“Ndryshimin e keni në dorë ju”, Basha thirrje shqiptarëve: Votoni masivisht më 25 prill, ne kemi plan konkret

Shqipëria

“Ndryshimin e keni në dorë ju”, Basha thirrje shqiptarëve: Votoni masivisht më 25 prill, ne kemi plan konkret

Më: 13 prill 2021 Në ora: 13:51
Lulzim Basha

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, iu bëri thirrje të gjithë shqiptarëve të votojnë masivisht numrin 9 më 25 prill, që sipas tij, të vijë ndryshimi në Shqipëri.

Në një video-mesazh nga makina, rrugës për në takimin e radhës elektoral, Basha theksoi se ai ka një plan konkret për nxjerrjen e vendit nga kriza ekonomike, ndërsa tha se do nxjerr të ardhurat nga xhepi i oligarkëve për t’i çuar te xhepat e shqiptarëve.

“Ky është një muaj sprove i dyfishtë, për gjendjen ku ndodhet vendi dhe për sakrificën e agjërimit. Ekonomia është tema kryesore që më ka shoqëruar gjatë gjithë këtyre ditëve e javëve. Ne kemi një plan konkret, i cili do të zbatohet dhe do të bëjë të mundur që ekonomia shqiptare të fillojë të lëvizë përsëri, ta marrë veten. Ju e dini që plani ynë godet gabimet dhe dështimet e keqmenaxhimit të këtyre 8 viteve.

Devijimi i të ardhurave nga xhepat e oligarkëve, te xhepat e njerëzve, duke nisur nga rritja e pagave, pensioneve. Pensionistët shqiptarë sot janë më të mjeruarit në Ballkan. Po kështu edhe hapa të tjerë që do të përmirësojnë ndjeshëm cilësitë e jetës, mirëqenien, sipërmarrjen e vogël, biznesin prodhues, të gjithë që do ta gjejnë veten te paketa jonë fiskale, që është vetëm hapi i parë drejt rritjes ekonomike. Ju e dini që kundërshtari politik nuk përgjigjet nëse i ka mbajtur premtimet, pasi në të vërtetë ai nuk ka bërë asgjë. Ne kemi punuar për të ardhur te ju me një program realist. I njohim, i prekim, i ndjejmë problemet tuaja. Prandaj në këtë fushatë nuk kemi ardhur me premtime, por me zotime.

Ndryshimin që të gjithë kërkoni e keni në dorë ju, vetëm ju mund ta bëni atë realitet. Unë e di që ju jeni të etur për ndryshim, pasi gjendja ekonomike është shumë e keqe, pavarësisht ku jetoni, në qytet, apo në fshat. Ju them se tani është koha të bëhemi të gjithë bashkë për ndryshim, pra secili të marrë përgjegjësinë me votë për të ndryshuar fatin e vet dhe të familjes së vet. 25 prilli nuk bëhet për mua, as për Ramën, por për ju qytetarë. A do të kemi edhe 4 vite të tjera të ngecur, ku fëmijët tuaj të mbeten pa shkollim.

Duhet një qeveri që është në krahun tuaj, një politikë me fytyrë njerëzore. Për këtë, duhet të përgjigjeni ju me votë më 25 prill. Vetëm ju keni mundësinë të ndryshoni Shqipërinë dhe fatin e saj. Ndaj ju kërkoj ta shndërroni në një votë masive 25 prillin, duke votuar numrin 9, në mënyrë pas 26 prillit të përveshim mëngët dhe t’i futemi punës për ta bërë Shqipërinë evropiane”, tha Basha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat