Padia kolektive, një nismë që iu jep zë konsumatorëve/ Drafti bën bashkë 73 organizata të shoqërisë civile

Shqipëria

Padia kolektive, një nismë që iu jep zë konsumatorëve/ Drafti bën bashkë 73 organizata të shoqërisë civile

Më: 11 prill 2021 Në ora: 16:52
Foto ilustrim

Bazuar në parimin Bashkimi bën fuqinë, një draft ligjor ka bërë bashkë 73 organizata të shoqërisë civile, të cilat kërkojnë miratimin e një nisme që do t’iu jepte mundësi qytetarëve të padisin në grup kompanitë e mëdha, sa herë të drejtat e tyre shkelen.

Të gjithë jemi përballur me kompani të fuqishme që ofrojnë shërbime telefonike, interneti, bankare dhe shpesh jemi ndjerë të pafuqishëm për të vepruar, sa herë kemi parë se ndaj nesh janë bërë padrejtësi.

Në jo pak raste produktet ushqimore, të cilat kemi konsumuar, kanë qenë larg atyre që janë reklamuar dhe për këtë jemi ankuar në rrjetet sociale, por pa mundur të ndryshojmë gjë.

Shpesh kemi dëgjuar për raste, kur punëdhënësit i kanë detyruar punëmarrësit të punojnë për orë të gjata të papaguar, por ata nuk kanë pasur kurajën ta ngrenë këtë çështje ligjërisht.

Në ambientet ku jetojmë, kemi parë se si prona e përbashkët është shkatërruar apo mjedisi rreth nesh ka degraduar dhe kemi menduar se e kemi të pamundur të kërkojmë shpërblimin e dëmit që kemi pësuar.

Një projektligj i iniciuar nga Qendra për Nisma Ligjore dhe Qytetare, zyra ligjore CR Partners dhe Qendra Mjedisore për Zhvillim, Edukim dhe Rrjetëzim, EDEN, i mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, ka si synim t`iu japë qytetarëve një mjet më tepër për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e tyre.

Projektligji Për paditë kolektive, që i është propozuar Kuvendit për të ndërmarrë nismën ligjvënëse, kërkon pikërisht të forcojë zërin e qytetarëve dhe të lehtësojë aksesin e tyre në sistemin e drejtësisë, për të parandaluar dhe ndëshkuar shkeljet dhe cenimet e paligjshme të të drejtave civile të konsumatorëve dhe të punëmarrësve. Në thelb, ky projektligj i mundëson personave të dëmtuar të kompensohen në rastet e dëmeve kolektive, të shkaktuara si pasojë e këtyre shkeljeve.

Sipas Kushtetutës, të drejtën për të propozuar ligje përveç Këshillit të Ministrave dhe 20,000 zgjedhësve e ka edhe çdo deputet apo grup deputetësh i Kuvendit të Shqipërisë.

Nisma kërkon që të përfshijë në legjislacionin shqiptar padinë kolektive, e cila mund të përdoret nga qytetarët në rastet e shkeljes së të drejtave të tyre. Në të parashikohet dhe dëmshpërblimi kolektiv, duke iu dhënë mundësinë të gjithë atyre, konsumatorë dhe punëmarrës, që janë prekur nga një procedurë e paligjshme, të kenë të drejtën për t`u kompensuar.

Shqipëria është një vend, i cili aktualisht nuk e ka si instrument ligjor padinë kolektive, duke i detyruar individët e prekur nga një paligjshmëri të shkojnë të vetëm përballë gjykatës.

Kjo praktikë në shumë raste ka rezultuar penguese në marrjen e drejtësisë, aq më tepër në rastet kur qytetarët kanë përballë tregtarë dhe punëdhënës të fuqishëm financiarisht.

Proceset gjyqësore janë të ndërlikuara, zgjasin në kohë dhe po kështu kërkojnë shpenzime financiare, elemente këto që i stepin akoma më shumë qytetarët që të përdorin sistemin e drejtësisë, kur dëmi dhe dëmshpërblimi i pritur nuk është i madh.

E gjitha kjo sjell mungesë përgjegjësie nga tregtar që ofrojnë mallra dhe shërbime, duke neglizhuar dhe shpesh abuzuar marrëdhëniet e tyre me konsumatorët apo punëmarrësit.

Avokati Alban Çaushi, i cili është dhe hartues i projektligjit, shprehet se, padia kolektive si mekanizëm procedural do të inkurajojë konsumatorët që kanë pësuar dëme nga konsumimi i produkteve apo shërbimeve të ofruara nga tregtarët të ndërmarrin veprime konkrete për të kërkuar në rrugë gjyqësore shpërblimin e dëmit të pësuar.

“Praktika ka treguar se në rastet kur vlera e dëmeve të pësuara është e vogël, konsumatorët nuk marrin iniciativa për të kërkuar në rrugë gjyqësore shpërblimin e dëmit, kjo për arsye se kostot e procesit gjyqësor janë disa herë më të larta se vlera e dëmit që mund të përftohet, fakt i cili dekurajon subjektin e dëmtuar të ndërmarrë një iniciativë të tillë”, – thekson ai.

Çaushi shpjegon se konsumatori nuk ka nevojë të njohë se cilët janë konsumatorë e tjerë të prekur dhe që kanë pësuar një dëm. Mjafton që individi i prekur t`i drejtohet një OJF-je, e cila mund të administrojë tërësinë e procesit për inicimin e një padie kolektive.

Është e kuptueshme që pasja e një mekanizmi të tillë ligjor, do të detyrojë tregtarët të jenë më të dedikuara ndaj cilësisë së produkteve apo shërbimeve të tyre, ruajtjes së mjedisit dhe marrëdhënieve me konsumatorë apo punëmarrësit.

Një nga përparësitë e mëdha që do të sjellë përfshirja e padive kolektive në legjislacionin shqiptar, është krijimi i një mekanizmi të ri ligjor, që pritet të ketë një efekt parandalues për sa i përket abuzimeve të tilla ndaj konsumatorëve.

Ndërkaq, në shumë vende të zhvilluara të botës, duke nisur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Holanda, Italia, Spanja e Sllovenia, të drejtat e konsumatorëve dhe punëmarrësve për t`u mbrojtur nga praktika tregtare të dëmshme ka vite që zbatohen.

Nevoja për mekanizma të tillë ligjorë, që i japin më shumë zë qytetarëve ndaj fuqisë së kompanive, gjithmonë e në rritje, bëri që në nëntor të vitit 2020 Parlamenti Europian të miratojë një direktive për paditë kolektive, duke iu kërkuar vendeve anëtare të Bashkimit Europian që brenda një periudhe dyvjeçare ta implementojnë këtë nismë në legjislacionet e tyre.

Profesoresha Aurela Anastasi, eksperte pranë Qendrës për Nisma Ligjore Qytetare, thekson se ky projektligj është hartuar në frymën e kësaj direktive dhe po kështu referuar vendeve ku nisma të ngjashme implementohen me sukses.

“Miratimi i këtij projektligji do të sillte dobi për mbrojtjen e të drejtave të shtetasve dhe grupeve të tyre. Ai do të lehtësonte aksesin e tyre në gjykatë për të kërkuar ndalimin e shkeljeve dhe cenimeve të paligjshme të të drejtave në fushën e industrisë, telekomunikacionit, tregtisë, shërbimeve, si dhe kompensimin e qytetarëve për dëmin e pësuar nga këto shkelje”, – thekson Anastasi.

Sipas saj, miratimi i kësaj nisme do të sillte dobi edhe në ekonominë gjyqësore, si dhe në efektivitetin e gjykimit të padive kolektive, për të parashtruar përpara gjykatës pretendimet e një grupi personash në interesin e tyre të përbashkët.

Në draftin që shoqëron këtë nismë në Shqipëri, theksohet se është e udhës që jetësimi i saj të bëhet përmes një ligji të posaçëm që do të kërkojë një shumicë të thjeshtë për kalimin në parlament. Kjo do t`i jepte njëkohësisht asaj lehtësinë e ndryshimit, në rast se praktika do të sjellë nevojën për t`u riparë në kuadër të çështjeve që mund të dalin në pah përgjatë zbatimit.

Edhe përparësitë janë “kolektive”

Paditë kolektive sjellin përparësi të mëdha për qytetarët në përballjen me drejtësinë. Sipas draftit të propozuar, ata do të kenë të drejtën të përfaqësohen në gjykatë nga një përfaqësues i tyre dhe jo të përballen individualisht secili më vete.

Procedura e përfshirjes në padi është e thjeshtuar, duke kërkuar vetëm shprehjen e interesit të tyre dhe duke paraqitur dokumentacionin përkatës, pa pasur nevojë të përballojnë të vetëm procedurat e gjata gjyqësore dhe kostot financiare, me të cilat ato shoqërohen. Në rast se çështja do të fitohet, ata do të marrin dëmshpërblim, i cili do të ndahet në mënyrë proporcionale mes anëtarëve të grupit.

Drafti i propozuar nuk sjell vetëm përfitime për qytetarët, por edhe për organizatat e shoqërisë civile. Ky draft i jep një rol më të madh organizatave të shoqërisë civile në mbrojtje të komuniteteve apo kauzave që ato përfaqësojnë. Sipas relacionit që e shoqëron këtë nismë, përfaqësuese e qytetarëve mund të jetë një OJF, e cila ka për objekt të veprimtarisë së saj mbrojtjen e të drejtave që mund t’i jenë cenuar një grupi të caktuar.

Lira Hakani, koordinatore pranë Qendrës Mjedisore për Zhvillim, Edukim dhe Rrjetëzim, EDEN, ka marrë pjesë në një fushatë informative në disa bashki të vendit, ku iu ka shpjeguar qytetarëve përparësitë që ata do të kenë nga kjo nismë.

“Në fillim ka pasur pak skepticizëm, sidomos kur përdorej fjala kolektive, nisur nga e shkuara komuniste, kur kolektivizimi ishte i gjithëpranishëm në jetën e shqiptarëve. Nga ana tjetër, shumë njerëz nuk e kuptonin thelbin e këtij propozimi dhe si konkretisht do t`i ndihmonte konsumatorët dhe të punëmarrësit. Por, kur ua shpjegonim se çfarë sjell kjo nismë, atëherë kishte shumë mbështetje dhe entuziazëm te të gjitha grup-moshat”, – tha ajo.

Sipas Hakanit, miratimi i këtij ligji pritet ta lehtësojë punën e organizatave të shoqërisë civile për një mbrojtje sa më efektive të interesave të qytetarëve.

“Miratimi i ligjit pritet t`i bëjë qytetarët më të guximshëm për të mbrojtur interesat e tyre, sepse në thelb bashkimi bën fuqinë. Përfshirja e një grupi të gjerë në një padi të vetme është mekanizëm i mirë për të mposhtur frikën, e cila shpesh palën e dëmtuar e bën të pafuqishme”, – theksoi ajo.

Rol më të madh në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve kjo nismë ligjore i jep edhe organit të akuzës, prokurorisë. Sipas relacionit shoqërues, të drejtën për të ngritur padi kolektive do ta kenë dhe prokurorët, të cilët në këtë mënyrë kanë një mekanizëm shtesë për të iniciuar hetime në rastet e shkeljeve ndaj qytetarëve.

Këto padi pritet të jenë një vlerë e shtuar edhe për sistemin shqiptar të drejtësisë, duke e ndihmuar atë të jetë më ekonomik dhe eficient, duke eliminuar kohën që kërkohet për shqyrtimin e shumë padive për të njëjtin rast, të cilat fare mirë mund të grumbullohen në një padi kolektive. Gjithashtu, dhënia e zgjidhjeve kolektive do të eliminonte procedurat e gjata, duke i dhënë një zgjidhje të shpejtë mosmarrëveshjes për një numër sa më të madh njerëzish.

Në të gjitha rastet ky projektligj nuk e eliminon të drejtën e qytetarëve për të paraqitur padi individuale, vetëm e forcon dhe sjell më shumë alternativa në përballjen e tyre me sistemin e drejtësisë.

Kjo nismë e mbështetur nga 73 organizata të shoqërisë civile sjell një mundësi të mirë për Kuvendin e Shqipërisë për të qenë mbështetës dhe bashkëpunues ndaj një nisme, e cila sjell dobi, jo vetëm për qytetarët, por edhe sistemin e drejtësisë në vend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat