Brataj: Nëse nuk respektohen masat mund të kemi një valë të tretë, vaksina kineze e sigurt

Shqipëria

Brataj: Nëse nuk respektohen masat mund të kemi një valë të tretë, vaksina kineze e sigurt

Më: 26 mars 2021 Në ora: 20:58
Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skender Brataj

Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skender Brataj në një intervistë për ABC këtë të premte është shprehur se nëse nuk respektohen masat anti Covid dhe me periudhën e fushatës mund të futemi në një fazë të tretë të infektimeve.

Ndër të tjera në intervistën e tij, Brataj ka theksuar se deri më tani ku janë vaksinuar rreth 59 mijë qytetarë nuk ka shfaqur asnjëri forma të rënda shëndetësore.

Gjithashtu ai ka theksuar se nuk duhet që të bëhet diferencë me vaksinat, pasi procesi do të vijojë me dozat që janë gjendje.

“Është krijuar komiteti i menaxhimit dhe verifikimit të vaksinës dhe ekipet që janë pranë qendrave të vaksinimit janë skedat e raportimit të efekteve anësore dhe ne te 127 dhe 0800 kemi lëne një formular, por deri më tani që janë bërë rreth 59 mijë vaksina ka pasur efekte anësore por jo të formës së rëndë.

Problemi është se dozat e AstraZenecas dhe Pfizerit janë planifikuar dhe për dozën e dytë, në dispozicion do të jenë të katër vaksinat dhe kategoritë nuk zgjidhen me vaksina por sipas planit të vaksinës pavarësisht se çfarë vaksine është gjendja.

Nuk duhet të krijohet diferenca mes përdorimit të vaksinave, pasi e mira është që të bëhet vaksinimi dhe do të kryhen dozat që janë më shumë 1 mln e 200 mijë vaksina kemi nga Covax, 500 mijë nga Pfizer.

Në një periudhë zgjedhjesh dhe nëse nuk respektojmë masat patjetër që mund të kemi dhe një rritje të shifrave dhe një valë të tretë”, ka thënë Brataj.

Brataj gjithashtu në fjalën e tij ka theksuar se në këtë fazë në të cilën ndodhet vendi ynë është e rëndësishme që të bëhen sa më shumë vaksina.

Ndër të tjera ai ka folur për fillimin e procesit të vaksinës kineze në vendin tonë, ku thekson se qytetarët nuk duhet të hezitojnë për të bërë vaksinën pasi efikasiteti i saj është provuar në 22 shtete.

“Përsa i përket efikasitetit ndaj Covid është rreth 78 % . E rëndësishme është që në këtë fazë të pandemisë është që të vaksinohen sa më shumë njerëz për të parandaluar sa më shumë humbjen e jetëve të njerëzve dhe formave të rënda.

Të gjithë vaksinat janë të bazuar në Sars Covid 2 e parë kemi bërë një vit që kemi kaluar nga pandemia dhe vetë vaksina në fund  të dhjetorit ka dalë për njerëzit, ndërsa provat e saj kanë filluar që në vjeshte. Qëllimi i vaksinave po ta marrësh nga ana biologjike është virusi i dobësuar, ndërsa në rastet e tjera kur proteinat e ngjashme dhe si efikasitet është kinezja. Praktikisht katër vaksinat që janë në përdorim janë efikase. Mes tyre dhe vaksina kineze është shumë efikase.

Siguria merret te rezultatet që përdorimi i vaksinës kineze ka dhënë në 22 shtete, ajo ruse në 44 ndërsa dy të tjerat kanë një përdorim më të gjerë. Ne u referohemi rezultateve që vijnë nga Brazili, Indonezia dhe nga vendet e tjera por të gjithë këto shtete që kanë aplikuar kanë dhe të dhënat në lidhje me këtë efikasitet. Nuk ka efekte anësore, dhe nuk ka asnjë rezultat në lidhje me faktin se nëse bën një vaksinë ka dhe humbje jete.

Bota e pasur ekonomia dhe shkenca u drejtuan diku dhe prodhuan një vaksinë. Janë bërë prova ndër vite dhe është dhënë dhe rezultati për këto vaksina dhe kanë rezultuar efikase.  As EMA as FDA nuk japin miratimin pa një certifikatë prodhuesi”, ka thënë Brataj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat