Mjeku Stroni shpjegon si kanë ndryshuar simptomat e Covid-19, ja çfarë e solli rënien e numrave

Shqipëria

Mjeku Stroni shpjegon si kanë ndryshuar simptomat e Covid-19, ja çfarë e solli rënien e numrave

Më: 15 prill 2021 Në ora: 09:47
Gent Stroni

Krahasuar me një vit më parë, duket se Covid-19, po shkakton simptoma të reja tek pacientët e infektuar nëse bëjmë një krahasim me muajt e parë të pandemisë.

Të dhënat që raporton shteti fqinj, Italia, nëpërmjet Zyrës për statistikat kombëtare dhe Ministrisë së Shëndetësisë, tregojnë se simptomat tek rastet e infektuara, tashmë janë: dobësi dhe një ndjenjë e përgjithshme e gjendjes së keqe, dhimbje të muskujve dhe barkut, si dhe të përziera, dhimbje koke dhe probleme gastrointestinale.

Edhe një studim në Britaninë e Madhe, ku u ekzaminuan rreth 19 mijë pacientë, dëshmoi se të infektuarit kishin më pak ose aspak kollë, humbje të shijes dhe nuhatjes, simptoma këto karakteristike në momentin që u zyrtarizua përhapja e SarsCov2. Tani mjekët po hasin më shumë pacientë që kanë të vjella dhe diarre.

I ftuar në “Wake Up”, mjeku infeksionist në QSUT, Gent Stroni bëri të ditur se në muajt dhjetor-janar kishte shumë persona të infektuar me Covid dhe më vonë u zbulua se bëhej fjalë për mutacionin anglez.

“Fillesat e pandemisë ishin me disa shenjat dhe simptoma të përgjithshme, por që dukeshin dhe kishin mundësi që njerëzit të orientoheshin kur bëhej fjalë për pjesën e nuhatjes, humbjes së shijes. Ishte pikërisht kjo që i bëri me alert njerëzit, më të kujdesshëm.

Por, që nga ajo kohë, një vit përpara deri tani kemi pasur ndryshime të vazhdueshme. Ky është një virus që tejçohet nga një person në tjetrin nëpërmjet ajrit, hundës, fytit, por jo vetëm.

Tani që nga momenti që bie ne trupin tonë ai kalon në qarkullimin e gjakut, ku ne themi që kemi ‘viremi’. Pra, rënia e virusit në gjak bën të mundur atë të famshëm ‘viremi’ dhe kjo tregon edhe fazën e parë të gjithë Covid-it.

Tashmë çfarë po ndodh? Në ndryshim me pjesën e parë shikojmë që përveç të tjerash ka edhe një rënie të agresivitetit dhe po të shohim në laboratorët ku ne çojmë pacientët për të bërë nëse është pozitiv apo negativ, kolegët tanë atje thonë: ‘po, ka dalë pozitiv, por me një ngarkesë të ulët virale.

Kjo gjë solli që ne të kemi një lloj ndryshueshmërie të formës si paraqitet në trupin tonë. Dhe kjo gjë solli edhe rënien e numrave në fund të ditës.

Dikur kishim një fazë të parë të qartë, tani nuk e kemi më. Pra dhe mutacionet në vetvete ndikojnë, por në fund të ditës ngelet koronavirus dhe jep po të njëjtat situata”, sqaroi mjeku.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat