Meta: Të rinjtë të votojnë, refuzoni blerjen e votës, Ramës do t’i japim një adresë në 26 prill të vijë të kurohet

Shqipëria

Meta: Të rinjtë të votojnë, refuzoni blerjen e votës, Ramës do t’i japim një adresë në 26 prill të vijë të kurohet

Më: 16 prill 2021 Në ora: 12:00
Ilir Meta

Presidenti Ilir Meta nga Vlora ka ftuar qytetarët që të shkojnë dhe të votojnë në 25 prill që vendi të futet në shinat demokratike.

Meta i është përgjigjur edhe akuzave ndaj tij nga kampi kundërshtar, duke thënë se institucionet janë kapur dhe për këtë arsye po largohen të rinjtë.

Ndërkohë, kryeministrit Rama Meta tha se do t’i japë një adresë në 26 prill që të vijë të kurohet duke nënkuptuar spitalin psikiatrik atje.

Meta: Ftoj të gjithë të rejat dhe rinjtë e Vlorës që të nxitojnë drejt kutive të votimit që vendi të futet në shinat e demokracisë dhe që të rinjtë të jetojnë në Shqipëri. I ftoj që të refuzojnë çdo aferë për blerje vote dhe t’i qëndrojnë çdo presioni dhe përpjekje për shantazh. I ftoj që të votojnë për ata kandidatë që e luftojnë më shumë korrupsionin, jo ata që bëjnë gjoja. Sepse korrupsioni dhe kapja e shtetit dhe e pushteti vendor, sikurse është këtu me banditin e importuar nga Astiri që ka ardhur vetëm për të bërë presione për blerje votës. Prandaj largohen të rinjtë nga Vlora se zëri i tyre nuk dëgjohet.

Unë dua që Vlora të jetë e vlonjatëve sepse nuk do të doja që të vija këtu dhe të takoj njerëz nga Bangladeshi. Ne e dimë se kush i ka pushtuar institucionet dhe kush po i largon të rinjtë. Unë jam krenar për çdo vlerësim që kam dhënë dhe jap, sepse gjithçka është bërë në bazë të meritës. Sa i takon provokimeve ordinere, ne se dimë që këtu në Vlorë ka edhe një adresë që do t’ia japim Ramës në 26 prill që të vijë të kurohet dhe të shijojë diellin. Vlora është e të gjithëve, sigurisht edhe një presidenti nga Skrapari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat