Lediana Fratari: Ftesa e Ramës ndaj Bashës instrument fushate, qeveria ka dështuar

Shqipëria

Lediana Fratari: Ftesa e Ramës ndaj Bashës instrument fushate, qeveria ka dështuar

Më: 16 prill 2021 Në ora: 17:03
Kandidatja e PD-së për deputete në qarkun e Tiranës, Lediana Fratari

Kandidatja e PD-së për deputete në qarkun e Tiranës, Lediana Fratari, e ftuar në “News 24” deklaroi se gjatë takimeve që ka zhvilluar me qytetarët, ka vënë re se të gjithë janë të etur për ndryshim dhe duan rotacion politik.

“Vetëm një javë na ndan nga zgjedhjet dhe kam takuar në mënyrë të vazhdueshme qytetarët. Qytetarët kërkojnë shpresë. Të gjithë kërkojnë rotacion politik. Kur flas për rotacion, ne po flasim për të ndryshuar një qeveri, që nuk ka mbajtur premtimet në tetë vjet. Programi i PD është hartuar nga ekspertët më të mirë vendas dhe të huaj. Programi i PS është inekzistent. Rama ka bërë premtim për 300 mijë vende të reja pune dhe çdo premtim i këtij kryeministri ka qenë një mashtrim. Programi ynë është i prekshëm dhe mund të sjellë normalitet. Qytetarët duan normalitet në jetën e tyre. Ka ardhur koha vërtetë për një ndryshim. jam e 34-ta e në listën e PD-së, kam qenë që më herët në këtë parti. Do isha për sistem maxhoritar, ku kandidati duhet të përgjigjet direkt qytetarit. Ne kemi sistem hibrid, besoj se do jetë diçka e suksesshme”, theksoi Fratari.

Lediana Fratari foli edhe për ftesën e Ramës ndaj Bashës për bashkëpunim, duke thënë se e gjitha është një instrument fushate i kryeministrit.

“Është instrument fushate e Ramës. Kryeministri vjen me premtime false dhe qasja e tij është e tillë, që të shmangë vëmendjen nga dështimi në qeveri. Basha ka thënë se nuk mund të ketë asesi bashkëpunim me Ramën. Bindjet e mia janë të djathta sepse ekonomia është motori i një ekonomia. Taksa jonë e sheshtë bën që ekonomia të ndezë motorët e saj.

Nëse qeveria ul taksat e sipërmarrjes, edhe biznesi do të ecte më mirë dhe të bënte më shumë punësime të njerëzve. Absolutisht që ne jemi për të gjithë qytetarët, ne kemi premtuar rritje të pagës minimale. Ne kemi taksa kaq të larta, që nuk përkthehen në shërbime. Jam promotore e madhe e kapitalizmit, me lehtësim fiskal të biznesit. Kjo sepse kur biznesi është i qetë nga qeveria, sipërmarrja bëhet promotori më i mirë i një shteti. Kjo do sillte rritje të investimeve të huaja”, tha Fratari.

Më tej, Fratari vlerësoi se ikja e të rinjve nga Shqipëria është një plagë e madhe e vendit, për shkak se ka humbur shpresa.

“Shqipëria ka numrin më të lartë të azilantëve në Europë, sepse nuk kanë më shpresë këtu dhe as nuk kanë punësim. Prandaj edhe ikin. Mungesa e shpresës është problem në të gjithë Shqipërinë. Mund të shërohet kjo shpresë me anë të programit për arsimin, duke i mbështetur të rinjtë me anë të arsimit. Të rinjtë e arsimuar janë promotorë të një shteti. Kjo mund të sjellë kthim të atyre që janë larguar në Europë. Unë nuk e pres këtë gjë, aq më tepër nga një qeveri e majtë. Ata që largohen, ikin jo vetëm për të kërkuar punë, por edhe për një jetë, që të jetë më normale. Programi i PD do të kthejë normalitetin në mënyrën e të jetuarit në Shqipëri”, u shpreh Fratari.

Duke folur për rolin e grave në shoqëri, Fratari deklaroi se shteti duhet të ofrojë ndihmë për ata gra që janë të dhunuara nga bashkëshortët e tyre.

“Shumica e grave në Shqipëri dhunohen fizikisht ose verbalisht dhe kjo është për kambanë alarmi. Përfaqësimi i grave nuk është i mjaftueshëm. Në Shqipëri dhuna ndaj gruas është një plagë shumë e rëndë. Shteti të ofrojë siguri për gratë e dhunuara. Grave të dhunuara duhet t’i sigurojmë ndihmë ekonomike, që të ketë të ardhme më të mirë për fëmijën e vet”, përmbylli Fratari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat