Meta kthen në Kuvend ligjin për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit

Shqipëria

Meta kthen në Kuvend ligjin për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit

Më: 14 prill 2021 Në ora: 12:16
Ilir Meta

Presidenti i Republikës Ilir Meta këtë të mërkurë ka kthyer në Kuvend ligjin për Transportin.

Argumentet e kthimit te ligjit

Në seancën plenare të datës 16 mars 2021, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin nr. 32/2021 “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”. Ky projektligj ka marrë një kohë të gjatë në hartimin e tij, ndërkohë që është depozituar në Kuvendin e Shqipërisë nga Këshilli i Ministrave në 6 janar 2021.

Me shkresën e Kuvendit nr. 835 prot., datë 18.03.2021, ky ligj i është përcjellë Presidentit të Republikës për dekretim dhe shpallje.

Në ushtrim të së drejtës kushtetuese të parashikuar nga neni 85, pika 1, e Kushtetutës, ligji nr. 32/2021 “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, iu nënshtrua shqyrtimit të tij, duke marrë në vlerësim të kujdeshëm praktikën parlamentare, diskutimet e deputetëve, qëndrimet publike që kanë hasur disa nene të veçanta të ligjit që prej hartimit të projektligjit nga Agjencia e Mbikëqyrjes Financiare, deri në miratimin e tij, nga Kuvendi i Shqipërisë.

Referuar praktikës parlamentare, hartimi i një ligji të ri për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit është bërë i nevojshëm për këto arsye kryesore:

Së pari, për të reflektuar zhvillimet e vrullshme që kanë ndodhur, ndër vite, në këtë sektor, si në vendin tonë, ashtu edhe në vendet e rajonit e të Europës;

Së dyti, për të zbatuar detyrimin e përcaktuara në MSA, në drejtim të përafrimit të legjislacionit me direktivat e BE-së, e konkretisht, me direktivën 2009/103/KE të Parlamentit Europian dhe të Këshillit, datë 16 shtator 2009. Hartimi i këtij ligji është kërkuar edhe nga Komisioni Europian në Raportet e Progresit për vendin tonë.

Së treti, hartimi i këtij ligji është kërkesë e rezolutave të Kuvendit për vitet e fundit;

Së katërti, hartimi i këtij ligji është rekomanduar edhe nga KLSH;

Së pesti, hartimi i këtij ligji është i nevojshëm për zgjidhjen e disa problematikave, të konstatuara gjatë zbatimit në praktikë të ligjit ekzistues.
Para së gjithash dhe duke ju referuar qëllimit të hartimit dhe propozimit të kësaj nisme ligjore, Presidenti i Republikës vlerëson hartimin e një ligji të ri në fushën e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit, pasi çdo nismë që i përshtatet zhvillimeve të tregut, kërkesave të kohës, duke përmirësuar njëkohësisht edhe sigurinë juridike dhe masat respektive për mbrojtjen e jetës, shëndetit dhe interesave të qytetarëve, është gjithmonë e mirëpritur.

Ky ligj përmban në tërësinë e tij 61 nene, nga të cilat vetëm disa prej tyre janë konstatuar si dispozita problematike, apo që paraqesin shqetësim, të cilat duhet të merren edhe një herë në shqyrtim nga Kuvendi i Shqipërisë.

Nga shqyrimi i përmbajtjes së ligjit në krahasim me praktikën parlamentare[1], rezulton se një nga nenet që ka hasur diskutime të gjera, përgjatë punës në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, në cilësinë e komisionit përgjegjës, apo Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, është dispozita e nenit 8 të ligjit nr. 32/2021, dispozitë e cila është prezantuar nga qeveria si një ndër risitë kryesore, që synon të vërë në zbatim efektivisht sistemin e ri për përcaktimin e nivelit të primit të sigurimit të detyrueshëm motorik, bazuar në historikun e dëmeve të të siguruarit.

Nga shqyrtimi me kujdes i përmbajtjes së këtij neni, Presidenti i Republikës, vlerëson se Kuvendi i Shqipërisë, pavarësisht asaj që deklarohet në praktikën parlamentare, në fakt, për nga formulimi konkret i dispozitës, nuk ka mundur t`i japë zgjidhje kësaj problematike, pasi përmbajtja e dispozitës së nenit 8, nuk garanton zbatimin në praktikë edhe për një kohë shumë të gjatë të sistemit bonus-malus.

Nëse kjo dispozitë do të qëndrojë sipas përmbajtjes së miratuar nga Kuvendi, atëherë ky sistem i ri (bonus-malus), nuk bëhet i zbatueshëm, por do të ngelet në dëshirën e shoqërive të sigurimit, e për pasojë, sërish ky nen mbetet në ligj vetëm si një dispozitë deklarative.

Për ta risjellë në kujtesën tuaj se cili është defekti i mënyrës së formulimit të kësaj dispozite, dhe të arsyeve se përse vullneti i Qeverisë dhe i Kuvendit, ka ndryshuar në rrugë e sipër për miratim e kësaj dispozite, evidentojmë se:

Në nenin 3, parashikohen kuptimet e termave sipas ligjit nr. 32/2021. Në pikën 27, të këtij neni, jepet ky përkufizim:

27.“Sistemi bonus-malus” është faktor për përcaktimin e nivelit të primit të sigurimit të detyrueshëm motorik, ku primi i aplikuar është i varur nga historiku i numrit të dëmeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat