Gropa me ujë e baltë në Laprakë, banorët: Ka 20 vjet që është kështu, bashkia nuk na përgjigjet

Shqipëria

Gropa me ujë e baltë në Laprakë, banorët: Ka 20 vjet që është kështu, bashkia nuk na përgjigjet

Më: 19 prill 2021 Në ora: 16:34
Foto ilustrim

Mbi 100 familje në zonën e Laprakës nuk kanë rrugë. Në gjurmë e segmentit kanë mbetur vetëm gropat e mbushura me ujë e baltë. Më të vështirë e kanë fëmijët të cilët çdo ditë kalojnë aty për të shkuar në shkollë.

Rruga “Vangjel Noti”  në zonën e Laprakës është bërë e pakalueshme pas reshjeve të shiut.

Banorët tregojnë që kërkesat drejtuar pushtetit vendor nuk kanë marrë zgjidhje, pasi gjithmonë zona ka vuajtur mungesën e investimeve.

“Kështu jemi, pa kanalizime, pa rrugë makinash ka 20 vjet. Gjithmonë kemi kërkuar të bashkia po nuk marrin vesh,” thotë një banore.

Vështirësitë më mëdha janë për fëmijët të cilët duhet të kalojnë çdo ditë në këtë rrugë për të shkuar në shkollë.

“Na bëhen atletet gjithmonë me baltë edhe është pak keq nga shokët të na shohin ashtu,” thotë një fëmijë.

Madje një prind tregon që është detyruar të paguajë lekë shtesë shoferit që siguron transportin e fëmijëve për shkak të përmbytjeve.

“Për arsye se këtu bllokohet prej ujit, paguaj 20 mijë lekë fugonin të vijë ta marrë djalin këtu sepse nuk ka ku kalon deri të asfalti,” thotë ai.

Edhe pse në prag zgjedhjesh, banorët i kanë humbur shpresat për rehabilitimin e kësaj rruge.

“Duhet bërë, po kush e bënë. Ta bëjë nëna ime që është në varr se shteti që kemi ne..,” thotë banori.

“Unë kam besim që kjo do rregullohet, por unë nuk e di a pres aq ditë që ta shijoj këtë ndryshim,” thotë banori.

Rreth 130 familje u duhet të përballen me problemet infrastrukturore në këtë lagje të Laprakës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat