Tjetërsuan e blenë 4 mln euro tokën te spitali ushtarak, dënohen biznesmenët Llanaj e Kadri Pazari

Shqipëria

Tjetërsuan e blenë 4 mln euro tokën te spitali ushtarak, dënohen biznesmenët Llanaj e Kadri Pazari

Më: 17 prill 2021 Në ora: 17:55
Foto

Janë shpallur fajtorë dhe dënuar me burg, personat përgjegjës që falsifikuan dokumentet dhe tjetërsuan një sipërfaqe prej 21.091 m2, që ndodhet brenda territorit të spitalit ushtarak në Tiranë.

Kadri Pazari dhe biznesmeni i kompanisë “Mesaplik-05”, Dritan Llanaj, u dënuan përkatësisht me 4.8 dhe 3.4 vite burgim për akuzën e “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Vendimi është marrë në 13 prill 2021 nga gjyqtari Altin Abdiu, i cili ka deklaruar fajtor dy të pandehurit e prokurorisë.

Në këtë çështje të pandehur janë marrë dhe dy personat Arben Çaçi dhe Fatmir Xhema, por për shkak se ata kanë ndërruar jetë hetimi dhe gjykimi ndaj tyre është pushuar.

Hetimi i kësaj dosje ka marrë spunto nga një kallëzim që ka depozituar në prokurorinë e Tiranës, personi i dëmtuar shtetasi Gazmend Fortuzi.

Nga të dhënat e përfituara nga hetimi, ka rezultuar se përfituesit kryesorë të kësaj skeme falsifikimi, janë të pandehurit e mësipërm, pasi ata kanë përfituar pronën në mënyrë të paligjshme duke e tjetërsuar më pas me ndihmën e personave të tjerë.

Më pas kjo pronë është shitur me një vlerë prej 4 milion euro, dhe mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara është marrë dhe leja ndërtimore nga bashkia e Tiranës.

Ky fakt tregon se kemi të bëjmë me një veprimtari të rëndë kriminale ku brenda ditës kryhen veprime dhe nga akti-noterial del se janë dhënë 4 000 000 euro, të cilat nuk dihet origjina e tyre.

Pra falsifikohet dokumente me qëllim për të futur në punë para të cilat nuk i dihet burimi i tyre dhe më pas legalizohen nëpërmjet skemës së shit-blerjes.

Faktet e konstatuara nga hetimi pasqyrojnë mjaft qartë se përfituesit, falsifikatorë, përfaqësues të familjes “Pazari” me ndihmën e punonjësve të korruptuar të ZVRPP kanë mundur të rregjistrojnë, këtë pronë duke hequr kufizimin e disponuar nga vendimi origjinal i KKK i Pronave, që ia kthen këtë pronë kur Spitali Ushtarak të privatizohet si dhe duke shmangur edhe mbivendosjen gjatë procesit të regjistrimit, ndërmjet vendimit të KKK i Pronave nr. 232 te vitit 2000 dhe pronës shtetërore, pjesë e inventarit të Ministrisë së Mbrojtjes, territorin e SUQU.

Nga personat e interesuar është bërë e mundur të falsifikohet vendimi nr. 232 datë 6 korrik 2000 të KKKP pikërisht në faqen 3-të të tij, në pikën 1-e, ku bën fjalë për truallin me sip. 21.841 m2, brenda territorit të Spitalit Ushtarak duke ndërhyrë, falsifikuar, fshirë një pjesë të fjalisë:”…i kthehet z. Sheh Ali Pazari pronësia mbi këtë truall, kur spitali të privatizohet….”, duke e lënë vetëm fjalinë : “…i kthehet z. Sheh Ali Pazari pronësia mbi këtë truall…”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat