Arratia e prodhuesve shqiptarë drejt Maqedonisë, pse u rritën çmimet e vajit 60%?

Shqipëria

Arratia e prodhuesve shqiptarë drejt Maqedonisë, pse u rritën çmimet e vajit 60%?

Më: 12 prill 2021 Në ora: 07:08
Foto ilustrim

Çmimet e vajit për gatim panë një shtrenjtim të shpejtë në fillim të këtij viti, teksa shitësit me pakicë lajmërojnë rritje të mëtejshme gjatë vitit 2021.

Pikat e pakicës morën furnizimet e reja me 220-250 lekë për litër.

Në harkun kohor të një viti, çmimi i një litri vaj është rritur me rreth 60%, duke shkuar në 250 lekë nga 157 lekë në shkurt të vitit të kaluar, në 190 lekë në janar 2021. Sipas operatorëve kryesorë të tregut, shkak për këtë rritje është bërë mungesa e prodhimit të lulediellit në vendet kryesore prodhuese, si Rusia, Ukraina, Rumania, Bullgaria dhe Moldavia.

Mungesa e lëndës së parë ka rritur çmimet për importin e vajit të gatshëm dhe kostot për importet e grexhos për fabrikat që prodhojnë në Shqipëri.

Vaji i lulediellit është përbërësi kryesor i shportës për familjet e varfra. Rritja e çmimit të tij do të përkeqësojë aftësinë blerëse dhe konsumin te këto shtresa.

Agjencitë ndërkombëtare të lajmeve lajmërojnë se furnizimet me vaj luledielli, në gjysmën e parë të vitit 2021, do të kufizohen për shkak të rendimenteve të dobëta të lulediellit nga prodhuesit e Detit të Zi. Rajoni u prek nga kushtet e thata gjatë sezonit të rritjes, duke rezultuar në rendimente më të ulëta sesa pritjet e tregut.

Deficiti i furnizimit do të vazhdojë gjatë gjysmës së parë të vitit 2021, i cili po reflektohet në nivelin e çmimeve. Furnizimi i kufizuar do të përkeqësohet nga vendimi i Rusisë për të rritur taksat e eksportit për farat e lulediellit në 30% nga 9 janari deri më 30 qershor.

“Çmimi në bursë i vajit të përpunuar ushqimor është rritur 35-40%, pasi korrjet e lulediellit kanë qenë shumë të ulëta. Nga jashtë, vaji aktualisht vjen me çmim 1400 dollarë për ton, duke shtuar edhe 20% koston e TVSH-së, çmimi final është i shtrenjtë. Në këtë rast, shteti duhet të ulë TVSH-në e produkteve të shportës” – tha Bajram Dine, përfaqësuesi i kompanisë Fjol.

Sipas të dhënave të INSTAT, importet u rritën 26,4% më shumë se në 2019. Rritja erdhi tërësisht nga importi i vajit të lulediellit të përpunuar dhe ambalazhuar, pasi në Shqipëri nuk ekziston më industria e prodhimit.

Operatorët kryesorë janë kthyer në tregtarë të vajit të importit. Kompanitë pohuan se prej kohësh, në fabrikat e tyre vetëm sa paketohet vaji i përpunuar që vjen nga jashtë. Është më e leverdishme të importojnë vaj të botiluar ose të përpunuar dhe të bëjnë vetëm ambalazhimin. Sipas bilanceve të deklaruara në QKB, të tjera kompani me qarkullime të larta vjetore kanë falimentuar. Vështirësitë janë të shumta edhe për sipërmarrësit që vite më parë investuan për rafineritë e përpunimit të vajit grexho.

Pamundësia financiare për të përballuar kostot i ka kthyer rafinuesit shqiptarë të vajit ushqimor në tregtarë importi. Tarifat e larta të vajit grexho, që importohet nga vendet e BE-së, kanë detyruar operatorët e përpunimit të fikin rafineritë dhe t’i transferojnë në Maqedoninë e Veriut.

Operatorët kryesorë janë kthyer në tregtarë të vajit të importit. Kompanitë pohuan se prej kohësh, në fabrikat e tyre vetëm sa paketohet vaji i përpunuar që vjen nga jashtë. Është më e leverdishme të importojnë vaj të botiluar ose të përpunuar dhe të bëjnë vetëm ambalazhimin.

Vendet kryesore nga importohet vaji janë: Bullgaria, Hungaria, Serbia dhe Ukraina. Prej 30 vjetësh, kompania “Bomira” importon vaj grexho (të parafinuar) nga Bullgaria, ndërsa përpunimin e bën në rafinerinë e Maqedonisë së Veriut. Vaji importohet i përpunuar nga shteti fqinj dhe më pas paketohet në shishe në fabrikën e “Bomira”-s. Kompania ka filiale të shitjes në qytetet kryesore të Shqipërisë si: Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë etj.

Administratori i “Bomira”-s, Ylli Aliaj, thotë se për vajin në Shqipëri ka dy çmime referencë taksimi, për produkte që vijnë nga Europa dhe vendet jo anëtare. Për këtë arsye, prej vitesh ai importon vaj grexho nga një shtet anëtar i Bashkimit Europian, por e rafinon në Maqedoninë e Veriut. “Nëse vaji i papërpunuar importohet nga një shtet anëtar i Bashkimit Europian, siç është Bullgaria, vaji që hyn në Shqipëri taksohet më shumë, për shkak të tarifës me BE-në. Fakti që në Maqedoninë e Veriut nuk ka asnjë prodhues vaji, por vetëm rafineri përpunimi, tarifa doganore e importit është më e lirë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat