Çfarë fshihet pas ftesës së Ramës për Bashën? Erla Mëhilli analizon mesazhet politike

Shqipëria

Çfarë fshihet pas ftesës së Ramës për Bashën? Erla Mëhilli analizon mesazhet politike

Më: 16 prill 2021 Në ora: 22:30
Erla Mëhilli

Ekspertja e komunikimit, Erla Mëhilli, komentoi gjetjet e sondazhit të radhës të MRB dhe Euronews Albania për qarkun e Tiranës dhe Durrësit, ku Partia Demokratike u vu re se ka ngushtuar diferencën e pikëve me PS.

Përballë gazetares Bruna Çifligu, znj. Mëhilli thotë se kjo rritje është normale dhe vjen për shkak të fushatës që ka bërë Partia Demokratike.

“Kishte një rënie të PS, dhe një rritje të PD. Diferenca mes tyre shkurtohen në 2.9 % për qarkun e Durrësit. Ka një rritje evidente të PD, personalisht e mendoj se është normale dhe vjen për shkak të fushatës. Mos harrojmë se PS po kërkon një mandat të tretë dhe nuk besoj se PS do të vazhdojë rritjen, s’ka mundësi të ndodhë. Nuk ka një bilanc pozitiv të premtimeve të mbajtura dhe këtë e thotë edhe z. Rama”, tha Mëhilli.

Në analizën e saj, ekspertja thekson se Partia Demokratike në qarkun e Durrësit me shumë gjasë do të arrijë të rikuperojë të paktën tre mandate. Kurse në Tiranë, Mëhilli thekson se të pavendosurit mund të prodhojnë dy mandate deputeti, por e gjithë kjo do varet nga mënyra se si partitë do të bëjnë fushatën elektorale.

“Mandati i tretë nuk është mandat i thjeshtë për t’u kërkuar, deri më sot nuk ka ndodhur që një parti të qeverisi për një mandat të tretë. Është krejt normale që opozita duhettë rritet, se po mos të rritet në fushatë kur do rritet. Të pavendosurit ishte një % e konsiderueshme, të paktën në Tiranë shkonte në 12.4%, që i thonë 1-2 mandate mund të përcaktohen ditët e fundit. Qarku i Durrësit, është qark ku PD duket se do rikuperojë mandate. Durrësi është një qark që PD ka pasur një rezultat të mirë politik. PS duhet se po kërkon të ruajë mandatin e shtatë në këtë qark”, tha ajo.

Po ashtu ajo komentoi ftesën e kryeministrit Edi Rama drejtuar kreut të PD për bashkëqeverisje pas zgjedhjeve të 25 prillit. Për znj. Mëhilli, ky truk politik i kryeministrit Rama përçon mesazhe të ndryshme elektorale, ku në thelb shton ajo synohet bindja e votuesve të pavendosur.

“Është diversion politik,  sepse njerëzit mendojnë se këta janë bashkë, e thënë thjesht me fjalor më të varfër. Tenton të nervozojë edhe LSI dhe duke parë edhe reagimin e Metës ia ka arritur të paktën kësaj të dytës. Për çështjen e diversionit politik ai nuk ka çfarë të humbur, por mund të fitojë diçka, por për të humbur nuk humbet gjë. Kam përshtypjen se mund të jetë dukur thirrje e një lloj humbësi, pra kërkesa…. mund të lexohet si e tillë, ndaj kam përshtypjen se bëri një sqarim që tha se nuk është kërkesë për bashkëqeverisje, por është kërkesë për një bashkëpunim. Është përpjekjeje për të kapitalizuar vota tek elektorati gri, sepse ky elektorat është i lodhur me konfliktin politik”, tha ajo.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat