Himarë, Gjiknuri: Mos çoni asnjë votë dëm tek PD-LSI, nuk i lidh asgjë me zonën

Shqipëria

Himarë, Gjiknuri: Mos çoni asnjë votë dëm tek PD-LSI, nuk i lidh asgjë me zonën

Më: 19 prill 2021 Në ora: 12:26
Damian Gjiknuri

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun Vlorë Damian Gjiknuri, shoqëruar nga kandidati për deputet Niko Kuri dhe nga Kryebashkiaku i Himarës Jorgo Goro, zhvilloi takimet elektorale në Himarë dhe Qeparo.

Duke ju referuar ofertës politike të opozitës si të papërshtatshme, Gjiknuri ftoi qytetarët e Himarës që ta konsiderojnë referendum votën e 25 Prillit në mbështetje të projekteve transformuese për qarkun.

“Partia Demokratike nuk ju solli asnjë përfaqësues, mos i jepni asnjë votë ndërsa LSI- së që vijnë t’ju kërkojnë vota për pushtet e për të sistemuar në punë njerëzit e tyre përgjigjuni vetëm me vota për PS-në. T’ia japim Ilir Metës referendumin që kërkon duke nxjerrë 9 mandate për Qarkun e Vlorës, si mbështetje masive e gjithçkaje të nisur. Është kjo arsyeja përse vota juaj duhet të shkojë vetëm për numrin 12, për Partinë Socialiste, për të bërë më të mirën për Himarën dhe për gjithë qarkun e Vlorës”, theksoi Gjiknuri.

Gjiknuri u ndal dhe në procesin e regjistrimit të shtëpive të vjetra duke theksuar se po angazhohet personalisht që ky proces të ecë sa më shpejt. Ai ironizoi pretendimet e kundërshtarëve politik duke pohuar se “Kandidati i PD, që nuk ka asnjë lidhje me Himarën, ka deklaruar se të gjitha projektet e implementuara në Qarkun e Vlorës do t’i kthejnë pas. Ne nuk kemi kohë për të humbur. Partitë e tjera nuk kanë lidhje me këtë krahinë. Ata nuk kanë një kandidat që t’ju përfaqësojë juve e jo më të dinë hallet tuaja. Në Bashkinë Himarë partitë e tjera  nuk duhet të marrin asnjë votë pasi nuk i lidh asgjë me Himarën. As Omonia nuk ofron më asgjë pasi në të kundërt do ta kishin një kandidaturë përfaqësuese, por ashtu siç të gjitha partitë e tjera kanë zero interes për Himarën, kanë dhe zero kandidaturë përfaqësuese për këtë zonë” theksoi Gjiknuri.

Gjiknuri theksoi se çështja e regjistrimit fillestar të pronave, një problematikë e kthyer në gangrenë shumëvjeçare për Himarën, tanimë është në rrugën e duhur, falë bazës ligjore.

Pas përfundimit të regjistrimit të pronave në Iliaz dhe Gjilekë, pritet të nisë procesi në Livadh, Himarë dhe Dhërmi, deri në pajisjen e të gjitha fshatrave të jugut me certifikatën e pronësisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat