“Do të duhen shumë vaksinime ose shumë vdekje nga COVID-19”, Ylli: Jemi ende larg imunitetit të tufës

Shqipëria

“Do të duhen shumë vaksinime ose shumë vdekje nga COVID-19”, Ylli: Jemi ende larg imunitetit të tufës

Më: 15 prill 2021 Në ora: 22:40
Foto ilustrim

Ish-drejtori i ISHP, Alban Ylli tha për Euronews Albania se diskutimet për arritjen e të ashtuquajturit imunitet i tufës nga COVID -19 në vendin tonë duhen shmangur sa më shumë, teksa u sugjeroi qytetarëve për një optimizëm të kujdesshëm në këtë aspekt.

“Do të varet nga ritmet e vaksinimit, distancimi social, por vështirë të arrihet para vjeshtës së këtij viti, pjesa më e madhe e popullsisë është ende e paprekur nga virusi. Do të duhen ritme shumë të shpejta të vaksinimit apo ritme shumë të shpejta të qarkullimit të virusit dhe fatkeqësisht numër i lartë vdekjesh që të arrihet imuniteti”, shpjegoi mjeku.

Sipas z. Ylli, ulja e numrit të rasteve me COVID-19 në vendin tonë lidhet me faktorë që nuk kanë të bëjnë me imunitetit e tufës, që siç tha është ende shumë larg.

“Ka një pritje të sëmundjeve respiratore për t’u përhapur me valë. Rënia e numrit të rasteve është e lidhur me sjelljen e popullatës. Në momentin që virusi gjen një numër më të lartë ekspozimesh, mund të nisë një valë tjetër.

Mund të ketë ndikuar sezoni, gjatë dimrit pati një rritje krahasuar me verën. Por përtej mosarritjes së imunitetit të presim edhe ca kohë për të pritur efektin e vaksinave. Ato nuk kanë nisur ende të japin efekt real, por efekti është i pritshëm në të ardhmen e afërt. Kështu, nëse do të kishte një rritje të numrit të rasteve në muajin që vjen, efekti i vaksinave do ta balanconte situatën”, shpjegoi mjeku.

I pyetur lidhur me ndikimin që mund të kenë në javët në vazhdim grumbullimet elektorale, sa i përket rasteve me COVID në vendin tonë, z. Ylli nuk e përjashtoi se mund të ndikojnë në rritjen e infektimeve, edhe pse shtoi se asgjë nuk dihet me saktësi, veç faktit se nuk pritet të ketë rënie të vazhdueshme dhe zhdukej e virusit në pak muaj.

Sipas tij, në muaj në vazhdim janë të mundshëm disa skenarë, një nga të cilët ai që e cilësoi si djegie të ngadaltë me një numër më moderuar rastesh gjatë verës, ose edhe një valë të tretë, siç ka ndodhur tashmë edhe në vende të tjera të botës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat