qark po hanë kokat e njëri-tjetrit, pasi në mes ka influenca të forta ekonomike të lidhura kryesisht me tjetërsimin e pronave në bregdet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat