Anëtari i KAS sqaron: Mund të humbin mandatin edhe të parët e listave!

Shqipëria

Anëtari i KAS sqaron: Mund të humbin mandatin edhe të parët e listave!

Më: 6 prill 2021 Në ora: 14:15
Ledio Braho

Kandidatët për deputetë të partive që janë në krye të listës së depozituar nga partitë apo koalicioni përkatës nuk janë të pazëvendësueshëm.

Në përfundim të zgjedhjeve, pasi të jetë bërë përllogaritja e mandateve që merr secila parti, KQZ-ja do të bëjë edhe numërimin e votave parapëlqyese për çdo kandidat. Në bazë të votave parapëlqyese do të bëhet edhe rirenditja e kandidatëve brenda listës fituese të çdo partie.

Ndërkohë, nëse ka kandidat që pavarësisht se është renditur nga partia poshtë listës fituese, por ai thyen herësin, atëherë ai e zëvendëson automatikisht kandidatin që ka marrë më pakë vota preferenciale brenda listës fituese. Avokati dhe njëkohësisht anëtari i Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve në KQZ, Ledio Braho, në një intervistë për gazetën “Panorama.al”, u shpreh se teorikisht nuk ka asnjë kandidat të sigurt në këto zgjedhje. Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, tha Braho, kanë bërë të mundur që edhe ai që është renditur i pari në listë nga partia, nëse nuk merr vota preferenciale, mund të humbasë mandatin.

“Teorikisht asnjë nga kandidatët nuk është i sigurt për të marrë mandat. Të gjithë kandidatët janë në garë për të marrë mandatin pavarësisht faktit se si e ka përcaktuar listën subjekti zgjedhor përkatës. Mund të jetë kandidat i renditur i pari në listë, por merr numrin më të vogël të votave parapëlqyese nga zgjedhësit dhe nëse një kandidat që është në pjesën e poshtme të listës arrin të thyejë herësin, atëherë ai zëvendëson këtë që është rirenditur në fund të listës fituese, pavarësisht se ka qenë renditur i pari në listën e depozituar nga subjekti zgjedhor. Sistemi është i tillë që i lejon kujtdo që ta garojë për një mandat”, tha Braho.

PËRLLOGARITJA E MANDATEVE

Gjatë intervistës Braho ka zbërthyer dy nenet e Kodit Zgjedhor që flasin për përllogaritjen e mandateve fillimisht për subjektet zgjedhore dhe më pas për kandidatët preferencialë. “Gjëja e parë që duhet të kuptohet është herësi. Dhe herësi që del për çdo subjekt zgjedhor është pjesëtimi i numërimit të votave që ka marrë ky subjekt zgjedhor pjesëtuar me numrin e mandateve që ka fituar subjekti, sipas nenit 162 të Kodit Zgjedhor. Ky pra është herësi. Përllogaritja bëhet për çdo qark.

Nuk kemi të bëjmë me të njëjtin herës me çdo qark dhe me çdo subjekt zgjedhor. Herësi, sipas Kodit, nuk duhet të jetë asnjëherë më i madh se 10 mijë në përllogaritjen e votës preferenciale sa u përket kandidatëve. Pas daljes së herësit do të bëhet edhe rirenditja e listës së depozituar nga partitë politike. Nëse lexojmë nenin 163, ky është kuptimi. Rirenditet pjesa fituese e mandateve sipas numrit të votave preferenciale që kanë marrë. Pjesa tjetër që është poshtë pjesës fituese sipas listës së depozituar nga partia vetëm nëse arrin të thyej herësin ngjitet në pjesën fituese, duke ulur ato kandidatë që kanë numrin më të ulët të votave preferenciale”, vijoi Braho.

RASTET PËRJASHTIMORE

Ligjvënësit kanë parashikuar në Kodin Zgjedhor që edhe në rastet kur një burrë arrin të thyejë herësin dhe në fund të listës fituese është një kandidat i gjinisë më pak i përfaqësuar, pra një grua, atëherë kandidati që ka thyer herësin nuk zëvendëson gruan, por një kandidat burrë. Ndërkohë e njëjta gjë nuk ndodh në rastet kur herësin e thyen një kandidate grua. “Kodi është ndalues. Pra gjinia më pak e përfaqësuar nuk mund të zëvendësohet nga gjinia tjetër edhe në rastin e thyerjes së herësit. Pra nëse kemi të bëjmë me një burrë që thyen herësin, atëherë ai mund të zëvendësojë vetëm një burrë që është brenda listës fituese dhe nuk mund të zëvendësojë një grua. Ndërkohë, në rast se është grua kandidatja që thyen herësin, atëherë ajo mund të zëvendësojë ose një grua ose një burrë”, vijoi Ledio Braho.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat