Vaksinimi i të moshuarve: Jemi në tension dhe ankth, por shpresojmë vetëm te shkenca

Shqipëria

Vaksinimi i të moshuarve: Jemi në tension dhe ankth, por shpresojmë vetëm te shkenca

Më: 31 mars 2021 Në ora: 17:05
Shqipëri

Rreth 65 mijë të moshuar janë vaksinuar në Shqipëri, ndërsa procesi po vijon në qendrat shëndetësore dhe në pikat e përqendruara të vaksinimit. Të pyetur nga Euronews Albania, një pjesë e tyre thonë se janë në ankth para kryerjes së vaksinës, megjithatë shpresojnë në mbrojtjen ndaj virusit.

“Me datën 30 prill do bësh dozën e dytë të vaksinimit, nëse do kesh dhimbje krahu do pish thjeshtë një paracetamol.”,ju drejtua një të moshuare infermierja.  

Të moshuarit mbi 80 vjeç po iu drejtohen qendrave shëndetësore për tu vaksinuar kundër covid-19 me vaksinën kineze Sinovac.

“Shumë mirë ndjehem, shumë mirë.”

“Nuk kam asnjë shqetësim”, tha një i moshuar pas bërjes së vaksinës.

Mjekët e familjes lajmërojnë për vaksinim jo vetëm të moshuarit në qendrat shëndetësore, por edhe të moshuarit mbi 70 vjeç, të cilët po vaksinohen në qendrat e përqendruara të çdo qyteti.

Një pjesë e të moshuarve thonë se janë në ankth, megjithatë ndërsa presin të vaksinohen ata shpresojnë në mbrojtjen ndaj virusit.

“Ku di unë kam tension, jam shumë në ankth të madh. Kam si frikë nuk e di tani sesi do shkojë”, u shpreh një e moshuar.

“Nuk ka zgjidhje tjetër përveç vaksinës, nuk shpresojmë veçse tek shkenca. E kam kaluar COVID-19, rëndë kam qenë, mbi 20 ditë me temperaturë”, tha një i moshuar.

Deri më tani janë vaksinuar rreth 65 mijë të moshuar në të gjithë Shqipërinë, ndërsa janë kryer rreth 22 mijë vaksinime për arsimtarët dhe 33 mijë vaksinime për personelin shëndetësor dhe stafet mbështetëse.

Pas përfundimit të vaksinimit të të moshuarve mbi 70 vjeç, do të fillojë vaksinimi i vajzave dhe grave që punojnë në fasoneri. Lajmi u bë me dije nga kryeministri Rama gjatë një vizite që zhvilloi në një fasoneri në qytetin e Shkodrës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat