“Kriter për BE”, Basha: 25 prilli, dita për t’u ndarë nga vargonjtë e administratës së korruptuar

Shqipëria

“Kriter për BE”, Basha: 25 prilli, dita për t’u ndarë nga vargonjtë e administratës së korruptuar

Më: 6 prill 2021 Në ora: 15:42
Lulzim Basha

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar një takim me gra në Njësinë 3, në Tiranë, ku ka dëgjuar nga afër shqetësimet e tyre. Basha shoqërohej nga drejtuesja Politike, njëkohësisht edhe kandidate për deputete e Partisë Demokratike në Tiranën, Jorida Tabaku, e cila tha se gratë në këtë zonë kanë problematika shumë të mëdha sepse varfëria është shumë e madhe.

“Unë sot kam takuar shumë zonja pensioniste të cilat kanë probleme reale, problematika reale dhe kemi diskutuar dhe zgjidhjet tona. Unë besoj që në këtë zonë, në mënyrë të veçantë në këtë pjesë të Tiranës, gratë kryefamiljare, nëna, zonjat, mbajnë një peshë shumë të madhe sepse këtu varfëria është shumë e madhe.” -u shpreh Jorida Tabaku.

Gratë adresuan probleme sa i përket mungesës së ndihmës nga shteti për shpenzimet e ilaçeve për kurimin e koronës dhe papunësisë që ekziston tek të rejat pasi kanë përfunduar studimet. “I lutem Zotit, që më fali nga korona që t’ju shoh juve kryeministër. Isha duke vdekur nga e pa ngrëna, po kështu beriqaves u shtrova në spital, me çunin na zuri familjarisht, shpenzuam pak me siklet.

Lulzim Basha: Me siguri, si çdo familje tjetër s’keni marrë asnjë mbështetje apo rimbursimin për ilaçet dhe shpenzimet?


Qytetarja: Jo!” – u shpreh një nga zonjat e pranishme.

“Kam një formim arsimor të themi të kompletuar. Zotëroj 3 diploma deri tani, gjithashtu edhe titullin avokate dhe punësimi në shtet është një farsë. Aplikimet janë absolutisht që nuk merret parasysh, dhe të hapurit të një zyre avokatie më vete, është gjithashtu e pamundur sepse ke taksa pafund për të paguar. Personalisht e gjej veten tek programi politik që sigurisht mbështet Partia Demokratike dhe që ju uroj shumë suksese.” – u shpreh Bejana.

Kreu i opozitës tha se qeveria e ardhshme ka hartuar një plan për rimbursimin e të gjithë familjeve që janë detyruar të hyjnë në borxh për t’u kuruar nga korona.

“Prandaj një nga gjërat që ne do të bëjmë, qeveria jonë do të bëjë dhe ka filluar puna që sot, do të hartojmë një paketë ndihme ekonomike për të gjithë ato familje që kanë shpenzuar qimet e kokës dhe janë futur edhe në borxh për t’u kuruar nga korona. Këta kanë premtuar një rimbursimin modest katër muaj pasi ne paraqitëm një plan të të gjithë shpenzimeve të atyre që janë me korona. Këta me letra kaluan gjoja një farë rimbursimin, që s’është asgjë dhe që e kanë marrë shumë pak njerëz. Ndërkohë që numri i familjeve që kanë shpenzuar miliona për t’u kuruar është shumë i madh. Është një peshë e jashtëzakonshme e shpenzimeve familjare, shumica e familjeve janë zhytur në borxh. Prandaj po ju them që një nga hapat e parë që do të bëjmë është hartimi i një pakete financiare për të dëmshpërblyer financiarisht mijëra familje shqiptare që janë detyruar të futen në borxh për të kuruar të afërmit e tyre të sëmurë nga korona.” – tha Basha.

Ndërsa sa i përket administratës, Basha tha se 25 prilli është dita për t’u ndarë nga vargoj e administratës së korruptuar dhe hapjes rrugë një administrate që t’u shërbej qytetarëve dhe të jetë krenaria e shoqërisë.

“Administrata është degraduar dhe degjeneruar në një pikë të paimagjinueshme. Unë e di që ka shumë në administratë të cilët duan të shërbejnë, por që e gjejnë të pamundur të shërbejnë me këtë kryeministër dhe me këtë qeveri. Atyre ju drejtohem dhe ju them që 25 prilli është dita për t’u ndarë nga vargoj që ju detyrojnë të ulni kokën, që ju detyrojnë të shkelni mbi etikën dhe moralin tuaj, për të mbajtur një vend pune për të mbajtur bukën e fëmijëve. Administrata publike do të jetë krenaria e shoqërisë. Ndaj, të gjithë ata që duan të shërbejnë me dinjitet, që kanë aftësitë, kanë përgatitjen dhe kanë përkushtimin për të zbatuar ligjin dhe për ti shërbyer qytetarëve më 25 prill do të çlirohen duke votuar për Partinë Demokratike. Sikundër dua t’ju them ju personalisht dhe të rejave dhe të rinjve të tjerë që ju më thatë që keni tre diploma. Kam takuar një vajzë që kishte dy diploma dhe rrinte te dera e një dyqani bosh në qendër të Lezhës që Shqipëria nuk e ka luksin t’ju lërë pa punë. Ndaj dhe prioritet i rekrutimit në administratë do të jetë që të sjellim pikërisht bijtë e bijat e shqiptarëve që duan dhe do t’i shërbejnë vendit të tyre dhe qytetarëve të tyre duke zbatuar ligjin. Në këtë mënyrë ne do të arrijmë edhe një kriter për t’u afruar me Europën. Se ju e dini garancia e vetme që të përmirësohet jeta në Shqipëri është të bëhemi anëtarë të Bashkimit Europian dhe një nga kriteret kryesore është të kemi një administratë publike profesionale. Rimbursimin sipas diagnozës është hapi parë që do të hedhim në raport me pacientin shqiptarë. Dhe kjo do të mundësoj që mbi 95% e medikamenteve që marrin të gjithë pacientët duke përfshirë persona me statusin e invaliditetit të mos nxjerrin para nga xhepi por të rimbursohen nga fondet e sigurimeve shëndetësore dhe nga fondet e shtetit shqiptar. Ndërkohë në bashkëpunim me organizatat e personave me aftësi të kufizuara ku përfshihen edhe shoqatat e invalidëve, invalidëve të punës dhe invalidëve të tjerë, kemi hartuar një memorandum bashkëpunimi që do të mundësoj dyfishimin dhe trefishimin madje të fondeve në ndihmë të personave me aftësi të kufizuarave dhe të invalidëve.” -u shpreh Basha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat