Detaje nga humbja e jetës së 31-vjeçares gjatë lindjes/ Bashkëshorti bëri kallëzim në polici, mjekët: Dyshojmë për infarkt akut të miokardit

Shqipëria

Detaje nga humbja e jetës së 31-vjeçares gjatë lindjes/ Bashkëshorti bëri kallëzim në polici, mjekët: Dyshojmë për infarkt akut të miokardit

Më: 13 prill 2021 Në ora: 11:34
Foto ilustrim

Një ngjarje e rëndë është regjistruar ditën e shtunë në maternitetin e Fierit. Një grua shtatzënë e moshës 31 vjeçe ka humbur jetën, pas kryerjes se anestezisë lokale.

Elisabeta Lamaj, nënë e një vajze 3-vjeçare ishte në muajin e 9 të shtatzënisë dhe priste të sillte në jetë fëmijën e dytë, por fatkeqësisht ka humbur jetën pas kryerjes se anestezisë, që do të bente të mundur interventin.

Gazetari Ervis Kuçi raporton se fatmirësisht mjekët kanë ndërhyrë, duke sjellë në jetë foshnjën e seksit femër, e cila është në gjendje të mirë shëndetësore.

Sipas Prokurorisë së Fierit, pas humbjes së jetës të 31-vjeçares, është njoftuar salla operative e policisë në Fier. Pas ngjarjes janë njoftuar familjarët, ndërkohë që bashkëshorti i të ndjerës Leonard Lamaj ka bërë kallëzimin penal në policinë e Fierit, duke akuzuar mjekët për mjekim të pakujdesshëm.

Sipas dëshmisë së mjekëve, shkak i humbjes së jetës së 31-vjeçares mendohet se ka qenë infarkti akut i miokardit, por pritet përgjigja e autopsisë.

Nga ana e policisë janë kryer veprimet proceduriale për këtë ngjarje dhe materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Fierit për vlerësim. Nga ana e Prokurorisë ka nisur hetimi për këtë ngjarje, ndërsa është kryer autopsia e trupit të së ndjerës dhe priten konkluzionet mjeko-ligjore për zbardhjen e shkaqeve të vdekjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat