Ministrat evropianë mbështesin Tiranën dhe Shkupin

Shqipëria

Ministrat evropianë mbështesin Tiranën dhe Shkupin

Më: 22 mars 2021 Në ora: 15:19
Foto

Letra publike e nëntë ministrave të Jashtëm evropianë në mbështetje të integrimit të Ballkanit Perendimor ka qenë objekt i diskutimeve në Bruksel nga shefat e diplomacisë nga të 27 shtetet anëtare. Ministrat kryesisht nga shtete ish-komuniste kërkuan që të miratohen kornizat negociatore me Shkupin dhe Tiranën dhe të menjanohet roli i shteteve si Rusia dhe Kina në këtë rajon.

“Unë kam deklaruar në disa raste edhe më parë se ky rajon që është edhe më i afërti për Bashkimin Evropian ka nevojë dhe meriton më tepër vëmendje. Na duhet një debat më gjithëpërfshirës edhe në takimet e ardhshme. Unë do të paraqes një iniciative të përbashkët të nënshkruar nga Bullgaria, Qipro, Greqia, Hungaria dhe Sllovenia për ta ndihmuar Bosnje Hercegovinën për të arritur qëndrueshmëri politike dhe në funksionimin e institucioneve shteterore që janë me rendësi jetike për rrugën e saj evropiane,” tha ministri i Jashtëm i Kroacisë, Gordan Grlic Radman

Ndërsa, ministri i Jashtëm i Rumanisë, Bogdan Aurescu është shprehur me fjalët: “Përsa i përket Ballkanit Perendimor unë dua të nënvizoj atë që kemi shprehur në letrën publike të nënshkruar së bashku me tetë kolegët e tjerë ku i kërkojmë shefit të diplomacisë evropiane Josep Borrell që të mbajmë një debat më strategjik për këtë rajon. Ne duhet të rrisim përfshirjen tonë në shtetet e Ballkanit Perendimor duke rikonfirmuar përkushtimin tonë ndaj procesit të zgjerimit pasi ata duhet të marrin mbështetje në rrugën e reformave.“

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell i ka informuar ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare edhe për rezultatet e vizitës së ndërmjetesit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak në Beograd, Prishtinë dhe Podgoricë. Përpara Këshillit Evropian më 25 dhe 26 Mars, ministrat e Jashtëm evropianë kanë zhvilluar një diskutim edhe mbi gjendjen aktuale të marrëdhënieve BE-Turqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat