Presidenti Meta vlerëson piktorët e shquar me Titullin “Mjeshtër i Madh”

Shqipëria

Presidenti Meta vlerëson piktorët e shquar me Titullin “Mjeshtër i Madh”

Më: 3 prill 2021 Në ora: 15:47
Ilir Meta

Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi me anë të një ceremonie solemne tre piktorë të shquar shqiptarë.

Presidenti Meta i akordoi Titullin “Mjeshtër i Madh” piktorit, Buron Kaceli “Për kontributin e pamohueshëm në jetën artistike dhe kulturore të vendit, si një ndër artistët e rëndësishëm me një krijimtari të bollshme të nivelit mjaft të lartë e me ndikim të rëndësishëm në zhvillimet e artit tonë bashkëkohor”.

Po me Titullin “Mjeshtër i Madh” u dekorua nga Kreu i Shtetit Mustafa Arapi (pas vdekjes). “Në vlerësim të krijimtarisë së shquar me vlera të larta artistike, si një nga piktorët origjinalë në gjininë e kompozimit, grafikës dhe peizazhit. Pedagog, studiues, evidentues dhe restaurues i shquar i monumenteve të kulturës, i të gjitha llojeve të veprave të artit, si: piktura murale, ikona, ikonostase, afreske dhe objekte liturgjike të autorëve të njohur mesjetarë (Onufri, Nikolla, Qiprioti, Zografët, Shpataraku, Çetirët, Anagnosti) dhe autorë të tjerë anonimë. Veprat e tij artistike të kulturës sonë kombëtare në Shqipëri e Kosovë, janë të vlerësuara si në vend, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.”;

Po me të njëjtin titull u dekorua edhe Qamil Prizreni “Për kontributin e veçantë në trajtimin e temave historike kombëtare, në pikturë dhe në filatelinë shqiptare. Një ndër piktorët origjinalë dhe modern, sidomos në gjininë e kompozimit, portretit e peizazhit, për realizimin e tyre me frymë të thellë kombëtare”.

Fjala e plotë e Kreut të Shtetit:

Të nderuar miq dhe të ftuar, të dashur Buron dhe Qamil, të nderuara familje Kaceli, Arapi dhe Prizreni, zonja dhe zotërinj të pranishëm.

Jemi mbledhur për të vlerësuar tre piktorë dhe artistë të spikatur, të cilët kanë dhënë shumë për artin dhe kulturën tonë kombëtare.

Artistët në përgjithësi, kanë qenë për vite me radhë mbrojtësit dhe kultivuesit më të mirë të vlerave tona kombëtare, por edhe pasqyra reflektuese dhe prezantimi ynë më i mirë para gjithë botës.

Tre artistët për të cilët jemi mbledhur në këtë ceremoni solemne, kanë të përbashkëtat dhe veçantitë e veta. Mbi të gjitha, janë piktorë që janë prezantuar me veprat e tyre dhe vlerësuar jo vetëm brenda vendit, por edhe ndërkombëtarisht, duke shpërfaqur vlera të vërteta dhe origjinale të krijimtarisë artistike kombëtare.

Zoti Buron Kaceli, i biri i piktorit të njohur Sadik Kaceli, është aktualisht një ndër artistët e rëndësishëm të vendit tonë, me kontribute jo vetëm si piktor, por mbi të gjitha edhe në organizimin e jetës artistike dhe kulturore të vendit.

Zoti Kaceli, si piktor i njohur dhe i vlerësuar brenda dhe jashtë vendit ka krijuar individualitetin tij artistik, duke bërë që punët e tij të jenë në shumë galeri shtetërore dhe private në vend dhe në botë.

Mustafa Arapi, pedagog, studiues, piktor, grafist, i vlerësuar në shumë vende të botës, por mbi të gjitha ishte një nga restauratorët me të njohur në Shqipëri, i cili dha një kontribut të madh në restaurimin, konservimin dhe studimin e monumenteve të kulturës e pikërisht të veprave të artit që i përkasin trashëgimisë kulturore të vendit dhe të kombit tonë.

Mustafa Arapi restauroi dhe udhëhoqi shumë ekspedita restauruese në disa objekte, si në afresket e kishave bizantine e post bizantine në të gjithë vendin, si dhe një numër të madh ikonash dhe ikonostasesh të autorëve të shquar si: Onufri, Nikolla, Qiprioti, Shpataraku Çetirët, Zografët dhe piktorë të tjerë anonimë shqiptarë.

Vetëm disa muaj më parë, përpara se të ndahej nga ne, kur kishim vendosur ta vlerësonim, Mustafa Arapi restauroi në tërësi kishën ortodokse të ‘Shën Thanasit’ në Karavasta si dhe Katedralen katolike ‘Zonja Ndihmëtare’ në Prizren, vepra këto me vlera të jashtëzakonshme për trashëgimin e kulturës sonë kombëtare.

Zoti Qamil Prizreni është një nga piktorët më të njohur të vendit, i cili ka marrë pjesë për më shumë se gjysmë shekulli në ekspozita kombëtare dhe ndërkombëtare, duke marrë edhe vlerësime nga më të lartat. Veprat e zotit Prizreni janë të njohura për trajtimin e temave historike e kombëtare si në pikturë, ashtu edhe në filatelinë shqiptare.

Duke vlerësuar këta tre mjeshtër shqiptarë të penelit, por edhe shumë artistë të tjerë që i kanë bërë nder vendit dhe kombit tonë, si dhe duke evidentuar e nxjerrë në pah vlerat kulturore dhe të trashëgimisë sonë kombëtare, ne e bëjmë Shqipërinë edhe më dinjitoze përpara botës, si dhe ndihemi përjetësisht krenarë që jemi shqiptarë.

Arti dhe artistët shqiptarë, meritojnë vlerësime dhe falënderime të thella për çdo gjë që bëjnë për lartësimin e kulturës sonë  kombëtare dhe një mbështetje më të madhe nga të gjithë ne për të ardhmen.

Faleminderit!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat