Endri Shabani: Tom Doshi ka pushtet informal, ne garojmë për pushtet formal

Shqipëria

Endri Shabani: Tom Doshi ka pushtet informal, ne garojmë për pushtet formal

Më: 13 prill 2021 Në ora: 22:39
Tom Doshi

Endri Shabani, kryetar i “Nismës Thurje” thotë se në zgjedhjet e 25 prillit po kërkojnë një pushtet formal për ta çuar diskutimin në Parlament nga debate për emrat tek çështjet që shqetësojnë qytetarët.

Sipas tij sot të rinjtë kanë humbur shpresën se një ditë mund të arrijnë aty ku duan pavarësisht se mund të bëjnë çdo përpjekje duke studiuar dhe punuar pasi privilegjet i gëzon vetëm një kategori e caktuar e shoqërisë.

“Ajo që ne po kërkojmë është një pushtet formal që të shkojmë në Parlament nga aty të përdorim foltoren e Parlamentit për të sjellë debatin nga brekushet e këtij dhe gruaja e atij në që zakonisht shkon çdo të enjte, tek problemet reale të qytetit, duke filluar nga pabarazia. Nga fakti se të rinjtë po rritet në një shoqëri ku nuk ka më perspektivë për të ecur përpara. Edhe po punuan më shumë edhe po studiuan më shumë, nuk ecin dot përpara sepse është krijuar një tavan qelqi për një elitë, e cila jeton në majë të kodrës dhe gjithë pjesa tjetër e shoqërisë pret dhe nuk di se si të ecë përpara në jetë. Këto debate duhen çuar në Parlament”, tha z. Shabani.

Kandidati për deputet në Qarkun e Tiranës u shpreh më tej se në garë ka edhe forca politike që kërkojnë pushtet jo formal duke sjell si shembull konkret Tom Doshin.

“Unë mendoj që Tom Doshi për shembull nuk ka nevojë për pushtet formal, ka pushtet informal. Janë paratë, grupet kriminale këtej e andej edhe ai të projekton forcën dhe të imponohet me dhunë”, tha ai.

Pyetjes së analistit Redi Shehu se si do ta bindin elektoratin se kur të shkoi në Parlament do ta bëjë këtë, z. Shabani iu përgjigj duke thënë se Nisma Thurje e ka krijuar tashmë një identitet dhe ka treguar se nuk i lë kauzat në mes.

“E para sepse ne kemi një plan. Kemi një historik. Në 7 vite kemi çështjen e parë në SPAK e kemi çuar ne dhe kemi treguar guxim për t’u përballur qoftë dhe me mafien, sepse besoj se ata që janë përfshirë te inceneratorët dhe pastrimi i parave besoj se janë grupe mafioze. Kemi pasur presione dhe nuk jemi tërhequr. Kemi çuar në SPAK 6 çështje”, tha z. Shabani.

“Kemi ardhur vërdallë 1 vit e gjysmë për hapjen e listave edhe me mosbesimin e të gjithëve palëve se do të ndodhi ndonjë gjë. Kemi protestuar për importin e plehrave edhe pse u votua ligji derisa u pengua. Nuk i kemi lënë kauzat në mes dhe kjo tregon se do ta vazhdojmë. Kemi një ideologji dhe identitet që është garanci se nuk do të ndryshojmë nesër”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat