“Hë derr a po vdes”, Gjetë Kadeli rrëfen vuajtjet në kampin e Tepelenës

Shqipëria

“Hë derr a po vdes”, Gjetë Kadeli rrëfen vuajtjet në kampin e Tepelenës

Më: 20 prill 2021 Në ora: 22:20
Gjetë Kadeli

Janë vargjet e një kënge vaji. Vikama e dhimbjes jehon fort, ndërsa shpirtrat vuajnë përmes notave. Njeriu është i fortë, jeton për “me tregue edhe tuj këndue”. Çdo tingull i këtij vaji na rrëfen përjetimin e mijëra grave, fëmijëve e të moshuarve që vuajtën internimin në kampin e Tepelenës gjatë viteve 1949-1954, ku më shumë se 600 prej tyre u shuan dita- ditës.

Përgjatë pesë viteve, rreth 3 mijë shqiptarë vuajtën dënimin në këtë vend të rrethuar me tela me gjemba në kushte të tmerrshme jetese nën kërcënimin e urisë dhe sëmundjeve infektive. Ishin kryesisht gra, fëmijë e të moshuar, që ju përkisnin familjeve të shpallura “armiq të popullit” nga diktatura komuniste.

Gjetë Kadeli, ishte shtatë vjeç kur e sollën me dhunë në këtë kampin e Tepelenës, bashkë me familjarët e tij. I ati ishte arratisur dhe Gjeta me nënën, motrat dhe vëllanë ishin marrë peng nga diktatura, derisa i ati, Pjetër Kadeli të dorëzohej.

“Makina plot, plot me gra e kalamaj e pleq. Nana, vëllau që kam në Amerikë.  Gjoni, vëllau i madh, unë edhe dy motrat, motra e madhe Liza që jeton në tiranë dhe motra tjetër Pashka që vdiq në Tepelenë në vitin 1952. 

Udhëtimin nuk e mbaj mend mirë se sa na ka shkue, por ka qenë shumë i gjatë. Prej Rubiku për me shkue në Tepelenë në rrugët e asaj kohe…, kemi shkue nga ana e Vlorës, se tani shkohet më kollaj se është shkurtu rruga. Në mos gabojë kemi mbërriti në Tepelenë një orë para se të errësohej, pa perëndu dielli. Na kanë çuar në Turan sipër është një vend repart ushtarak ka qenë”, rrëfen Gjeta në emisionin VETTING në ABC.

Mbijetesa ishte i vetmi qëllim. Uji mungonte. Për sapun as që bëhej fjalë. Tualete nuk kishte. Por përveç këtyre, mungonte edhe kafshata e përditshme.

‘Kazermat ishin të mëdha dhe ishin me shtretër të ushtrisë… shtretër rrëzë murit, edhe në anën tjetër edhe në mes kishte shtretër dhe ishin dykatësh… çdo shtrat kishte një familje. Ushqimi ishte me kazan. Arta që ishin të rritu i futën në punë, i çuan në Porto-Palermo. Puna ishte mjaft e lodhshme. Edhe këtu në Tepelenë gratë i çonin të mbanin dru në mal për ti çuar në qytet në Tepelenë… po nana jote shkoi në punë? Edhe nana ime po”

Bashkë me familjen e Gjetës ishin edhe familjet e xhaxhallarëve të tij: Gjoka me të shoqen Prenën, e dy fëmijët e tyre, Marta e Pashku.

Ndërsa xhaxhai tjetër Zefi, ishte në burg, e shoqja Dila ndodhej me ta në kamp edhe pse ishte shtatzënë në muajin e fundit. E lindi vajzën dy javë pasi mbërriti në Tepelenë. Egërsia e kampit famëkeq ishte një sfidë e papërballueshme për brishtësinë e Marës së vogël, e cila mbijetoi vetëm pak ditë. Vështirë të gjallonte jetë në prehrin e vdekjes. Vështirë të çelë e të rritet një lule në acar…

“Zefi ishte në burg, gruaja e tij Dila ishte shtatzënë në muajin e fundit të shtatzanisë dhe u internua bashkë me ne në Tepelenë. Dy javë pasi kemi shku në Tepelenë e lindi vajzën. Ia kemi vënë emrin Mara. Ka jetu vetëm dy javë vajza dhe vdiq në Tepelenë. Kështu që çifti Zef dhe Dila Kadeli nuk kanë lënë trashëgimtar. Vajza u sëmur dhe vdiq.. atëherë sa kishin nisur sëmundjet…

Cfarë sëmundjesh? Kryesisht dizanteria. Vdekja e parë nga familja jonë në Tepelenë ka qenë vajza e axhës. Aty lindi aty vdiq, 15 ditë pasi lindi”

Më pas do të sëmurej edhe motra e vogël e Gjetës, Pashka, vetëm dy- vjeçare. Pas saj edhe xhaxhai Gjoka.

“Pati temperaturë, i shkonte bark (diarre). Aty ishte infermieri dhe e nisën në Gjirokastër. Ka vdekur në Gjirokastër. Pashka ishte dy vjeçe. Pastaj e kanë sjellë edhe e kanë varros në bregun e lumit Bënçë. Pashka ka vdek në vitin 1952. Pas Pashkës ka vdekur edhe axha Gjokë Kadeli. Axha ishte internuar bashkë me gruan Prenën dhe me dy fëmijët Martën e ditëlindjes 1945 dhe Pashkun, i ditëlindjes 1949.

Gjoka u sëmur nga vuajtjet e dizanteria dhe ka vdek pa e çu në spital Në momentet e fundit kur ka qenë t’u vdek, ka ardhur polici me emrin kapter Selfo, mbiemrin nuk ia mbaj mend… dhe i ka thënë: hë derr a po vdes… shumë mirë, një armik ma pak…dhe i ra shkelm kambëve. Vetëm mirditas kanë vdekur shumë dhe është lista shumë emërore… nga e gjithë Shqipëria kanë vdekur në Tepelenë mbi  600 vetë, fëmijë, gra e pleq…”, rrëfen Gjetë Kadeli.

Kishin pllakosur sëmundjet e Tifos e Dizanterisë. Fëmijët e paushqyer nuk mund t’i rezistonin sëmundjeve, kur ilaçet mungonin. Çdo ditë dëgjohej vikama e nënave për humbjen e fëmijëve.

Gjetë Kadeli ruan një tjetër kujtim të trishtë në memorien e tij. Një ngjarje që ia trazon edhe sot mendjen dhe zemrën. “Unë gjeta një bombë Brenda rrethimit, ajo kapsolla e së cilës ishte mbështjellë me një pjesë metali si tapë dhe ishte e pandryshkur. Unë e kisha në dorë aty, përafërsisht në mes të kazermave, vjen ky djali nga Tropoja pra, Shemsedini, edhe më thotë, thotë: “Aman ama mua?”. Domethënë “ma jep mua”. Unë u ktheva e pashë. Ai ishte më i madh se unë në moshë, pra dy vjet. Edhe për trup ishte pak më i gjatë se unë. Edhe, pa u menduar hiç, nuk ja dhashë në dorë e lashë aty, edhe unë mora rrugën për të shkuar në kazermë. Nja 10-15 m, pa shkuar në kazermë,  ka plasur bomba…”, rrëfen Gjetë Kadeli.

Në vitin 1954, Gjeta bashkë me familjen u transferua nga kampi i Tepelenës për të vazhduar kalvarin nëpër kampe të tjera dhe më vonë edhe nëpër burgje… Eshtrat e dy vajzave të vogla mirditore, Marës 15-ditëshe dhe Pashkës dy vjeçe, mbetën në Tepelenë. Atje mbetën edhe eshtrat e xhaxhait të tij Gjokë Kadeli, të cilat nuk u gjetën kurrë.

“Dhe, ato varrezat e Tepelenës, varrezat e internimit në Tepelenë, ato janë lëvizur mandej tri herë nga vendi ku janë varrosë herën e parë. Edhe nuk e dinë, nuk e dinë kurrkush se ku janë, ku i kanë çuar. Kanë future buldozerin herën e parë edhe kanë gërmuar vendin deri në një metër e gjysmë, pse aty do të bëhej një ndërtesë e tregëtisë së Tepelenës. Këto janë deklarime që na i kanë ba tepelenasit, kur kemi shkue në ’93-shin, me kërkue ato vorret e tre njerëzve tanë. Erdhi baba nga Amerika dhe kemi shkue në Tepelenë dhe na janë deklarue, që ato nuk ekzistojnë kurrkund. Kështu janë 600 e ca të internuar që kanë vdekur në Tepelenë”, rrëfen Gjetë Kadeli.

Përveç Gjetës e familjes së tij, askush nuk është interesuar për eshtrat e Pashkës 2-vjeçare, Marës dy-javëshe dhe xhaxhait.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat