Shqipëri, KQZ e çon në Prokurori për verifikim 28 kandidatë për deputetë

Shqipëria

Shqipëri, KQZ e çon në Prokurori për verifikim 28 kandidatë për deputetë

Më: 26 mars 2021 Në ora: 21:53
Foto ilustrim

Komisioni  Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri ka çuar për verifikim të thelluar në Prokurorinë e Përgjithshme 28 kandidatë për deputetë nga listat e partive politike. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirian Celibashi sqaroi arsyet se përse i është drejtuar  Prokurorisë.

“Fakti që KQZ bazuar në indicie ka filluar një procedurë të hetimit të thelluar nuk presupozon që këta kandidatë klasifikohen të padenjë, një pjesë e madhe prej tyre kanë të dhëna si kam jetuar jashtë shtetit apo kam dënime penale për vepra penale të lehta, por gjithsesi janë indicie të mjaftueshme që organi i prokurorisë të shohë më thellë për ta”.

Me nisjen e fushatës elektorale, Celibashi paralajmëroi partitë politike për penalitetet që i presin në rast të shkeljes së ligjit, sa i përket blerjes së votës si dhe përdorimit të donacioneve të dyshimta, ndërsa u shpreh se emigrantët nuk do të votojnë në 25 Prill.

“Mos përdoren burimet politike për qëllime elektorale, për të refuzuar marrjen pjesë në blerjen e votës dhe ato që vijnë nga aktivitete kriminale, të publikohet çdo lloj donacioni”.

Sakaq KQZ-ja i është drejtuar me një shkresë Kolegjit Zgjedhor për të shqyrtuar me procedurë të përshpejtuar shqyrtimin e ankimimit të bërë nga Partia Socialiste kundër vendimit të KAS-it që la në fuqi listën me 222 kandidatë të koalicionit opozitar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat