“Vota e paprekshme”, Meta flakë për flakë me mafien ndërkombëtare

Shqipëria

“Vota e paprekshme”, Meta flakë për flakë me mafien ndërkombëtare

Më: 2 prill 2021 Në ora: 00:57
Ilir Meta

“Vota e paprekshme”, Meta paralajmëron mafien ndërkombëtare: Kush do ta marrë Shqipërinë me luftë, luftë do ketë, flakë për flakë

Presidenti Ilir Meta i vendosur për të mbrojtur me çdo kusht votën e lirë të qytetarëve shqiptarë në 25 prill.

Ata që mendojnë për deformim të saj, Meta i paralajmëron se do të kenë 2 milion shqiptarë para Qendrave të Votimit.

Ekipi i Presidentit gjithashtu do të jetë në terren ditën e zgjedhjeve, ndërsa telefonin, thotë Meta, do ta ketë të hapur për ta sinjalizuar për çdo parregullësi.

Meta: Po i paralajmëroj nëse prekin apo dhunojnë votat, se mbi 2 milionë shqiptarë do jenë para qendrave të votimit për të mbrojtur votën. Telefoni i Presidentit do të jetë i hapur për të gjithë shqiptarët. Në 25 prill, ekipi i Presidentit do jetë në terren, në çdo qendër votimi. Askush te mos guxojë të prekë dhe të cënoje një votë se ndeshkimi do jete shembullor dhe spektakolar.

Tentativën për deformim të vullnetit të popullit shqiptar ai e sheh jo vetëm nga aktorët vendas por edhe të jashtëm, ndaj dhe lëshon një paralajmërim të fortë për atë që ai e quan mafia ndërkombëtare.

Meta: Nëse mafia ndërkombëtare kërkon dhe guxon ta marrë me luftë Shqipërinë, atëhere të jenë të qartë: luftë do të ketë dhe me luftë do t’i përgjigjemi, flakë për flakë. Ilir Meta është djalë i një ushtaraku. Për mua detyrë mbi detyrat është mbrojtja e Atdheut.

Meta shkon më tej kur thotë se.

Meta: Ilir Meta nuk pyet për horrat dhe gangesterët, nuk pyet për mafien ndërkombëtare dhe as për diplomatë të korruptuar. Ilir Meta mendon vetëm për Shqipërinë dhe për respektimin e Kushtetutës. Madje edhe sot kam një paralajmërim të prerë për ta, në veçanti për mafien ndërkombëtare, të bëjnë kujdes sepse Shqipëria nuk është një vend eksperimental. Ilir Meta nuk e llogarit fare mafien ndërkombëtare. Mafia ndërkombëtare i ka të regjistruara ne telefonat e saj mesazhet e Presidentit , por dhe ballë për ballë i kam paralajmëruar: Duhet të jenë shumë të kujdesshëm me Shqipërinë dhe me shqiptarët. Shqiptarët janë zot në vendin e tyre dhe Ne, zgjidhjen do e japim vetë.

Deklaratat presidenti Ilir Meta i bëri në emisionin “Log” me Endri Xhafon.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat