Batoni në versionin “Rama përmes kasandrave”

Shqipëria

Batoni në versionin “Rama përmes kasandrave”

Nga: Ermal Mulosmani Më: 10 prill 2021 Në ora: 16:42
Baton Haxhiu dhe Edi Rama

Portali i z. Baton Haxhiu kishte gdhëndur në shkronja krejt qëndrimet e tij tashmë të njohura për Kryeministrin në një editorial të sotëm. Megjithëse në fund të shkrimit nuk kishte autor, koherenca e mendimeve  dhe stili i shkrimit nuk linte arsye për ngatërresë.  Prej vitesh të tëra z. Haxhiu nuk resht së foluri për keqkuptimin e madh mes shijes së lartë, vizionit modern të Kryeministrit Rama për Shqipërinë e bukur nga njëra anë dhe injorancës, barbarisë, llumit, pashijes, dumdumit popullor të opozitës në përgjithësi dhe sidomos udhëheqësve të saj dritëshkurtër e mendjevegjël.

Mirëpo sot kishte kaluar në një përpjekje më të mundimshme për ndërgjegjësimin popullor; i bindur se udhëheqës të tillë vijnë një herë në një shekull,  ose edhe më pak, editoriali rrekte të na bindte se për të tillë njerëz nuk duhej të kishte kufizime kohore!  Nga kjo pikëpamje, zgjedhjet i pashë si një telash popullor, si një pengesë e pakuptimtë që mundet të ndikojë në mbetjen në vend të vizionit urbanistik të Shqipërisë. Kaq shumë e kishte tepruar në himnin e tij sa, dëshpërimisht, më rezonoi me  idetë novatore të Fahri Balliut të shprehura në librin e tij monumental “Berisha përmes kasandrave”!

Eleminimi i kufizimeve kohore per “titanë” të tillë të estetikës, urbanistikës,dhe mendimit e çon në tjetër nivel diskursin prokryeministror. Kam përshtypjen që edhe vetë autori e kishte kuptuar teprinë pasi dy herë i referohej vetes në shumës, pra “Ne mendojmë”, “Ne besojmë” jo “unë mendoj” apo “unë besoj”. E mirëkuptova për këtë shmangie të njëjësit.

Për të ndihmuar pak shkronjat, autori kishte zgjedhur një foto jashtëzakonisht teknologjike: Kryeministri që kuvendonte me një robot! Në sfond kishte gradaçela moderne, imazhe futuriste dhe…. asnjë njeri për be! Njerëzit pengojnë. Ishte një bashkëbisedim me vizionin e tij, një iluzion, një brengë për të ardhmen, një metaforë për rrugën që duhej të ndjekin shqiptarët….

Përkundër kësaj frike se mos shqiptarët rrëshqasin në humnerë, sondazhet e Albaniapost e nxjerrin fitues me 80 mandate Ramën, me shifra krejt spektakolare, në çdo qark, në çdo komunë. Kam parë aty shifra ku Farka, Kashari, Rrogozhina e Kavaja do të votojnë 80-90% për Partinë Socialiste. Atëherë përse kjo frikë se mos nuk sendërtohet vizioni ramist i Shqipërisë?

Z. Haxhiu ka qenë publikisht i njohur si një njeri pranë Kryeministrit dhe një avokat personal në kauzat më të debatueshme që e shoqëruan mandatin e tij 8 vjeçar. Nga kjo pikëpamje, qëndrimi i tij “pro” nuk habit askënd; ajo që më habiti ishte pamundësia e tij për të dalë nga mendësia e dishepullit. Pozicionimi i një figure qendrore në debatin publik, siç është z. Haxhiu, duhej të ishte më i paanshëm, më i përmbajtur, më i ekuilibruar. Kryeministri Rama nuk është Mesia i shqiptarëve edhe pse Batonit i duket i tillë.

Në rezultanten vektoriale të bilancit qeveritar, drejtimi i vektorit estetik ka rëndësinë e vet por është dukshëm poshtë shumë të tjerëve. Njerëzit kanë ardhur në jetë për një periudhë të caktuar kohore dhe nuk mundet të vuajnë elementet bazikë të jetës për të gëzuar sheshet e qyteteve, grataçelat, aeroportet moderne apo lungomaret. Urbanizimi i Shqipërisë ndikon shumë në jetën e qytetarëve por nuk është prioriteti kryesor i jetës së tyre. Ata së pari duan të punojnë , të ngjallin shpresën e jetës në këtë vend, duan të rrisin fëmijët këtu.  Ekonomia është problemi kryesor, investimet e huaja, mirëpërdorimi i taksave. Shqipëria është vend i vogël, i varfër e i pazhvilluar. Prioritetet ekonomike nuk mundet të vendosen sipas shijes kryeministrore sado e lartë dhe e sofistikuar të jetë ajo. Sipas të tilla shijeve mund të ndërtohet shtëpia e tij për sa kohë ndërtohet me të ardhurat e tij personale.

Njerëzit kanë mirëkuptim kur qeveritë e tyre përpiqen por nuk kanë mundësi. Kanë mirëkuptim dhe e falin varfërinë kur paratë e taksave të tyre mirëadministrohen. Ajo që ata kurrë nuk falin është arroganca, përçmimi dhe shpërdorimi flagrant i pasurisë publike. Nëse ka një llavë të fjetur në shpirtin e këtyre njerëzve është vjedhja haptas, loja me varfërinë e tyre.

Dhe atë nuk e nxjerrin në sondazhet.

Arroganca e shpërdorimit të parave publike në koncensionet e shëndetësisë, aferat e plehrave, të Aeroportit të Rinasit; shpërdorimet e tenderave publikë që në shumicë fitohen me çmime limit e me vlera të jashtëzakonshme për varfërinë tonë shihen si të parëndësishme në shkrimin e Batonit. As skandalet financiare të përmasave të jashtëzakonshme si ai i Becchetit apo tenderi i Unazës së Tiranës nuk përmendeshin. As shtrembërimi i votës popullore përmes bashkëpunimit të qeveritarëve me element të krimit të organizuar. Nuk mund të shkatërrosh Teatrin në kohë pandemie kur emergjenca janë jetët e njerëzve. Edhe sikur të nisesh nga bindja se po bën mirë. Teatri i ri kushton shumë dhe është joekonomike të shpenzosh shuma të tilla në kohë vdekjesh…

Të lartpërmendurat ndoshta mund të gjykohen si efekte anësore në rrugën e Shqipërisë drejt të bukurës. Ndoshta Batoni mendon se shqiptarët duhet ta paguajnë atë çmim për të udhëtuar me robotin imagjinar, të vetmin bashkëbisedues të Kryeministrit në udhëtimin e vet hapsinor. Por, të paktën duhej t’i përmendte gjërat që u bënë baltë në këtë qeverisje. Vetëm një bilanc i tillë do t’i jepte të drejtë të na rekomandonte bashkimin tonë drejt vullnetit hyjnor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat