Shqipëri: Infektimet nga COVID-19 në ulje, mjekët thonë të mos ulet vigjilenca

Shqipëria

Shqipëri: Infektimet nga COVID-19 në ulje, mjekët thonë të mos ulet vigjilenca

Më: 17 prill 2021 Në ora: 19:00
Foto ilustrim

Numri i pacientëve që trajtohen në spitalet COVID sipas Ministres së Shëndetësisë së Shqipërisë ka pësuar një rënie të qëndrueshme.

Megjithatë mjekët e spitalit infektiv bëjnë thirrje për respektim të masave kundër covid-19, pasi personat që po shtrohen në spitale, ndonëse të pakët në numër vazhdojnë të jenë raste të rënda.

“Vërtetë numrat e të shtruarve janë të ulur, por ata që janë të shtruar vazhdojnë të jenë raste të rënda, madje shumë të rënda” u shpreh një mjeke.

“Ka pasur një rënie të qëndrueshme edhe për sa i përket numrit të fataliteteve mbi baza ditore. Kjo tregon që jemi në një situatë të kontrolluar të epidemisë. Por është shumë e rëndësishme të mos ulet vigjilenca”, thanë mjekët.

Ministrja Manastirliu nga Spitali Infektiv siguroi stafin shëndetësor se për ta do të vijojë mbështetja me bonusin prej 1000 euro në muaj.

“Për të gjithë ekipin e mjekëve dhe infermierëve do të vijojë mbështetja, ashtu sikurse ka qenë deri tani me bonusin special, do të vijojë deri në ditën e fundit të kësaj lufte me armikun e padukshëm. Janë më shumë se 4 mijë punonjës të shëndetësisë, mjekë, infermierë, epidemiologë, laborantë, të cilët kanë përfituar bonusin special të vendosur nga qeveria shqiptare”, u shpreh znj. Manastirliu.

Aktualisht spitali COVID 4 në Tiranë nuk ka asnjë pacient. Sipas të dhënave të ministrisë së një dite më parë në spitalet e tjera COVID në Tiranë dhe në tre spitalet rajonale po trajtohen 182 pacientë, pjesa më e madhe në Tiranë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat