VOA: Gjykata e Tiranës, jep masën e arrestit për 3 kontrollorë ajrorë

Shqipëria

VOA: Gjykata e Tiranës, jep masën e arrestit për 3 kontrollorë ajrorë

Më: 10 prill 2021 Në ora: 19:56
Shqiperi, aeroporti "Nene Tereza"

Në Shqipëri, Gjykata e Tiranës vendosi sot masën e arrestit me burg për dy kontrollorët ajrorë Armando Fezga dhe Muhin Mezini, dhe arrest shtëpie për kontrolloren Flora Ndreca.

Tre ditë më parë, ata u ndaluan pas hetimit të nisur nga prokuroria mbi bllokimin e aktivitetit në aeroportin “Nënë Tereza”, pasi kontrollorët në bllok deklaruan paaftësinë e tyre për të kryer detyrën. Prej kohësh, ata kundërshtonin një vendim të vitit të kaluar të kompanisë Albcontrol, për thuajse përgjysmimin e të ardhurave të tyre mujore, si pasojë e rënies së fluksit të punës nga situata e pandemisë.

Tre kontrollët e arrestuar akuzohen për shpërdorim detyre në bashkëpunim, pasi sipas hetimeve kanë “ndikuar te vartësit e tyre, për të plotësuar formularin e paaftësisë së përkohshme për punë me qëllim shmangien nga detyrimi ligjor për të ushtruar detyrën”.

Avokati i tyre Rezart Kthupi ironizoi vendimin e Gjykatës duke u shprehur se “sot është një ditë e gëzuar. U dënuan me burg puçistët dhe pengmarrësit e aeroportit të Rinasit”, tha ai duke shtuar se ndjehej moralisht i dërrmuar nga kjo situatë.

Sipas autoriteteve, një pjesë e mirë e kontrollorëve janë rikthyer në punë, ndërkohë që për zhbllokimin e gjendjes së krijuar, u thirrën dhe grupe kontrollorësh turq dhe grekë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat