Urdhri i ministres Balluku pas situatës në Rinas

Shqipëria

Urdhri i ministres Balluku pas situatës në Rinas

Më: 9 prill 2021 Në ora: 17:13
Belinda Balluku

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka ndryshuar procedurat për certifikimin e punonjësve që do të vijnë për të punuar si kontrollorë të trafikut ajror në Rinas por që vendin e operimit të tyre e kanë jashtë Shqipërisë.

Urdhri i Ministres Belinda Balluku, i botuar në Fletoren Zyrtare, i hap rrugë operimit të kontrollorëve të huaj, në pamundësi të personelit rezervë të licencuar vendas për të zëvendësuar punonjësit që ndërprenë punën.

Dokumenti i botuar në Fletoren Zyrtare përcakton se për kontrollorët e trafikut ajror që operojnë jashtë Shqipërisë do të njihet menjëherë licenca e tyre, nëse është i lëshuar nga një vend anëtar i Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO), në përputhje me aneksin 1 të Konventës së Çikagos.

URDHRI I PLOTE I BOTUAR NE FLETOREN ZYRTARE

URDHËR Nr. 178, datë 8.4.2021 PËR ZBATIMIN E URDHRIT TË MINISTRIT NR. 91, DATË 21.2.2019, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES PËR PËRCAKTIMIN E KËRKESAVE TEKNIKE DHE PROCEDURAVE ADMINISTRATIVE, NË LIDHJE ME LICENCAT DHE CERTIFIKATAT E KONTROLLORËVE TË TRAFIKUT AJROR

”Në mbështetje të nenit 102, pika 4, të Kushtetutës, nenit 7, pika 2, shkronja “ç” dhe nenit 27 të ligjit nr. 96/2020, “Kodi Ajror i Republikës së Shqipërisë”, dhe në zbatim të vendimit nr. 1, datë 7.4.2021, të Komitetit të Mbrojtjes Civile.

URDHËROJ:

Përjashtimisht për situatën emergjente të krijuar në shërbimet e lundrimit ajror, në kushtet e mungesës së personelit rezervë të licencuar për ofrimin e këtij shërbimi, deri në një urdhër të dytë, pika 4, e nenit 2, të urdhrit të ministrit nr. 91, datë 21.2.2019, “Për miratimin e rregullores për përcaktimin e kërkesave teknike dhe të procedurave administrative, në lidhje me licencat dhe certifikatat e kontrollorëve të trafikut ajror”, ndryshohet si më poshtë:

-Për kontrollorët e trafikut ajror, që synojnë të ofrojnë shërbime të trafikut ajror në hapësirën ajrore të Republikës së Shqipërisë, pranë ofruesit të shërbimit të lundrimit ajror të Republikës së Shqipërisë, por që vendi kryesor i operimit dhe zyra e tyre e regjistrimit (nëse kanë), ndodhet jashtë territorit ku aplikohet kjo rregullore (ose ekuivalentja e saj në BE), do të njihet licenca e tyre, kur ata mbajnë një licencë të kontrollorit të trafikut ajror të lëshuar nga një vend anëtar i Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO), në përputhje me aneksin 1 të Konventës së Çikagos.

Me njohjen e licencës, këta kontrollorë konsiderohen të licencuar, në përputhje me paragrafin 1 të kësaj rregulloreje.

Detyrat dhe funksionet e caktuara për kontrollorët e trafikut ajror të referuar në nënparagrafin e parë nuk do të tejkalojnë privilegjet e licencës së lëshuar nga vendi i tretë, jashtë ZPEA-së, sipas përcaktimeve të marrëveshjes shumëpalëshe.

– Autoriteti i Aviacionit Civil të realizojë njohjen e licencave, sipas aneksit 1 të Konventës së Çikagos,.

– Ngarkohet Autoriteti i Aviacionit Civil për ndjekjen e zbatimit të këtij urdhri. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në Fletoren Zyrtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat