Pandemia shton paratë në banka/ Shqiptarët ulën shpenzimet dhe kursejnë më shumë. Në banka 9 miliardë euro

Shqipëria

Pandemia shton paratë në banka/ Shqiptarët ulën shpenzimet dhe kursejnë më shumë. Në banka 9 miliardë euro

Më: 31 mars 2021 Në ora: 15:23
Foto ilustrim

Kursimet në banka të shqiptarëve kanë ndjekur një trend në rritje edhe gjatë muajit shkurt, duke reflektuar ndikimin e krizës edhe pse me ritme më të ngadalta.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, depozitat bankare në fund të shkurtit arritën në 1.11 trilionë lekë apo rreth 9 miliardë euro, duke shënuar një zgjerim të lehtë në raport me janarin, teksa me bazë vjetore rritja është më e ndjeshme.

Statistikat tregojnë se kursimet u rritën me rreth 73 miliardë lekë apo 600 milionë euro më shumë se shkurti i vitit 2020, ndikuar nga situata e krijuar prej pandemisë.

Kjo tendencë për të kyçur paratë në banka lidhet jo vetëm me pasiguritë e krizës, por edhe me masat kufizuese të ndërmarra nga vendet e huaja çka ka bërë të pamundura udhëtimet jashtë kufijve duke bërë që shqiptarët të kursejnë më shumë.

Referuar të dhënave muajin që lamë pas rritja më e madhe e kursimeve ka ardhur nga ato në valutë që kanë dominuar depozitat duke arritur në  4.8 miliardë euro, teksa depozitat në lekë ashtu si gjatë janarit kanë ndjekur një tendencë në rënie.

Duket se ky raport është përmbysur në krahasim me një vit më parë, ku depozitat bankare që arritën në rekord historik prej 1.12 trilionë lekë u udhëhoqën nga kursimet në lekë.

Rritja më e madhe ashtu si një vit më parë ka ardhur nga depozitat me likuiditet të lartë apo ato pa afat, çka nënkupton se qytetarët kanë zgjedhur këtë mënyrë duke qenë se janë lehtësisht të tërheqshme në çdo moment.

Një tendencë e tillë për të kursyer nuk është konstatuar vetëm në Shqipëri, por edhe në Evropë e në botë, si rrjedhojë e situatës së paqartë që ka shkaktuar koronaviorusi dhe masat kufizuese të aplikuara në shtete të ndryshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat