Piu verë dhe drogë para se të kryente vrasjen/ Rrëfehet i penduari: Ardian Çapja më ofroi 50 mijë euro

Shqipëria

Piu verë dhe drogë para se të kryente vrasjen/ Rrëfehet i penduari: Ardian Çapja më ofroi 50 mijë euro

Më: 31 mars 2021 Në ora: 16:45
Ardian Çapja

Dëshmia e të penduarit të drejtësisë, Ervis Bardhi, çoi në pranga Ardian Çapjan, ndërsa vijon të jetë në kërkim Florenc Çapja.

Në dosjen e Prokurorisë, thuhet se Bardhi ka rrëfyer midis të tjerash edhe për vrasjen e Gentian Beqirit. Sipas tij, për këtë vrasje, Ardian Çapja i ka ofruar 50 mijë euro.

“Ardian Çapja me ofroi 50 mije euro për vrasjen e Gentian Beqirit. Realizimi i vrasjes ishte i vështirë, sepse Beqiri ishte në ruajtje nga Policia, pasi dyshohej për vrasjen e Sokol Çapjas në 2005. Takimet me Ardianin i kam pasur në hotelin e tij”, ka thënë Bardhi në rrëfimin e tij.

Bardhi është njeriu që ka ekzekutuar në 2012 Gentian Beqirin dhe babanë e tij, Nezirin, me urdhër të Çapjave. I penduari ka shpjeguar se vrasjen e kreu me Olsi Lekun, ndërsa Etjen Cani ishte në rolin e ndihmësit. Gentian Beqiri u ekzekutua në shtëpinë e tij në vitin 2012. Në atë periudhë u vra edhe babai i tij, Nezir Beqiri. Ekzekutimi i tyre bëri bujë në atë kohë pasi Gentiani ishte nën arrest shtëpie dhe ruhej nga Policia.

Në dosjen e Prokurorisë thuhet se ditën e krimit, nga banesa ka dalë nëna e Gentian Beqirit dhe bashkëshortja e Nezir Beqirit, Behije Arapi, për të bërë pazar dhe në këtë moment ka konstatuar se dy punonjësit e Policisë në detyrë, që ruanin Gentianin, nuk ndodheshin në vendin e shërbimit. Behije Arapi akuzon dy persona me emër konkret për ngjarjen. Kjo dëshmitare hedh dyshimet e saj se kjo vrasje ka lidhje me vrasjen e shtetasit Sokol Çapja. Behija në deklarimet e dhëna nga ana e saj shpjegon se ka dyshime se personat që kanë ndihmuar autorët për hapjen e derës kanë qenë shtetasit Etjen Cani dhe Lorenc Skilja.

Më datë 19.06.2019, i pandehuri Ervis Bardhi është paraqitur në ambientet e Policisë së Tiranës duke u vetëdorëzuar. Që në momentet e para, i pandehuri Ervis Bardhi ka deklaruar se kërkon të mbrohet nga një avokat i caktuar nga shteti dhe ka deklaruar se kërkon të bashkëpunojë me organet e drejtësisë në lidhje me veprat penale për të cilat është akuzuar.

Pas verifikimit të kushteve të masës së sigurimit, Gjykata e Elbasanit ka lënë në fuqi masën e sigurisë “Arrest në burg”, vendosur më 12.06.2019. Pas marrjes së deklarimit të personit nën hetim, Ervis Bardhit, dhe verifikimeve të thënieve të tij, si dhe dhënien e këtij të pandehuri të cilësisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë, me marrëveshjen e datës 19=8.07.2019 dhe kryerjen e një sërë veprimesh hetimore, rezulton e provuar se i pandehuri Ervis Bardhi është banor i qytetit të Elbasanit. Gjatë viteve 2010-2011 ai ka pasur lidhje dashurie me shtetasen Aurela Bardhi, të cilën aktualisht e ka bashkëshorte dhe nga martesa e tyre ka një fëmijë.

Në vitin 2010 i pandehuri Ervis Bardhi ka pasur një lidhje shoqërore me të pandehurin Etjen Cani dhe gjatë kësaj periudhe kanë ndenjur së bashku në ambiente të ndryshme të qytetit të Elbasanit dhe kryesisht në kafenetë e lagjes së tyre. Njohja mes tyre ka qenë për shkak se ata kanë qenë banorë të së njëjtës lagje, lagjja “Çlirimi” e qytetit të Elbasanit. Më datë 11.09.2010, rreth orëve të para të mëngjesit, i pandehuri Ervis Bardhi është telefonuar nga i pandehuri Etjen Cani dhe janë takuar në kafe. Gjatë bisedës mes tyre, Etjeni i ka paraqitur Ervisit një shqetësim për sa i përket shtetasit Ardit Sula, duke pretenduar se ky shtetas i ka ngacmuar të dashurën.

Nga ana e Etjenit i është dhënë Ervisit numri i telefonit të Arditit dhe Ervisi ka komunikuar me Arditin, duke bërë debat në telefon. Pas këtij debati, personat nën hetim, Ervis Bardhi dhe Etjen Cani kanë marrë një makinë taksi dhe kanë shkuar te vendi ku Arditi punonte si berber, në afërsi të vendit të quajtur “Kryqëzimi i Dinamos”.

Në këtë vend Ervisi dhe Etjeni kanë debatuar me shtetasin Ardit Sula dhe në grindje e sipër, i pandehuri Ervis Bardhi, ka nxjerrë nga brezi një armë pistoletë dhe ka qëlluar në drejtim të shtetasit Ardit Syla, por pa mundur ta dëmtojë atë. Menjëherë, Ervis Bardhi dhe Etjen Cani janë larguar nga vendi i ngjarjes dhe nga ana e Policisë janë kryer veprimet e para në vendin e ngjarjes. Pas shpalljes në kërkim policor, Ervis Bardhi dhe Etjen Cani kanë shkuar në qytetin e Tiranës.

Në Tiranë ata janë takuar me shtetasin Olsi Leka, edhe ky banor i qytetit të Elbasanit, por që gjatë asaj periudhe jetonte herë në qytetin e Tiranës dhe herë në shtetin grek. Etjen Cani me shtetasin Olsi Leka alias Jorgo Leku, kanë lidhje familjare, pasi babai i shtetasit Olsi Leka është martuar me hallën e të pandehurit Etjen Cani.

Pasi Ervis Bardhi dhe Etjen Cani janë takuar me shtetasin Olsi Leka, ky i fundit i ka ndihmuar duke iu gjetur shtëpi me qira dhe duke iu dhënë para me qëllim që ata t’i fshiheshin Policisë, e cila i kërkonte për ngjarjen e datës 12.10.2010. Pasi kanë ndenjur së bashku herë në Tiranë dhe herë në Durrës, nëpër shtëpi të ndryshme, të cilat i gjente Olsi dhe vetë, më datë 02.02.2011, i pandehuri Ervis Bardhi është dorëzuar në Komisariatin e Elbasanit, pasi Gjykata e Elbasanit, më 17.09.2010 kishte vendosur masën e sigurimit “Arrest në burg”. Më datë 11.02.2011, Gjykata e Elbasanit e ka dënuar personin nën hetim Ervis Bardhi me 8 muaj burg për armëmbajtje pa leje. I pandehuri Ervis Bardhi është dërguar në IEVP Peqin, në seksionin e paraburgimit, me qëllim vuajtjen e këtij dënimi. Në dhomat e paraburgimit, i pandehuri Ervis Bardhi ka qëndruar rreth 5 muaj duke përfunduar dënimin e dhënë nga Gjykata e Elbasanit.

Ervis Bardhi jetonte në banesën e bashkëshortes së tij, shtetases Aurela Bardhi, e cila ndodhet në lagjen “28 Nëntori”. Gjatë kësaj kohe, Ervis Bardhi takohej dhe me shtetasin Olsi leka dhe me të ka biseduar në lidhje me takimet që kishte me shtetasin Gentian Beqiri në banesën e tij.

Nga hetimi rezulton se disa kohë përpara ngjarjes, në kohën kur shtetasi Olsi Leka ka qenë duke qëndruar në një lokal në afërsi të banesës së bashkëshortes së të pandehurit Ervis Bardhi, ai ka vënë re një mjet tip “Fuoristradë”, me timon në krahun e kundërt, në të cilin kanë qenë dy persona dhe ky mjet ka kaluar para lokalit ku ai po qëndronte. Në kohen kur Olsi Leka ka shkuar nga lokali për në banesën ku qëndronte Ervisi, ka parë këtë makinë përsëri në rrugicë.

Në momentin kur ka hyrë në oborrin e banesës së bashkëshortes së Ervisit, është takuar me Ervisin dhe i ka thënë se e kishte ndjekur ky mjet. Olsi gjatë bashkëbisedimit me Ervisin i ka thënë këtij të fundit se këta që po na ndjekin mos kanë ndonjë problem me ty dhe mos po na ndjekin pasi ti shkon dhe takohesh me Gentian Beqirin në banesën e tij. Gjatë bisedës, Ervis Bardhi i ka thënë Olsit: “Po me mua çfarë kanë, se as i njoh dhe nuk e di kush janë?”. Në këtë moment Olsi i ka thënë se mund të gjente një mundësi të bisedonte me njerëz të fisit të Çapjave, pasi disa kushërinj të gruas së tij, Enkeledës, i njohin ata dhe mund të sqaroheshin.

Disa kohë pas kësaj ngjarjeje, Ervisi ka filluar të rrallojë takimet me shtetasin Gentian Beqiri. Në rastet kur ka qenë në këto takime ai është takuar me Etjen Vanin, të cilin herë e ka gjetur në banesën e Gentianit dhe herë ka shkuar me të. Disa kohë pas bisedës me shtetasin Olsi Leka, ky i fundit pasi ka marrë një mjet me qira, ka shkuar në banesën ku banonte Ervis Bardhi dhe e ka marrë në mjet.

Pasi kanë dalë nga rrugica, ata kanë shkuar në afërsi të banesë së Etjen Canit dhe e kanë marrë atë në mjet dhe më pas kanë shkuar në afërsi të unazës së qytetit ku kanë marrë në mjet dhe shtetasin Klajdi Dokoli. Të katërt së bashku ata kanë marrë rrugën në unazë dhe në këtë moment Olsi i ka thënë se do të shkonin të takonin disa persona me qëllim sqarimin e problemit. Personi nën hetim, Ervis Bardhi, nuk ka pasur dijeni se kë do të takonin, por ka vënë re se Olsi me mjetin e tij është futur nga unaza në një rrugicë, e cila të çon te banesa e fisit Çapja.

Nga ana e të pandehurit Ervis Bardhi është bërë e mundur që të çonte te shtëpia e Gentianit shtetasin Olsi Leka. Pas takimit të parë që kanë bërë dhe pasi Olsi ka biseduar me Gentianin, Ervis Bardhi dhe Olsi Leka kanë shkuar disa herë në banesën e Gentianit, ku dhe kanë qëndruar në kohë të ndryshme. Gjatë kësaj kohe, kur ata shkonin në banesën e Gentian Beqirit, në disa raste aty ka qenë dhe i pandehuri Etjen Cani. Ervis Bardhi në këto takime nuk ka pasur armë me vete, ndërsa Olsi Leka në disa raste pa pasur armë me vete. Rreth një javë përpara se të kryenin vrasjen e shtetasit Gentian Beqiri, Ervis Bardhi kishte biseduar me shtetasin Olsi Leka në lidhje me Etjenin. Olsi i ka thënë Ervisit që Etjeni do të ruante nënën e Gentianit në momentin kur të dilte nga banesa. Po kështu, nga ana e Olsit ishte biseduar me personat e tjerë organizatorë, që në momentin kur do ta kryenin vrasjen ata të mos ishin në qytetin e Elbasanit. Po kështu, nga biseda që i pandehuri Ervis Bardhi ka bërë me Olsi Lekën, ky i fundit i ka thënë se të gjitha janë llogaritur kur do ta bëjnë vrasjen pasi është marrë informacion kush do të jetë me shërbim te pallati i Gentianit, kush do të ishte në patrullim nga Policia dhe kush do të ishte prokuror i gatshëm. Rreth një javë përpara ngjarjes, Ervis Bardhi, pikërisht më datë 09.08.2012, ka blerë nga shtetasi Erjon Meka një mjet tip “Benz”, me targa DR 6212 D, për shumën 8 mijë euro.

Dy ditë pas blerjes së këtij mjeti, Ervis Bardhi ka vjedhur në qytetin e Tiranës një palë targa italiane në një mjet tip “Opel”, i cili nga verifikimet i përket shtetasit Kujtim A.. Disa ditë përpara ngjarjes, i pandehuri Ervis Bardhi, targat italiane të vjedhura në afërsi të “Myslym Shyrit”, në Tiranë, ia ka vënë mjetit tip “Benz”, të cilin ia kishte blerë shtetasit Erion M..

Një natë para ngjarjes së vrasjes, Ervis Bardhi ka qenë në banesën e marrë me qira prej tyre në rrugën “7 Marsi”, së bashku me shtetasin Olsi Leka dhe nga ana e Olsit i është thënë se të nesërmen në mëngjes do të vrisnin Gentianin, pasi çdo gjë ishte rregulluar. Ditën e ngjarjes, me 15.08.2012, Ervis Bardhi së bashku me Olsi Lekën janë ngritur nga gjumi dhe rreth orës 07:30 kanë dalë nga banesa, kanë hipur në mjetin tip “Benz”, ngjyrë e zezë, në pronësi të Ervis Bardhit, me targa DA 864 EA. Olsi Leka ka hipur në vendin e shoferit, ndërsa Ervis Bardhi ka hipur në vendin e parë të pasagjerit. Pasi janë nisur, ata kanë përshkuar rrugën nga vendi ku e kishin parkuar, në afërsi të banesës, kanë dalë në rrugë në krah të lumit të Zaranikës dhe pasi kanë bërë rrethrrotullimin e luleve janë futur në rrugën që të çon në drejtimin e Bashkisë së qytetit. Olsi Leka ka pasur me vete një sasi lënde narkotike, si dhe dy palë paruke, njëra me ngjyrë të zezë, tjetra e zezë me fije të bardha.

Ervis Bardhi ka zbritur nga mjeti dhe ka shkuar te një kioskë ku ka blerë një shishe verë. Më pas, kanë vazhduar rrugën dhe pasi kanë dalë në afërsi të Bashkisë janë futur në një rrugicë që të çon në afërsi të banesës së Gentian Beqirit. Kur janë afruar në afërsi të banesës së Gentianit, Olsi ka parkuar makinën në anën e rrugës. Pasi kanë parkuar makinën, Olsi ka dalë nga mjeti dhe ka shkuar duke kaluar në rrugicën që të çon te sheshpushimi i pallatit të Gentianit, me qëllim që të shikonte se ku ishin punonjësit e Policisë, si dhe të shihte nëse kishte lëvizur nëna e Gentianit.

Gjatë kësaj kohe, Ervis Bardhi ka ndenjur në mjet dhe ka konsumuar lëndën narkotike dhe shishen e verës. Pas disa kohësh, Olsi është kthyer te mjeti dhe i ka thënë Ervis Bardhit: “Hajde ikim se nëna e Gentianit ka dalë nga shtëpia”. Olsi ka marrë pistoletën, e ka futur në brez dhe të dy kanë vënë paruke në kokë. Të dy së bashku janë larguar nga mjeti dhe kur janë afruar pranë sheshpushimit të pallatit ku banonte Gentiani, Olsi i ka thënë Ervisit: “Mos e vrit mendjen…”. Në këtë moment Ervis Bardhi i ka marrë Olsit pistoletën që mbante në brez duke e futur ai në brez.

Kur janë afruar pranë pallatit ata kanë vënë re se njëri prej punonjësve të Policisë ishte brenda në mjetin e tij tip “Golf”. Në momentin që kanë qenë duke u futur te hyrja e pallatit, ata kanë vënë re se babai i Gentian Beqirit, shtetasi Nezir Beqiri, ka qenë në ballkonin e sheshpushimit mes katit të pestë dhe të katërt.

I pandehuri Ervis Bardhi dhe shtetasi Olsi Leka, kur kanë hipur në katin e tretë kanë hequr parukat dhe i kanë lënë aty dhe më pas janë ngjitur për te shtëpia e Gentianit. Kur kanë kaluar te sheshpushimi mes katit të katërt dhe të pestë ata kanë folur me Nezir Beqirin dhe janë ngjitur për te shtëpia e Gentianit. Kur janë afruat te dera kanë bërë re se ajo ishte e hapur.

Në këtë moment Olsi Leka është kthyer duke zbritur poshtë te sheshpushimi dhe ka marrë babanë e Gentianit duke e ngjitur lart. Sapo janë futur brenda, Ervis Bardhi është drejtuar në drejtim të dhomës së Gentianit ku ka vënë re se ai ishte i shtrirë në një dyshek të vendosur në tokë dhe ishte në gjumë. Ervis Bardhi menjëherë ka nxjerrë nga brezi armën, pistoletë me silenciator dhe ka qëlluar në drejtim të Gentian Beqirit, i cili si pasojë e zhurmës së dëgjuar kur ata kanë hyrë, ishte ngritur në të ndenjura.

Plumbi i parë i shkrepur nga arma që mbahej nga Ervis Bardhi e ka goditur Gentianin në faqe dhe pistoleta ka ngecur. Pas tërheqjes përsëri të këmbëzës, Ervis Bardhi ka qëlluar dhe tri herë të tjera Gentianin në kokë, duke e lënë të vdekur.

Në këtë kohë, kur Ervis Bardhi ka qëlluar në drejtim të viktimës Gentian Beqiri, Olsi Leka ka qenë pas tij së bashku me babanë e Gentianit, Nezir Beqirin, i cili duke parë veprimet e tyre ka filluar t’u thotë: “Çfarë po bëni?” Në këtë kohë Olsi Leka ka qëlluar me grusht në fytyrë shtetasin Nezir Beqiri, i cili ka rënë në tokë. Në kohën që ai ishte në tokë, Olsi ka filluar ta qëllojë me shqelma në gjoks. Pasi e ka qëlluar disa herë, Olsi ka shkuar në dhomën e ndenjes ku ka marrë një jastëk dhe ia ka vendosur shtetasit Nezit Beqiri në kokë, me qëllim që ai të vdiste.

Nga veprimet e Olsit shtetasi Nezir Beqiri ka vdekur dhe në atë moment ata të dy, Ervis Bardhi dhe Olsi Leka kanë dalë nga banesa e shtetasve Gentian e Nezir Beqiri. Kur kanë zbritur në katin e tretë të pallatit, ata kanë marrë parukat dhe pasi i kanë vënë në kokë kanë dalë nga hyrja e pallatit për në drejtim të makinës që e kishin parkuar në rrugicën afër./panorama

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat