Bushati: Rama barazoi shkodranët me punëtorët e Bangladeshit, nuk njeh turp as marre

Shqipëria

Bushati: Rama barazoi shkodranët me punëtorët e Bangladeshit, nuk njeh turp as marre

Më: 31 mars 2021 Në ora: 17:00
Helidon Bushati

Teksa kryeministri Rama hapi “traun” për punëtorët e huaj nga Bangladeshi, Pakistani e India, ka ardhur dhe reagimi i kandidatit për deputet të PD në Shkodër, Helidon Bushati.

Në një postim në facebook, ai shkruan se Rama sot hoqi edhe shenjën e barazisë mes shkodranëve dhe disa punëtorëve nga Bangladeshi që punokan në një fasoneri.

Sipas Bushatit, përparësia e Ramës ka qenë dhe është boshatisja e Shkodrës.

Bushati: Kjo është e vetmja ofertë për shkodranët. Si mund të ketë një person kaq shumë urrejtje dhe vrer ndaj një qyteti dhe populli që nuk e meriton ta ketë kryeministër? Nuk njeh turp, nuk njeh marre!

Gjuha e urrejtjes është gjuhë që nuk i takon Shkodrës. Është gjuhë që shkodranët nuk dinë ta flasin dhe është gjuhë që shkodranëve nuk mund t’ua flasësh. Ai këtë e di, por tanimë këtë nuk ia fsheh as ndërgjegja.

E vuan dhe do ta vuajë deri me 25 Prill injorimin që i kanë bërë shkodranët. Sado të mundohet, ai kurrë nuk mund ta ofendojë një qytet që nuk pajtohet me të keqen. Sepse Shkodra dhe Edi Rama nuk flasin të njëjtën gjuhë. Po ikën ashtu siç erdhi, me urretje, ndasi dhe përbuzje. Sot Shkodrën dhe shkodranët i thërret historia që të jenë Zot në shtëpinë e vet!

Më herët në një tjetër postim, Bushati akuzoi Ramës se ka paralizuar qytetin e Shkodrës për shkak të aktivitetit të tij elektoral.

Bushati: Është e turpshme kjo që po ndodh në Shkodër. Sa herë kryerilindasi në ikje kërkon të vijë në Shkodër, vjen dhunshëm, me aparatin e tij shtetëror që kërkon t’i marrë frymën këtij qyteti. Bllokim rrugësh, forca policore, kontrolle, sirena dhe zhurmë që nuk i shkojnë jetës së këtij qyteti. Nuk mund ta përçudnojnë jetesën e këtij qyteti. Nuk mund t’i intimidojnë qytetarët.

Nuk mund t’i imponohenme dhunë e force Shkodrës së Shumicës. Edi Rama dhe shpura e tij janë shembulli se Regjimi i Frikës ka rënë dhe Shqipëria e Shpresës po bashkohet çdo ditë.Këtë Shkodra nuk e meriton! Jepini fund kësaj marrëzie. Kohës kur Shkodra mbetej pengu juaj i ka ardhur fundi. Përballjes me të vërtetën, me zërin e qytetarit, nuk i ikni dot.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat