‘Kush më tha ta vrisja Gentjan Beqirin’/ Dëshmia e Bardhit që çoi pas hekurave Çapjen

Shqipëria

‘Kush më tha ta vrisja Gentjan Beqirin’/ Dëshmia e Bardhit që çoi pas hekurave Çapjen

Më: 30 mars 2021 Në ora: 15:47
Ilustrim

Urdhrat e arrestimit të Ardjan dhe Florenc Çapjas janë lëshuar nga prokuroria me akuzën e porositjes së vrasjes së Gentian Beqirit në gusht të vitit 2012. Ky i fundit akuzohej se në bashkëpunim me të tjerë kishte ekzekutuar  Sokol Çapjan në dhjetor të vitit 2005 në Elbasan.

Arrestimi i vëllait të madh të Çapajve është bërë pas dëshmisë së dhënë një vit më parë nga i penduari i drejtësisë Ervis Bardhi, i cili ka pranuar se kishte qenë ai që tërhoqi këmbëzën e armës që vrau në gjumë Gentjan Beqirin.

Abcnews ka siguruar dëshminë e  Ervis Bardhit dhënë prokurorëve pasi mori statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, ku ndër të tjera ai shprehet se porosinë për të vrarë Gentjan Beqirin e morën pikërisht nga Ardjan dhe Florenc Çapja.

Prokuroria akuzon Jorgo Lekun si organizator të kësaj vrasjeje pasi kishte marrë porosinë nga Çapajt, me të cilët kishte lidhje familjare nga ana e bashkëshortes.

Ndër të tjera, Ervis Bardhi shprehet se anëtarë të fisit Çapja e kishin ndjekur fillimisht atë gjatë hyrje-daljeve në familjen e Gentjan Beqirit, fakt që nuk provohet nga prokuroria. Më pas ai tregon se një pasdite ishin marrë në makinë nga Klajdi Dokoli dhe bashkë me Olsi Lekun (Jorgo Leku) dhe Etjen Canin ishin dërguar në shtëpinë e Çapajve në dalje të Elbasanit në drejtim të Librazhdit. Ky është momenti që sipas Bardhit kanë marrë porosinë për të vrarë Gentjan Beqirin.

Bardhi dëshmon:

‘…pasi kemi vazhduar rrugën jemi futur te rrugica që të çon te shtëpia e Ardjan dhe Florenc Çapjas. Orën nuk e kujtoj, por di të them që ka qenë arresirë, padite vonë. Kam vënë re se në hyrje të kompleksit po na prisnin Ardiani dhe Florenci. Nuk i njihja këta persona, por Florencin e kisha parë si fytyrë. …Ardjan më tha se duhej të ngjisnim Olsin lartë tek Gentjani duke na thënë si ai duhej vrarë…unë i thashë së Olsin mund ta ngjisë Etjeni. …’.

Po ashtu, në dëshmi Ervis Bardhi shprehet se pasi kryen vrasjen ishin larguar për tek shtepia e një shokut të Olsit në Bradashesh në Elbasan, kurse Olsi ka shkuar të djegë makinën tip ‘Mercedes’ me targa të vjedhura që u përdor për të shkuar te shtëpia e Gentjan Beqirit. Të nesërmen, sipas dëshmisë së tij, Ervis Bardhi ka shkuar në Tiranë dhe ka takuar babain e Olsi Lekut, i cili i ka thënë se i biri ishte në Këlcyrë. Nga Tirana, Ervis Bardhi ka shkuar në Këlcyrë, ku ka ndejtur 3-4 ditë me Olsi Lekun. Në atë kohë ky i fundit i ka thënë sipas Bardhi t se për vrasjen e kryer do të merrnin para.

Vrasja e Gentjan dhe Nezir Beqirit

Gentjan dhe Nezir Beqiri u vranë në 12 gusht të vitit 2012 dhe sipas asaj që Ervis Bardhi deklaron para prokurorëve në statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, krimi është kryer nga ai dhe Olsi Leku. Të dy ata u ngjitën në shtëpinë e Gentjan Beqirit mëngjesin e 12 gushtit pasi nëna e tij kishte dalë të bënte pazarin, ndërsa në shtëpi mund të futeshin vetëm personat e njohur sepse familja i trembej hakmarrjes nga fisi Çapja.

Duke shmangur dy policët që gjendeshin në hyrje të pallatit për shkak të Gentjan Beqiri ishte në arresht shtëpie, Ervis Bardhi dhe Olsi Leku ngjitën në banesën e Gentjan Beqirit ku në sheshpushimin mes katit të katërt dhe të tretë gjejnë Nezir Beqirin, të cilit i kanë thënë se kishin ardhur për të takuar Gentjanin.

Ndërkohë që Olsi Leku vinte pas me Nezir Beqirin, Ervis Bardhi është futur brenda duke nxjerrë armën për të qëlluar në kokë në drejtim të Gentjan Beqirit. Pas plumbit të parë, i cili e ka marrë viktimën në faqe, arma ngec dhe në këtë moment futet në banesë Nezir Beqiri, i cili sheh të gjithë skenën. Në këtë moment ai qëllohet me grushte dhe shkelma nga Olsi Leku duke u shtrirë në tokë. Nga ana tjetër, Ervis Bardhi kishte qëlluar edhe tre herë të tjerë në drejtim të Gentjan Beqirit duke e lënë të vdekur në vend. Ndërkohë, Olsi Leku merr nga dhoma e gjumit një jastëk dhe mbyt me të Nezir Beqirit.

Pas krimit, të dy ata largohen me shpejtësi nga banesa duke bërë që policët e gjendur në hyrje të pallatit të dyshojnë duke u ngjitur menjëherë sipër. Menjëherë policët kanë konstatuar të shtrirë Nezir Beqirin në hyrje të shtëpisë dhe Gentjan Beqirin në dhomen e ndënjes.

Njohja me Gentjan Beqirin dhe vizitat e shpeshta në shtëpi

Ervis Bardhi kishte qendruar disa muaj në burg në vitin 2010 për kanosje me armë në Elbasan. Gjatë kohës që Ervis Bardhi ka qëndruar duke vuajtur dënimin në burgun e Peqinit, aty ka njohur dhe Gentjan Beqirin, pasi qelitë e tyre në sektorin e paraburgimit ishin ngjitur me njëra-tjetrën. Sipas Bardhit, kur ka dalë nga burgu ka vijuar të mbajë kontakte me, Etjen Canin. Bardhi ka treguar në polici se Cani është banor i lagjes ‘Çlirimi’ të qytetit të Elbasanit,  dhe shpesh herë qëndronte në lokalin e L. Skilja dhe mes tyre është krijuar shoqëri, pa pasur parasysh moshën, pasi L. Skilja ishte shumë më i madh në moshë.

Ky i fundit ka pasur njohje me Ardian Metën alias Gentjan Beqiri. Pas daljes nga burgu të Gentian Beqirit, L. Skilja, ka shkuar në banesën e këtij të fundit dhe e ka takuar.

Në një nga këto takime, L. Skilja, ka marrë me vete edhe Etjen Canin. L. Skilja, e ka prezantuar Etjen Canin dhe më pas, ky i fundit ka filluar të shkojë vetë në banesën e Gentjan Beqirit, duke i bërë shoqëri. Me kalimin e kohës, Etjen Cani, ka filluar të shkojë shpesh në banesën e Gentjan Beqirit, me të cilin ai qëndronte për kohë të gjatë dhe kanë lidhur shumë shoqëri midis tyre.

Gjatë kohës që Etjen Cani shkonte te banesa e Gentjan Beqirit, ai merrte me vete dhe një shoqe të tij, duke qëndruar me të në banesë.

Po kështu, Etjen Cani hynte dhe dilte në banesën e Beqirit, pa u shqetësuar nga ana e punonjësve të policisë, të cilët e ruanin jashtë shtëpisë. Disa muaj përpara vrasjes së Gentjan Beqirit, Etjen Cani, gjatë kohës që ka qenë duke pirë kafe me Ervis Bardhin, i ka thënë këtij të fundit që të shkonin së bashku në banesën e Gentjanit, pasi gjatë kohës që Ervis Bardhi, kishte qenë i paraburgosur në IEVP-në Peqin, kishte ndenjur në një nga dhomat ngjitur me dhomën ku qëndronte Gentjan Beqiri, i cili në atë kohë ishte i paraburgosur për shkak se Gjykata e Apelit, kishte kthyer për rigjykim çështjen në ngarkim të tij, ku akuzohej për vrasjen e Sokol Çapjas.

Më pas, Etjen Cani dhe Ervis Bardhi, kanë filluar që të shkojnë shpesh në banesën e Gentjan Beqirit, duke i bërë shoqëri. Në këtë periudhë Ervis Bardhi, jetonte në banesën e bashkëshortes së tij, A. Bardhi dhe gjatë kësaj kohe ai takohej edhe me Olsi Leka alias Jorgo Leku. Me të kishte biseduar edhe në lidhje me takimet që ai kishte me Ardian Meta alias Gentjan Beqiri në banesën e tij, ku i përgjigjej pyetjeve që i bënte herë pas here Olsi Leku. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat