VOA: Dyshime për falsifikim votash, LSI e mohon

Shqipëria

VOA: Dyshime për falsifikim votash, LSI e mohon

Më: 10 prill 2021 Në ora: 17:07
Shqipëri

Policia e Pukës tha se arrestoi një shtetas me inicialet V. Sh., 45 vjeç, që sipas saj i ishin gjetur gjatë kontrollit të automjetit 528.000 lekë, për të cilat nuk justifikonte burimin, si dhe një fletë, të ngjashme me formatin e fletës së votimit.

Policia tha gjithashtu se nga kontrolli në biznesin e shtetasit D.S. gjeti dhe sekuestroi një tjetër fletë të ngjashme me fletën e votimit, si dhe një listë me emrat e 27 personave dhe numrat e identifikimit.

Policia e Pukës ka proceduar penalisht në gjendje të lirë edhe drejtuesin vendor të LSI-së në këtë bashki.

Sipas policisë, të tre këta persona hartonin lista me të dhënat e kartave të identitetit, duke u premtuar qytetarëve para në këmbim të votës. Të tre shtetasit akuzohen për veprat penale “Falsifikimi i materialit zgjedhor dhe i rezultateve të zgjedhjeve” dhe “Korrupsion aktiv në zgjedhje, kryer në bashkëpunim".

Në lidhje me ngjarjen reagoi dega e LSI-së e Qarkut Shkodër, e cila, përmes një deklarate për mediat, shprehet se marrja nën hetim e aktivistëve të kësaj partie nga policia “tregon politizimin e tejskajshëm të policisë së Rilindjes”.

Sipas LSI-së, fletet e votimit, të gjetura nga policia, janë demonstrative dhe jo origjinale pasi ato ende nuk janë prodhuar dhe se “materialet e sekuestruara nga policia po përdoreshin nga aktivistët e saj për të bërë ushtrime zgjedhore, në zbatim të praktikave dhe orientimeve të Komisionit Qëndror të zgjedhjeve për mënyrën e votimit”.

“Është skandaloze dhe e turpshme, thuhet në deklaratën e LSI së Qarkut Shkodër, të dërgosh për ndjekje penale aktivistë politikë, të cilët duan të bëjnë të njohur mënyrën e votimit, aq më shumë që është një skemë e re, e papërdorur më parë”./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat