Drejtori i hipotekës së Laçit ngriti fermë kanabisi

Shqipëria

Drejtori i hipotekës së Laçit ngriti fermë kanabisi

Më: 9 prill 2021 Në ora: 10:30
Etmond Stojani

Gjatë mëngjesit të sotshëm u publikuan detaje nga ane e policisë për një aksion në Kurbin ku u arrestua një person dhe u shpall në kërkim një tjetër.

Operacioni policor anti-kanabis i koduar “Gjormë 2021” zbuloi brenda një magazine, një ambient të përshtatur si laborator që shërbente për kultivimin e bimëve narkotike, nëpërmjet ngrohjes me llamba.

Gjatë operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Vranicki Hisku, 24 vjeç, banues në Katund i Ri, Kurbin, si dhe është shpallur në kërkim shtetasi Etmond Stojani, 41 vjeç, banues në Kurbin.

Ndërkohë që burimet nga policia e Kurbinit bëjnë të ditur se 41 vjaçari i shpallur ne kërkim është drejtori i Hipotekes në Kurbin.

Eshte sekuestruar edhe një armë zjarri pushkë me dylbi të montuar dhe pajisje të ndryshme elektrike që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike.

Ja njoftimi i policisë:

Kurbin

Goditet një tjetër rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike. 

Finalizohet me sukses nga Komisariati i Policisë Kurbin, operacioni policor antikanabis i koduar "Gjormë 2021".

Policia zbulon brenda një magazine, një ambient të përshtatur si laborator që shërbente për kultivimin e bimëve narkotike, nëpërmjet ngrohjes me llamba.

Sekuestrohen një armë zjarri pushkë me dylbi të montuar dhe pajisje të ndryshme elektrike që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike. 

Vihet në pranga 1 shtetas, shpallet në kërkim 1 tjetër. 

Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, në vijim të kontrolleve të pandërprera dhe  punës për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, pas informacioneve të siguruara në rrugë policore, u bë i mundur finalizimi me sukses i operacionit antikanabis të koduar “Gjormë 2021”.  

Gjatë operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit V. H., 24 vjeç, banues në Katund i Ri, Kurbin, si dhe është shpallur në kërkim shtetasi E. S., 41 vjeç, banues në Kurbin.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në fshatin Fushë Gjormë, Kurbin, kishin përshtatur katin e dytë të një magazine të marrë me qira, me aparatura që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike. 

Gjatë kontrollit të ambientit u gjetën dhe u sekuestruan 205 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa të kultivuara në vazo.

Gjithashtu, gjatë kontrollit, në ndërtesë u konstatua  një lidhje e paligjshme e energjisë elektrike, e cila shërbente për furnizimin me energji të pajisjeve si llamba, aspirator, filtra ajrimi etj, që ndihmonin në kultivimin dhe rritjen e bimëve narkotike.

Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan të gjitha pajisjet që kanë shërbyer për kultivimin e bimëve narkotike, si: pajisje elektrike, llamba elektrike termale, bidonë me lëndë ushqyese për bimët narkotike.

Po gjatë operacionit, në banesën e shtetasit V. H. është gjetur dhe sekuestruar dhe një armë  zjarri pushkë me dylbi të montuar.

Materialet për veprime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, "Armëmbajtja pa leje" dhe “Vjedhja e energjisë elektrike".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat