Raporte të prishura me Edi Ramën dhe Erion Veliaj? Fatmir Xhafaj i rrëfen të gjitha

Shqipëria

Raporte të prishura me Edi Ramën dhe Erion Veliaj? Fatmir Xhafaj i rrëfen të gjitha

Më: 22 mars 2021 Në ora: 22:08
Fatmir Xhafaj

Ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka folur në News24 dhe për raportin e tij me kryeministrin Edi Rama. Xhafaj tha se ka një njohje të gjatë me zotin Rama dhe se deri në momentin që ka qenë ministër i brendshëm kanë pasur marrëdhënie shumë të afërt, ndërsa tani e konsideroi të shëndetshme.

“Unë nuk jam në politikë për të zënë një qoshe rehati apo për të qenë një numër apo një karton. Jam në politikë për të shërbyer, për të mbrojtur kauza, për të çuar përpara projekte, qëllime, ide që janë në shërbim të vendit dhe natyrisht këto nuk janë beteja të lehta dhe nuk janë pa kosto. Unë besoj se bëj pjesë në rrethin e atyre politikanëve që kanë bërë jo pak beteja gjatë karrierës politike.

Kemi një histori të gjatë njohjeje me zotin Rama. Gjatë kohës që ka qenë ministër kulture, kryetar bashkie, gjatë kohës që ishte i ngritur komisionin hetimor për zotin Rama, në momentin kur shfaqi ambicien për të qenë kryetar partie. Erdhi kryetar dhe unë kam qenë në mbështetje të kandidaturës së tij. Kam bashkëpunuar shumë me të. Zoti Rama shkoi kryeministër i vendit, unë kryetar i komisionit të çështjeve ligjore, dhe i kom të posaçëm për reformën në drejtësi. Ai kryeministër unë Ministër i Brendshëm nga ajo kohë, ai kryetar unë deputet i PS në qarkun e Tiranës. Kemi pasur një marrëdhënie pune shumë të afërt me zotin Rama deri ditën që kam qenë ministër të brendshëm. U largova nga detyra e ministrit me vullnetin tim të lirë. kam bërë një deklaratë publike. Unë jam këtu tani, kemi filluar betejën për mandatin e tretë. Në këto 2 vjet marrëdhëniet tona kanë qenë marrëdhënie midis kryetarit të partisë, kryeministrit dhe një deputeti të PS.


Midis meje dhe zotit Rama ka shumë gjëra që na bashkojnë, si pjesë të PS. Ka dhe gjëra që në moment të caktuara na kanë ndarë. Me zotin Rama kam pasur debate në 2009, 2017, 2019 lidhur me listën e kandidatëve të PS, për emrat, për mënyrën se si mund të trajtoheshin. Është normale. Do ishte absurde nëse do fliste vetëm zoti Rama dhe ne të heshtnim. Nuk është në të mirë të demokracisë së brendshme në parti. Unë bëj pjesë në njerëzit që sa herë ka menduar se duhet ta thotë një gjë, e kam thënë. I ka pëlqyer apo jo zotit Rama ka qenë e parëndësishme dhe kjo nuk e ka ndikuar marrëdhënien tona. Kam pas debate dhe jam bërë ministër më mbrapa. Në 2021 nuk kishte arsye për debat dhe nuk bëra, siç ju thashë nuk kam bërë kurrë debat për ambiciet e mia personale, por për gjëra parimore. Ka qenë një marrëdhënie e shëndetshme në funksion të forcimit të demokracisë së brendshme në PS. Kjo nuk e ka penguar as zotin Rama, as mua”, deklaroi Xhafaj.

Xhafaj gjithashtu theksoi se ka tre vjet që bashkëpunon me Veliajn, duke shtuar se bashkëpunon me kreun bashkiak, për të koordinuar në shumë çështje.

“Ky është vend që jeton me konspiracion. Ky është zhanër në letërsi, kemi marrëdhënie shumë të mirë dhe korrekte. Duke qenë se ai është kryetar bashkie dhe unë deputet, na duhet që të koordinojmë shpesh. Unë jam i kënaqur sesi bashkëpunojmë. Ai ka marrëdhënie shumë të mira pune edhe me kolegët e tjerë. Kemi tre vjet që punojmë bashkë. Ky është ndër proceset elektorale më të mira të organizuara nga ana e Partisë Socialiste. Nuk trajtohesh aspak si dizertor.

Është tentuar që të formohet ekip, në funksion të një ekipi që fiton sa më shumë vota në zgjedhje. Është mbajtur parasysh që të arrihet fitore. Unë kam vlerësimet më të mira për çdo element të PS-së. Besnik Bare, Vasilika Hysi, Musa Ulqini, Ditmir Bushati etj. janë njerëz që do i mungojnë parlamentit. Njerëzit do mbajnë gjatë Servet pëllumbi, zonjën Meksi, Leskaj etj që kanë hyrë me integritet dhe kanë dalë më integritet nga jeta politike shqiptare. Vjen një kohë për konfigurim”, tha Xhafaj.

Fatmir Xhafaj nënvizoi se më datë 25 prill, PS fiton dhe se ai do jetë pjesë e listës fituese në zgjedhje.

“Të jesh socialist, do të thotë të luftosh për kauza sociale, jam krenar që kam punuar me njerëz me vlera të jashtëzakonshme. Socialist nuk të bëjnë, por bëhesh. PS fiton më 25 prill dhe unë jam pjesë e listës fituese në zgjedhje. Sot jemi për të folur për atë që do ndodhë në zgjedhje. Në tetë vjet, PS ka bërë reforma të rëndësishme në vend. Reforma në drejtësi padyshim që është kryereforma. Duhet të jem në parlament, që të çoj deri në fund reformën në drejtësi. PS ka marrë reforma që kanë të bëjnë me zhvillimin urban të Tiranës, e reformat kryesisht janë shtet-formuese”, u shpreh Xhafaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat