Vijon vaksinimi masiv në Tiranë

Shqipëria

Vijon vaksinimi masiv në Tiranë

Më: 16 prill 2021 Në ora: 10:30
Ilustrim

Në sheshin “Skënderbej” në Tiranë po vijon vaksinimi antiCovid i moshave +60 vjeç.

Agjencia Telegrafike Shqiptare ndoqi nga afër këtë proces ku interesi i qytetarëve ka qenë i lartë për të bërë vaksinën, e cila është arma e vetme për të luftuar virusin gjithashtu dhe zbatimi i masave antikovid është përsëri i domosdoshëm.

Ariela Malaj, shefe e përgjithshme e Kujdesit Parësor Shëndetësor Rajonal, Tiranë shpjegon për ATSH ecurinë e këtij procesi.

“Procesi ka ecur me se miri duke vaksinuar rreth 160 veta në ditë dhe me një përllogaritje mesatare arrin në 35.000 persona të vaksinuar vetëm në qendrën e ngritur në sheshin “Skënderbej”. Ky proces ka filluar me moshat +80 duke vazhduar me +70 ndërsa tani jemi në +65 përfshirë +60 kur personat janë të rekomanduar nga mjeku i familjes në rastet kur pacientët kanë sëmundje bashkëshoqëruese. Ka edhe pacient që janë më sëmundje si kanceri të cilët janë këshilluar nga mjeku dhe janë vaksinuar pranë qendrës tonë. Përveç problematikave të tipit emocional nuk kemi pasur të tjera problematika të rënda. Këto janë trajtuar shumë shpejtë. As mjekët e familjes nuk na kanë referuar pasoja. Shërbimi emergjencës është gjithë kohës këtu që na asiston”, tha Malaj për ATSH.

Edhe qytetarët e ndryshëm të cilët sapo e kishin kryer vaksinimin ose presin që ta kryenin atë shprehen për ATSH se kjo dita që më në fund erdhi dhe kishin më tepër se një vit që e prisnin.

“Nuk i harrojmë dot ato vështirësitë e kaluara gjatë një viti dhe shpresoj se tani do t’i kthehemi normalitetit. Kemi fëmijët jashtë shtetit dhe nuk mund t’i takojmë. Procesi vaksinimit është një gjë pozitive për popullatën”, tha një 62-vjeçare për ATSH.

Një tjetër qytetar shprehet se ”tani jam më i sigurtë me bërjen e vaksinës. Nuk pata asnjë lloj frikë apo shqetësim”.

Që nga fillimi i fushatës së vaksinimit “Shqipëria buzëqesh”, janë vaksinuar në total 304,488 persona./ATSH/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat