​Mbërrijnë 50 mijë doza të tjera të vaksinës AstraZeneca në Shqipëri

Shqipëria

​Mbërrijnë 50 mijë doza të tjera të vaksinës AstraZeneca në Shqipëri

Më: 18 prill 2021 Në ora: 22:50
Foto ilustrim

Kanë mbërritur mbrëmjen e sotme në Aeroportin “Nënë Tereza” , në Tiranë, 50 mijë doza të tjera të vaksinës AstraZeneca, donacion i Republikës së Indisë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, Ministri i Shtetit për Rindërtim Arben Ahmetaj dhe Ambasadori i Republikës së Indisë në Bukuresht, Rahul Shrivastava ishin të pranishëm në Aeroportin “Nënë Tereza”.

“Sot kanë mbërritur edhe 50 mijë doza të vaksinës AstraZeneca, të cilat menjëherë do të shpërndahen në të gjithë qendrat shëndetësore dhe qendrat masive të vaksinimit, për të vijuar vaksinimin masiv të popullatës mbi 60 vjeç”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se me ardhjen e mbi 200 mijë dozave të tjera, këtë javë nis vaksinimi antiCOVID edhe për punonjësit e transportit publik, si fillim ai ajror.

“Javën që vjen, duke filluar nga nesër, presim mbi 200 mijë doza vaksine. Po vijohet me operatorët turistikë, dhe do të shtrihemi javën e ardhshme edhe në targetin e punonjësve të transportit publik, duke filluar me punonjësit e transportit ajror, me punonjësit e Air Albania”, nënvizoi Manasirliu.

Duke e konsideruar situatën e epidemisë në vend, një situatë të kontrolluar, Manastirliu ka bërë me dije se në Spitalin COVID 3 nuk ka aktualisht pacientë të shtruar, por njësoj si COVID 4, do të jenë në gatishmëri bashkë me stafet mjekësore.

“Jemi në një situatë, e cila konsiderohet me një incidiencë të ulët sa i përket rasteve të reja ditore. Situata në spitale paraqitet e qëndrueshme. Në spitalet COVID 3 dhe COVID 4 akutualisht nuk ka më pacientë, pasi është ulur numri pacientëve, por ato jane sërish në gatishmëri dhe mund të themi që situata paraqitet e kontrolluar”, tha Manastirliu.

Aktualisht janë rreth 490 mijë vaksina të mbërritura në Shqipëri, ndërsa priten mbi 200 mijë vaksina të tjera në ditët në vijim.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat