Tërheqja e trupave nga Afganistani, Kim: Mirënjohës Shqipërisë për sakrificat si aleat

Shqipëria

Tërheqja e trupave nga Afganistani, Kim: Mirënjohës Shqipërisë për sakrificat si aleat

Më: 15 prill 2021 Në ora: 00:24
Yuri Kim

Presidenti amerikan Joe Biden njoftoi se trupat amerikane do të tërhiqen nga Afganistani, 20 vjet pas sulmeve të 11 shtatorit. Ndërkohë, ambasadorja amerikane në Shqipëri Yuri Kim ka shprehur mirënjohjen në emër të SHBA-ve për sakrificat e bërë nga Shqipëria si aleate e NATO-s.

Në një postim në Twitter, ku diplomatja amerikane ndan një postim të Ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshit, thotë se në Afganistan “shkuam bashkë, qëndruam e luftuam bashkë, dhe tani po bëhemi gati për t’u larguar së bashku.

Po ashtu, Kim shkruan se SHBA do t’i jetë gjithnjë mirënjohëse Shqipërisë “për sakrificat që ka bërë si aleat i NATO-s.

“Ne shkuam në Afganistan së bashku, qëndruam dhe luftuam së bashku, dhe tani po përgatitemi të largohemi së bashku. SHBA do t’i jetë përgjithmonë mirënjohëse Shqipërisë për sakrificat që keni bërë si aleate jonë e NATO-s.”

Më herët për tërheqjen e trupave nga Afganistani ka reaguar edhe ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka. Në një postim në Facebook, ministrja shkruan ndër të tjera se ka konfirmuar se Shqipëria mbështet plotësisht vendimin e marrë nga NATO, për tërheqjen e trupave nga Afganistani.

“Sot, në takimin e posaçëm të ministrave të jashtëm e të mbrojtjes të NATO, në emër të qeverisë shqiptare, konfirmova se Shqipëria mbështet plotësisht vendimin e marrë nga NATO, për tërheqjen e trupave nga Afganistani. Ka ardhur koha që afganët dhe forcat politike të marrin pronësinë e këtij procesi paqeje. Shqipëria është e gatshme të tërheqë trupat e saj, së bashku dhe në koordinim me Aleatët,” shkroi Xhaçka.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat