Edhe 50 mijë vaksina AstraZeneca arrijnë në Shqipëri

Shqipëria

Edhe 50 mijë vaksina AstraZeneca arrijnë në Shqipëri

Më: 18 prill 2021 Në ora: 22:06
Foto nga vendi i ngjarjes

Në aeroportin “Nënë Tereza” kanë mbërritur edhe 50,000 doza të vaksinës së prodhuar nga AstraZeneca, donacion i Republikës së Indisë.

Vaksinat në Rinas janë pritur nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, dhe ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, dhe Ambasadori i Republikës së Indisë në Bukuresht, Rahul Shrivastava.

Ambasadori Shrivastava u shpreh se është i lumtur që mundën t’i sjellin vaksinat në kohë.

“Jemi shumë të kënaqur që kemi pasur mundësinë t’i sjellim në kohë vaksinat në Shqipëri. Sepse, siç po i thosha ministres, rastet në Indi janë duke u rritur dhe ne e kemi pezulluar eksportimin e vaksinave për vendet e tjera. Por, Shqipëria është një mik i veçantë…”.

Ndërsa, ministrja Manastirliu u shpreh se vaksinat do të jenë pjesë e gjithë procesit të validimit dhe do të shpërndahen në qendrat e vaksinimit. Deri më tani në vendin tonë, sipas ministres, kanë ardhur 400 mijë vaksina. Prej tyre janë administruar 320 mijë.

Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se me ardhjen e mbi 200 mijë dozave të tjera, këtë javë nis vaksinimi anti-covid edhe për punonjësit e transportit publik, si fillim ai ajror.

“Javën që vjen, duke filluar nga nesër, presim mbi 200 mijë doza vaksine. Po vijohet me operatorët turistikë, dhe do të shtrihemi javën e ardhshme edhe në targetin e punonjësve të transportit publik, duke filluar me punonjësit e transportit ajror, me punonjësit e Air Albania”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat