Konflikti për një tubë uji i merr jetën 50-vjeçarit/ Vëllezërit vrasin me automatik komshiun

Shqipëria

Konflikti për një tubë uji i merr jetën 50-vjeçarit/ Vëllezërit vrasin me automatik komshiun

Më: 13 prill 2021 Në ora: 17:36
Foto nga vendi i ngjarjes

Konflikti për një tubë uji i ka marrë jetën një 50-vjeçari në fshatin Luzni të Dibrës ditën e sotme.

Dy vëllezërit Muhamet dhe Altin Mera, përkatësisht 30 dhe 42 vjeç vranë me armë zjarri tip automatik komshiun Xhetan Konesha.

50-vjeçari u dërgua me urgjencë në spital, ku edhe ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra.

Sipas banorëve të zonës konflikti është i vjetër dhe e ka zanafillën për një tubë uji.

Viktima ishte dhëndër në fisin Mera. Ndërkohë njëri nga autorët, Muhamet Mera është vënë në pranga. Ndërsa vëllai tjetër, i cili njihet nga banorët me emrin Nurçe është larguar drejt pyllit dhe është ende në kërkim.

Njoftimi i plotë:

Dibër

Plagosën me armë zjarri një shtetas, me pasojë vdekjen e tij, falë reagimit të menjëhershëm dhe profesional të Policisë, kapet dhe vihet në pranga një nga autorët e dyshuar të ngjarjes. Shpallet në kërkim bashkautori tjetër i dyshuar. Sekuestrohet edhe arma me të cilën dyshohet se autorët kanë plagosur me pasojë vdekjen, 50-vjeçarin. Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, pas marrjes së informacionit se në fshatin Luzni, Dibër, gjatë një konflikti për motive të dobëta, dy vëllezër kishin plagosur me armë zjarri fqinjin e tyre, menjëherë kanë organizuar punën dhe falë reagimit të shpejtë dhe profesional kanë bërë të mundur kapjen dhe prangosjen e njërit prej autorëve, shtetasin M. M., 30 vjeç, banues në fshatin Luzni, Dibër.

Ndërkohë vijon ndjekja dhe krehja e zonës për kapjen e bashkautorit tjetër të ngjarjes, shtetasit A. M., 42 vjeç, i cili pas ngjarjes është larguar në pyll. Dy vëllezërit, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë qëlluar me armë zjarri automatik shtetasin Xh. K., 50 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në spital.

Shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit automatik me të cilën dyshohet se dy vëllezërit kanë plagosur 50-vjeçarin. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të ngjarjes.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat