Juristi i LSI për patronazhistët e PS: KQZ të bëjë kallëzim për shkelje të ligjit

Shqipëria

Juristi i LSI për patronazhistët e PS: KQZ të bëjë kallëzim për shkelje të ligjit

Më: 15 prill 2021 Në ora: 15:31
Muharrem Caka

Në mbledhjen e Komisionit Rregullator të QKZ, përfaqësuesi ligjor i LSI-së Muharrem Caka ka kërkuar nga ky institucion që të bëjë një padi mbi listën me 910 mijë zgjedhës që zotëron Partia Socialiste e cila është publikuar në media.

Sipas Cakës, partia në qeveri ka shkelur nenin 47 të Kodit Zgjedhor gjë e cila është vepër penale.

“Faleminderit të nderuar! Shkurtimisht, sepse besoj e thamë në mënyrë shteruese rëndësinë dhe rrezikshmërinë e asaj çfarë është ekspozuar këto ditë gjerësisht në media. Do them vetëm kaq, edhe unë pata kureshtjen, e gjeta patronazhistin tim, Edius Pelinku quhet, totalisht i paaftë, se ka zbuluar. Unë jam 44 vjeç, kam rreth 26 vjet që votoj. Nuk e ka zbuluar akoma as për kë votoj unë, ose potencialisht mund të votoj, por as për familjarët e mi nuk e ka zbuluar akoma për kë votojnë. Kështu që në këtë kontekst, me detyrën që i është ngarkuar është i paaftë. Por fatkeqësisht duhet të mbajë përgjegjësi penale ai dhe të gjithë ata që denoncoi zonja Vukaj, pasi neni 47 i Kodit Zgjedhor parashikon se lista e zgjedhësve nxirret nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile. Neni 4 parashikon që përpunimi, ndryshimi, modifikimi, shtesa apo heqja e emrave apo të dhënave të tjera nga lista jashtë Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile dhe në kundërshtim me procedurat e parashikuara në këtë ligj, përbën vepër penale dhe dënohet sipas nenit 248 të Kodit Penal. Në rastin konkret ajo çfarë është publikuar në media, është as më pak e as më shumë lista e zgjedhësve të qytetit të Tiranës, që do të thotë kemi të bëjmë me një përpunim të listës së zgjedhësve. Pra, është hapur vepër penale. Kështu që unë i bashkohem thirrjes së zonjës Vukaj, që urgjentisht Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve t’i drejtohet, të bëjë dhe kallëzim kryesisht, lidhur me këtë thyerje të Kodit Zgjedhor. Kjo ishte çështja e pare”, tha Caka.

“Çështja e dytë ka më shumë një karakter sensibilizues. E kemi ndjekur vazhdimisht në media, por edhe nga qytetarë të ndryshëm, qoftë njerëz apo të njohurit tanë që na takojnë, lidhur me mënyrën e votimit apo vlefshmërinë e votës. Besoj se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë një punë të mirë, por mesa duket ka akoma nevojë, lidhur me edukimin zgjedhor për mënyrën e votimit. Dhe doja të ndaja shkurtimisht me ju dhe sigurisht edhe për publikun, në mënyrë të përmbledhur, zgjedhësi ka të drejtë dhe vota do të konsiderohet e vlefshme nëse zgjedhësi zgjedh ose partinë apo koalicionin e partive politike, ose kandidatin, ose të dy partinë dhe kandidatin të të njëjtit subjekt zgjedhor. Në rast se zgjedhësi shqiptar do të zgjedhë një parti apo koalicion partish dhe një kandidat të një partie tjetër, vota është e pavlefshme. Kështu që ftoj Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të bëjë një punë më intensive në edukimin për mënyrën e zgjedhësve shqiptarë. Faleminderit!”, vijoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat