Zbulohet SMS/ Fushata zgjedhore nis sot me kufizime, të pranishëm vetëm kandidatët në këmbë!

Shqipëria

Zbulohet SMS/ Fushata zgjedhore nis sot me kufizime, të pranishëm vetëm kandidatët në këmbë!

Më: 25 mars 2021 Në ora: 10:04
Foto ilustrim

Partitë politike kanë ndezur prej kohësh motorët e fushatës për zgjedhjet e 25 prillit, por sot ata do të çelin zyrtarisht fushatën. Masat shtrënguese që u konfirmuan dje nga komiteti teknik i ekspertëve do të ndikojnë në mënyrën se si do të zhvillohet fushata edhe për dy javët në vijim.

Sot, të dy partitë e mëdha kanë vendosur që të çelin fushatën në kryeqytet, në qarkun që prodhon më shumë mandate. Por, ajo që bie në sy është fakti se të dyja forcat e mëdha si, PS-ja dhe PD-ja do të hapin fushatën në të njëjtën orë. Partia Socialiste ka thirrur të gjithë kandidatët e saj në sheshin “Skënderbej” në orën 17:00. Ndërkohë, Partia Demokratike ka thirrur kandidatët e saj që të jenë në orën 17:00 në sheshin “Nënë Tereza” po në kryeqytet vetëm 1 kilometër në vijë të drejtë nga vendi ku edhe Rama do prezantojë kandidatët.

Aktiviteti i prezantimit të kandidatëve nga PD-ja pritet që të hapet nga zëdhënësja e fushatës, Floriana Garo, megjithatë, organizatorët kanë qenë duke diskutuar deri vonë. Ndërkohë, ajo do t’i jap fjalën kryedemokratit Basha që do të bëjë edhe prezantimin e “kuajve” të betejës për zgjedhjet e 25 prillit. Gazeta “Panorama” mëson se PD-ja do të përdorë një skenografi dhe një formë jo të aplikuar më herët për prezantimin e kandidatëve, ndërsa ajo që mësohet është se secili prej tyre do të qëndrojë në këmbë duke ruajtur edhe distancën e imponuar nga COVID-19. Gazeta “Panorama” ka siguruar edhe mesazhin që ka shkuar te kandidatët nga sekretarja e PD-së që kujdeset për grupin parlamentar.

PD-ja këshillon kandidatët që të konsiderojnë temperaturat e ulëta për të vendosur se çfarë veshje do të zgjedhin për evenimentin. “Ju njoftoj se, nesër (sot) zhvillohet aktiviteti i hapjes zyrtare të fushatës elektorale. Aktiviteti do të zhvillohet të sheshi “Nënë Tereza”. Nevojitet prezenca juaj ne orën 16:30, maksimumi 16:45 te sheshi. Konsideroni temperaturat tejet të ulëta në veshjet tuaja”, thuhet në mesazhin që ka mbërritur te kandidatët. Në aktivitet do të marrin pjesë edhe aleatët e vegjël, të cilët janë pjesë e listës së PD-së në zgjedhjet e 25 prillit.

Një tjetër detaj që bie në sy në nisje të fushatës zgjedhore është përzgjedhja e secilës parti për sloganet dhe banderolat. Partia Socialiste e fokuson mesazhin te nevoja që ka për të vijuar punët që ka nisur. Ndërkohë, në qendër të vëmendjes është vetë lideri i PS-së, Edi Rama, dhe jo logoja e partisë. Ndërsa nga ana tjetër, Partia Demokratike ka vendosur në qendër të sloganit të saj Shqipërinë dhe ngjyrat e Partisë Demokratike.

MASAT

Strategjia e fushatës për partitë politike në këto zgjedhje pritet që të jetë ndryshe. Dje, komiteti teknik i ekspertëve konfirmoi masat aktuale edhe për dy javët në vazhdim. Çka të çon deri në gjysmë të fushatës. Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli, deklaroi sot se edhe për dy javët e ardhshme do të mbeten në fuqi masat e tanishme kufizuese ndaj COVID-19. Në mbledhjen e Komitetit, Rakacolli u shpreh se do të vijojë kufizimi i lëvizjeve nga ora 20:00 e mbrëmjes deri në orën 06:00 të mëngjesit, dhe nuk do të lejohen organizimet dhe tubimet me më shumë se 10 persona.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat